21 Μαΐου, 2026

NGJITJA E ZOTIT KRISHT NË QIEJ LITURGJI HYJNORE NËN DREJTIMIN E FORTLUMTURISË SË TIJ, KRYEPISKOPIT JOAN KISHA E UNGJILLËZIMIT, TIRANË

Διαδώστε:

Në festën e madhe zotërore të Ngjitjes së Zotit Krisht në Qiej (Analipsi), e kremtuar të enjten, më 21 maj 2026, në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, imzot Joani, drejtoi Liturgjinë Hyjnore në praninë e një numri të madh besimtarësh.

Në bashkëmeshim me Kryepiskopin ishte edhe Episkopi i Amantias, Hirësia e Tij z. Ignat, së bashku me klerin e Kryepiskopatës së Hirshme që shërbejnë në kryeqytet.
Në predikimin e Tij, Kryepiskopi Joan theksoi rëndësinë shpirtërore dhe teologjike të festës së Ngjitjes në Qiej të Krishtit, duke e cilësuar atë si një festë gëzimi dhe shprese për gjithë njerëzimin. Ai vuri në dukje se, ndonëse Krishti u largua fizikisht prej nxënësve të Tij, ata u kthyen me gëzim, sepse kuptuan se natyra njerëzore tashmë ishte ngritur pranë Perëndisë.

Fortlumturia e Tij shpjegoi se Ngjitja në Qiej përfaqëson restaurimin dhe shenjtërimin e natyrës njerëzore, të dëmtuar nga mëkati. “Zoti u ngjit në qiell bashkë me trupin e Tij të lavdëruar, duke treguar se natyra jonë njerëzore u pranua dhe u afrua pranë Perëndisë”, u shpreh ai.
Duke iu referuar profecive të Dhiatës së Vjetër dhe mësimeve të Etërve të Kishës, Kryepiskopi nënvizoi se Krishti hapi përsëri derën e qiellit për njerëzimin, duke i rikthyer njeriut mundësinë për bashkim me Perëndinë.

Në mesazhin e Tij, Kryepiskopi Joan u ndal edhe te sfidat shpirtërore të kohës moderne, duke theksuar se largimi i njeriut nga dimensioni i përjetësisë ka sjellë zbrazëti shpirtërore, vetmi dhe mungesë gëzimi. Ai theksoi se gëzimi i vërtetë buron vetëm nga prania e Perëndisë në jetën e njeriut dhe u bëri thirrje besimtarëve të jetojnë sipas mësimeve të Krishtit, duke ruajtur urdhërimet dhe duke e orientuar jetën drejt përjetësisë.

“Rruga drejt qiellit kërkon përpjekje dhe sakrificë, por Zoti premton se do të jetë gjithmonë me ne. Vetëm me praninë e Tij njeriu mund të gjejë paqe, dritë dhe gëzim të vërtetë”, tha ndër të tjera Kryepiskopi.

Në përfundim të shërbesës, besimtarët e shumtë që kishin mbushur kishën u larguan të frymëzuar dhe me ndjenja mirënjohjeje ndaj Perëndisë për veprën shpëtuese të Krishtit dhe mesazhin e shpresës dhe gëzimit që sjell festa e Ngjitjes në Qiej të Zotit tonë Jisu Krisht.

Në fund të shërbesave, mbas Përlëshimit të popullit, Kryepiskopi Joan uroi në këtë ditë, që festohet edhe Shën Kostandini dhe Shën Elena, të gjithë besimtarët që mbajnë emrin dhe kremtojnë sot në nder të tyre.

21 Maj 2026


Radio “Ngjallja”

Διαδώστε: