22 Μαΐου, 2026

NGJITJA E ZOTIT KRISHT NË QIEJ – PREDIKIM I KRYEPISKOPIT TË TIRANËS, DURRËSIT DHE GJITHË SHQIPËRISË, Z. JOAN

Διαδώστε:

LE TË PASTROHEMI NGA ÇDO GJË E KEQE QË DËMTON SHPIRTIN DHE ZEMRËN TONË!
Predikimi nga Fortlumturia e Tij, Joani,
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
Ngjitja e Zotit në Qiell
Kisha e Ungjillëzimit të Hyjlindëses
Tiranë, 21 maj 2026
Sot është një nga festat zotërore, ajo e Ngjitjes së Zotit në Qiell. Në Kishë janë disa festa të cilat përhapin gjithmonë gëzim, siç është Pashka, Krishtlindja, Ungjillëzimi etj. Po ashtu është dhe Ngjitja e Zotit në Qiell, e cila na transmeton gëzim. Në leximin e sotëm të Ungjillit përshkruhet shumë mirë përgatitja për këtë festë. Zoti kur iu shfaq apostujve, të cilët kishin dyshime, ishin të trazuar nga mendime të ndryshme, iu shpjegoi gjithçka. Ai ua shpjegoi atyre të gjithë Shkrimin e Shenjtë, të gjithë veprën e Tij që kishte bërë. Dhe u tha që ta përhapnin këtë Lajm, por të rrinin në Jerusalem derisa të vinte mbi ta Shpirti i Shenjtë. Dhe Shpirti i Shenjtë i fuqizoi apostujt, për ta përhapur Ungjillin kudo.
Ngjitja e Zotit në Qiell është e rëndësishme për disa arsye të forta. E para duhet kuptuar që Zoti zbriti nga qielli, mori trup njerëzor dhe kaloi nëpërmjet kryqit dhe vdekjes, të cilën edhe e mundi. Trupin e Tij të lavdëruar e ngjiti në të djathtë të Atit. Nëse do të meditojmë pak rreth kësaj ngjarjeje, do të na kapë gëzim i madh dhe jo vetëm gëzim i madh, por do të kemi edhe përgjegjësinë për të vazhduar pikërisht atë rrugë që hapi Zoti. Trupi i njeriut, nëpërmjet Ngjitjes së Zotit në Qiell, u bë pjesë e Birit të Perëndisë. Ai nuk e hodhi tej Trupin që mori, por trupi i Tij njerëzor qëndron pranë Atit, në të djathtë të Tij, atje ku rri dhe Zoti ynë Jisu Krisht. Dhe kjo është një nga mrekullitë dhe një nga misteret më të mëdha. Shën Joan Gojarti, i cili fliste shpeshherë rreth Ngjitjes së Zotit, thotë: “Sa herë kujtoj këtë gjë mrekullohem. Si trupi im, kjo baltë e mbushur me mëkate, do të rrijë përpara Perëndisë së lartë, të Cilin as engjëjt nuk guxojnë ta shikojnë?!”. Pikërisht, këtë u shpjegoi Zoti nxënësve dhe ata u kthyen me gëzim.

Apostujt kishin qëndruar për vite me Zotin dhe gjatë 40 ditëve Ai iu ishte shfaqur atyre herë pas here. Zakonisht kur ndahesh nga një njeri i dashur të kap trishtim, por Ungjilli thotë që ata u kthyen me gëzim, sepse e kuptuan Misterin e Kryqëzimit, të Ngjalljes dhe të Ngjitjes në Qiell, në të cilën natyra njerëzore realisht ka mundësinë për t’u bërë pjesëmarrëse në natyrën hyjnore, siç shkruan Shën Pjetri në letrën e tij të dytë: “… që nëpërmjet tyre të bëhemi pjesëtarë të natyrës hyjnore…” 2 Pj. 1:4b).
Kjo sjell gëzim në shpirtin e njeriut, por siç e theksuam më parë sjell edhe përgjegjësi. Nëse do ta lexoni me kujdes Simbolin e Besimit, thotë një teolog shumë i dëgjuar, të cilin kam pasur privilegjin ta kisha edhe mik, atë Thomas Hopko, do të vini re që në të gjithë pjesën e parë foljet janë në kohën e shkuar (dhe e kryer e thjeshtë): Zbriti…, Erdhi…, U mishërua…, Pësoi…, U varros…, U ngjall…. Vetëm kur flitet për Ngjitjen në Qiell thuhet që rri në të djathtë të Atit, d.m.th. në kohën e tashme. Gjë që do të thotë se më e rëndësishmja për ne është pikërisht kjo e tashme. Tani, gjithçka ‘e shkuar’ për të cilën kemi mësuar rreth veprës shpëtimtare të Zotit, na shërben për të realizuar këtë të tashme. Në këtë periudhë të tashme natyra jonë njerëzore ka mundësinë për t’u ngjitur dhe për t’u bashkuar me Zotin në qiell, kur të vijë dita që ne do të ndërrojmë jetë. Edhe Etërit e Kishës e thoshin me guxim këtë gjë. Ndoshta njerëzve sot mund t’u duket pak e habitshme si njeriu mund të bëhet pjesëmarrës i natyrës hyjnore, dhe kjo arrihet jo nga fuqia jonë, por pikërisht nga hiri i Zotit.
Zoti e mori natyrën tonë të rënë, e ngriti përsëri në qiell dhe e vuri në të djathtë të Atit, siç thuhet në Besore: “…dhe rri në të djathtë të Atit”. Dhe atje, në të djathtë të Atit, nuk rri vetëm Perëndia, sepse Zoti ishte i pranishëm vazhdimisht në të djathë të Atit. Edhe kur ishte në tokë, Ai nuk u shkëput nga Trinia, por ngriti natyrën tonë. Ne nuk gëzohemi thjesht se Perëndia qëndron në krah të djathtë të Atit, sepse Ai gjithmonë ka qenë në krah të djathtë të Tij, është dhe do të jetë. Por Ai e ngriti natyrën tonë atje. Nëse do të kemi këtë ndërmend, jeta jonë do të fillojë të ndryshojë.
Si mund të përgatitemi ne, që trupi ynë njerëzor me mëkate të ndryshme, kjo baltë, siç shkruan dhe Shën Joan Gojarti, të ngjitet atje sipër?! Kjo vjen pikërisht nga një përpjekje e madhe shpirtërore për t’u shëruar dhe për t’u pastruar. E gjithë jeta e krishterë dhe e gjithë jeta jonë në këtë dhé, aq kohë sa do të jetojmë, është pikërisht një përpjekje e madhe për t’u pastruar shpirtërisht; dhe pastrimi shpirtëror nuk është aq i lehtë. Nuk mjaftojnë vetëm thjesht kreshmimet trupore, por duhet më tepër kreshmimi shpirtëror. Kreshmimet trupore e ndihmojnë kreshmimin shpirtëror, se pa njërën nuk mund të realizohet as tjetra. Kreshmimi trupor është një mjet. Qëllimi kryesor është kreshmimi shpirtëror, që do të thotë pastrimi i zemrës, ndriçimi i mendjes dhe heqja e krenarive boshe që ka gjithsecili nga ne.
Jo më kot Teksti i Etërve të Kishës e përmend fjalën ‘lavdi’ pikërisht së bashku me fjalën ‘boshe’, pra ‘lavdi boshe’. Krenaria është një lavdi boshe. Njerëzit krijojnë një pseudo-vete. Ata mendojnë se janë shumë më të mençur se të tjerët, më të mirë dhe se e bëjnë punën më mirë se të tjerët. Kjo gjë nuk është vetja jonë e vërtetë. Nëse do ta shikojmë veten tonë të vërtetë, nuk do të gjejmë atje gjë për të qenë krenarë.
Prandaj dhe përulësia vjen si një dituri. Vetëm njerëzit që e njohin veten e tyre të vërtetë, jo pseudo-veten, ata janë të përulur. Dhe, duke qenë të përulur, kështu do të kemi mundësinë të zbresë hiri i Perëndisë mbi ne; dhe hiri i Perëndisë mund ta pastrojë mendjen, zemrën dhe shpirtin tonë. Ky është qëllimi i jetës njerëzore: të bëhemi të aftë për të qenë pjesëtarë dhe pjesëmarrës të natyrës hyjnore.
Dita e sotme e Ngjitjes së Zotit në qiell është një shpresë e madhe për të gjithë njerëzimin. I gjithë njerëzimi duhet të ketë gëzimin e madh, sepse Zoti e ndryshoi dhe e ngriti përsëri natyrën tonë të rënë dhe e bëri bashkëpjesëtar të natyrës hyjnore, nëpërmjet hirit, jo nëpërmjet natyrës sonë. Natyra jonë nuk është hyjnore, por Zoti e ka krijuar njeriun sipas ikonës së Perëndisë. Një varg nga Psalmi tetë thotë se Ti e krijove njeriun pak më të vogël së Perëndia (Ps.8:5). Te Septuaginta (Përkthimi i të Shtatëdhjetëve), libri që përdoret shpesh nga Kisha Orthodhokse, thuhet ‘pak më të vogël se engjëjt’, sepse fjala Elohim në hebraisht ka dy kuptime. Ajo ka kuptimin ‘ Perëndia’, por edhe ‘qeniet hyjnore’. Dhe Zoti e ka krijuar njeriun pikërisht pak më të vogël se një qenie hyjnore, gjë që do të thotë se njeriu, nëpërmjet hirit të Perëndisë, ka mundësinë të bëhet pjesëtar dhe pjesëmarrës i kësaj natyre. Ndoshta këto si mendime mund të duken të vështira, por nëse do të fillojmë t’i praktikojmë, nëse do të bëjmë jetë shpirtërore, sytë tanë do të hapen. Misteret e Zotit nuk mund t’i kuptojmë vetëm nga aftësia e inteligjencës sonë. Jeta shpirtërore e kapërcen këtë dituri, se ajo është dituri e një dimensioni të tjetër. I ligu është inteligjent, ka mençuri shumë të madhe, por kuptimi i Mistereve Hyjnore vjen vetëm nga pastërtia e zemrës së njeriut.
Prandaj dhe Kisha na kujton vazhdimisht që festa e Ngjitjes së Zotit në Qiell është një thirrje për gjithsecilin nga ne për të filluar pastrimin tonë shpirtëror dhe për të qenë të gatshëm, që kur të vijë dita, të jemi në të djathtën e Perëndisë dhe jo në të majtën e Tij, siç thuhet te paravolia që tregon Zoti në lidhje me gjyqin e fundit (shih. Mt. 25:31-46). Dhe kjo kërkon një përpjekje shumë të madhe, se që të ngjitemi sipër duhet të kalojmë në rrugën që kaloi Krishti, d.m.th. të kalojmë pikërisht nëpërmjet sakrificës, kryqit, ngjalljes dhe ngjitjes sipër. Nëse nuk kalojmë nëpërmjet kryqit, është shumë e vështirë të ngjitemi sipër. Madje çdo agjërim, kreshmim dhe çdo vështirësi që hasim në jetë është një lloj kryqi. Edhe shpifjet që mund të dëgjojmë janë një lloj kryqi. Problemi nuk është nga jashtë. Problemi është gjithmonë nga brenda. Nëse e shikojmë gjithçka që ndodh kundër nesh, vetëm thjesht me anë të njeriut, ose me anë të pseudo-njeriut të cilin mendojmë se jemi, të pseudo-vetes, do të jemi gjithmonë në hidhërim dhe trishtim. Por nëse do t’i shikojmë këto sprova në dimensionin shpirtëror të përulësisë, do t’i pranojmë ato me forcë shumë të madhe.
Ju kam treguar një histori që një shenjtor shumë i madh i Kishës sonë, i paguante njerëzit që të shpifnin kundër tij, që ai të qëndronte i përulur. Ndoshta, ne nuk mund ta kemi këtë fuqi kaq të madhe. Madje, nuk kemi as nevojë të paguajmë të tjerët, sepse njerëzit na i japin falas shpifjet. Por përballimi i çdo vështirësie, sëmundjeje, thashethemi, a padrejtësie që mund të na bëhet, mund të realizohet vetëm nëse e kuptojmë që rruga e kryqit nuk është rruga e dënimit për ne. Zoti i dha një dimension tjetër vuajtjes: dimension hyjnor. Nëse e shikojmë vuajtjen si kryqin e Krishtit, ajo mund të kthehet në të mirën tonë. Të gjithë njerëzit kanë kryqe, por kryqi i Krishtit është ndryshe: është kryqi i një të pafajshmi, kryqi i njeriut që nuk bëri asnjë faj. Shpeshherë ne i meritojmë kryqet tona, sepse mund të kemi bërë shumë gabime. Nëse do t’i shohim kryqet tona në dimensionin e kryqit të Krishtit, ato do të na japin gjithmonë forcë për të përballur gjithçka; dhe me anë të këtij përballimi do të pastrohet zemra jonë. Kjo është ngjallja shpirtërore.
Dhe në Ngjalljen e Dytë, kur Zoti të vijë përsëri, nëse do të jemi në rrugën e Tij, ne do të rrimë në të djathtën e Tij. Ky është gëzimi që patën apostujt. Prandaj ata patën edhe guxim aq të madh dhe e përhapën vlerën dhe mësimin e Ungjillit në të gjithë botën, pa u trembur. Të gjithë ata u persekutuan, u kryqëzuan, disa u ropën të gjallë, ua prenë kokat në mënyrat më të tmerrshme të torturave. Ata e njohën mirë misterin dhe mësimin e Zotit, prandaj kishin gëzim. Zoti erdhi për ta marrë natyrën tonë, të secilit prej nesh, për ta shenjtëruar atë përsëri. Kjo është rruga e krishterë.
Le të mundohemi ta ndjekim këtë rrugë, dhe Perëndia lart në qiell do të na bekojë dhe do të na shenjtërojë. Kur të paraqitemi para Tij, të kemi pastërtinë, që të qëndrojmë në të djathtë të Atit. Sepse asgjë e ndyrë, thotë Shën Pavli, nuk mund të hyjë në Mbretërinë e qiellit (Shih. Ef. 5:5; 1 Korintasve 6: 9-10). Kjo tani është koha jonë për t’u pastruar. Le të pastrohemi nga çdo gjë e keqe që dëmton shpirtin dhe zemrën tonë, sepse, duke u shëruar ne, kemi mundësi të shërojmë dhe njerëzit që janë rrotull nesh. Amin.

media.ngjallja.org

Διαδώστε: