15 Απριλίου, 2026

PASHKË 2026 † A n a s t a s i Mitropolit i Korçës,

Διαδώστε:

Perspektiva e Njeriut dhe Krijimit
Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë të Mitropolisë sonë,
Vëllezër dhe motra bashkëudhëtarë në besim dhe shpresë,
“Tani të gjitha u mbushën me dritë, qielli dhe dheu dhe të nëndheshmet….” (Kanoni i Pashkës).
Në madhështinë e shenjtë të kësaj të kremteje të ndritshme, Kisha shpall në mbarë botën lajmin më të gëzueshëm dhe më shpresëdhënës të besimit tonë:
Krishti u Ngjall!
Ngjallja e Zotit tonë Jisu Krisht është themeli ontologjik i ekzistencës së Kishës dhe i shpresës së njeriut. Pa Ngjalljen, Ungjilli do të ishte bosh dhe besimi i kotë. Siç dëshmon Apostull Pavli: “Nëse Krishti nuk është ngjallur, atëherë i kotë është predikimi ynë dhe i kotë është edhe besimi juaj”. Kisha jeton, merr frymë dhe dëshmon, sepse Krishti u ngjall. Gëzimi i Ngjalljes është fryma e saj jetësore. Kjo shpallje e Ngjalljes, është zbulesa e së vërtetës më të thellë të botës dhe të historisë. Sepse me Ngjalljen e Krishtit zbulohet se vdekja nuk e ka fjalën e fundit mbi ekzistencën njerëzore; se bota nuk është e destinuar për vdekjen, por për jetën; se historia nuk përfundon në errësirën e varrit, por hapet drejt dritës së përjetshme të Perëndisë dhe se jeta që na dhuroi Perëndia është më e fortë se çdo forcë e prishjes dhe e shkatërrimit.
“Krishti u ngjall së vdekurish, fryti i parë i atyre që kanë fjetur” (1 Kor.15:20). Shpall me siguri apostull Pavli.
Ngjallja e Krishtit është fillimi i krijimit të ri. Zoti i Ngjallur hyn në histori si Adami i ri dhe hap për natyrën njerëzore rrugën e mosprishjes. Shën Athanasi i Madh shënon se Krishti me Ngjalljen e Tij “shkatërroi vdekjen dhe prishjen” dhe i dha njeriut mundësinë të jetojë në dritën e jetës së përjetshme (Mbi Mishërimin). Krishti nuk u kthye thjesht në jetën e mëparshme si Llazari; Ai u ngjall me një trup të lavdëruar, të transformuar. Kjo do të thotë se natyra njerëzore, në Krishtin tashmë ka kaluar përtej kufirit të vdekjes. Në personin e Krishtit njerëzimi ka hyrë në jetën e përjetshme. Prandaj Kisha e quan Pashkën “festa e festave dhe kremtimi i kremtimeve”, siç shpall Shën Grigori Teologu. Sepse në Ngjallje përmbushet misteri i ekonomisë hyjnore: Perëndia zbret deri në vdekje për të ngritur njeriun në jetën e Tij hyjnore.
Vdekja, e cila, që nga fillimi i historisë njerëzore dukej si një tiran i pamposhtur dhe ka qenë sprova më e madhe e ekzistencës njerëzore, në personin e Krishtit gjen shkatërruesin e saj. Në Ngjalljen e Tij, shfaqet e mundur. Nuk pushon së ekzistuari si nje fakt biologjik, por humbet fuqinë e saj absolute. Shën Joan Gojarti në predikimin e tij të mrekullueshëm të Pashkës na thotë.
“Krishti u Ngjall dhe demonët ranë.
​ Krishti u Ngjall dhe engjëjt gëzohen,
Krishti u Ngjall dhe jeta mbretëron.”
Të dashur vëllezër,
Koha jonë karakterizohet nga kontradikta të mëdha. Njeriu ka arritur suksese të jashtëzakonshme në shkencë dhe teknologji, ka zgjeruar horizontet e dijes dhe ka fituar fuqi mbi natyrën, që dikur dukeshin të paimagjinueshme. E megjithatë, pavarësisht këtij përparimi, njerëzimi vazhdon të jetojë në ankth dhe pasiguri të thellë dhe bota duket shpesh e mbështjellë nga mjegulla e hijes së frikës. Luftërat që plagosin popujt, si konflikti i vazhdueshëm në Ukrainë dhe tragjedia që përjeton Lindja e Mesme, na kujtojnë me dhimbje se paqja e botës është e brishtë dhe e kërcënuar. Shpesh njeriu, mbetet i pafuqishëm për të shëruar plagët e thella që vetë krijon. Në këtë realitet të trazuar, Ngjallja e Krishtit është një shpallje shprese për gjithë njerëzimin. Ajo na kujton se historia nuk drejtohet nga forcat e dhunës dhe të errësirës, por nga fuqia e jetës që buron nga Perëndia. Në dritën e Ngjalljes, njeriu mëson se dëshpërimi nuk është fjala e fundit e historisë dhe se dashuria e Perëndisë mund të hapë horizonte të reja edhe aty ku gjithçka duket e mbyllur. Prandaj, përballë ankthit të kohës sonë, Kisha vazhdon të shpallë se shpresa e vërtetë nuk gjendet në fuqitë e përkohshme të kësaj bote, por në Krishtin e Ngjallur, i cili mbetet burimi i pashtershëm i jetës dhe i paqes.
Vetë Krishti u premtoi nxënësve të Tij:
“Po ju lë paqen, po ju jap paqen time; jo siç e jep bota, Unë po jua jap” (Jn. 14:27).
Kështu, Kisha e di se shpresa e vërtetë e njerëzimit ka vetëm një burim:
Krishtin e Ngjallur.
Shën Maksim Konfesori mëson se në misterin e Krishtit zbulohet qëllimi përfundimtar i krijimit: që e gjithë bota të bashkohet me Perëndinë dhe të shndërrohet në lavdinë e Tij. Ngjallja, pra, nuk i përket vetëm njeriut, por tërë krijimit, i cili – siç shkruan Apostull Pavli – “psherëtin dhe vuan bashkë” duke pritur ripërtëritjen e tij (Rom. 8:22).
Të dashur vëllezër dhe motra,
Mesazhi i Pashkës mbetet përgjigjja e vetme dhe më e thellë e Kishës ndaj dramës së historisë. Në çdo epokë, edhe në ato kur errësira duket se mbulon horizontin e botës, drita e Ngjalljes vazhdon të ndriçojë rrugën e njerëzimit. Sepse Krishti i Ngjallur është gjithçka në të gjitha, është prania e gjallë që shoqëron historinë dhe e udhëheq atë drejt përmbushjes së saj në Mbretërinë e Perëndisë.
Nga varri bosh i Jerusalemit buron deri sot drita që mund të ndriçojë historinë dhe të ripërtërijë zemrën njerëzore. Nga Ai varr i zbrazët fillon një histori e re për njerëzimin: historia e jetës që mund vdekjen, historia e dashurisë që tejkalon urrejtjen, dënimin dhe hakmarrjen, dhe e dritës që shpërndan çdo errësirë. Në këtë dritë çdo njeri është i thirrur të bëhet dëshmitar i shpresës dhe ndërtues i paqes.
Le të hapim, pra, zemrat tona ndaj dritës së Ngjalljes dhe le të lejojmë që ajo të shndërrojë jetën tonë, familjet tona, marrëdhëniet tona dhe shoqërinë tonë. Sepse vetëm kur drita e Krishtit ndriçon zemrën e njeriut, mund të lindë shpresa dhe të vijë paqja e vërtetë.
Me dashuri dhe me gëzimin e shenjtë të Ngjalljes, ju uroj gëzuar Pashkët!
Krishti u Ngjall!​
Korçë 12 prill 2026

 

Mitropolia e Shenjtë Korçë

Διαδώστε: