26 Ιανουαρίου, 2026

Përkujtimi i njëvjetorit të jetëndërrimit të Kryepiskopit të lumur Anastas

Διαδώστε:

Sot më 25 janar 2026, të dielën XV të Llukait dhe ditën e nderimit të Hierarkut të madh, Shën Grigor Theologut, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, u krye Shërbesa e Mëngjesores dhe Liturgjia Hyjnore, në drejtimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Joan, së bashku me Mitropolitin e Gjermanisë Qendrore, Hirësi Isaaku, dhe të gjithë anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës sonë: Mitropoliti i Fierit, Hirësi Nikolla; Mitropoliti i Elbasanit, Hirësi Andoni, Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësi Nathanaili, Mitropoliti i Beratit, Hirësi Asti dhe Mitropoliti i Korçës, Hirësi Anastasi; Mitropoliti i Akaias, Hirësi Athanasi i cili u lut bashkë me të gjithë mitropolitët; dhe klerikë të shumtë nga vendi dhe jashtë tij.

Në Shërbesat e Shenjta të kësaj të diele dhe përvjetori të Kryepiskopit tonë të lumur, morën pjesë krerë të komuniteve fetare, ambasadorë, autoritete të larta nga Këshilli Botëror i Kishave, Komuniteti i Sant’Egidios, Qendra e Krishterë Misionare në Amerikë dhe besimtarë të shumtë.

Fortlumturia e tij, Kryepiskopi Joan, në fjalën e tij në nder të përkujtimit të Kryepiskopit të lumur Anastas, theksoi se përkujtimi vjetor është nevojë shpirtërore, për t’u ndalur, për të reflektuar dhe për të falënderuar me mirënjohje Perëndinë Triadik për të gjitha; dhe për të marrë forcë nga hiri i Tij. Largimi i njeriut të madh lë gjithmonë një trishtim dhe boshllëk, por për ne që besojmë në Perëndinë, në Ngjalljen e Krishtit dhe në përjetësinë e shpirtit kemi një ngushëllim. Përkujtimi i Kryepiskopit të lumur Anastas, nuk është kthim nostagjik në të kaluarën, por është zgjedhje e vetëdijshme për të mbajtur të gjallë trashëgiminë që ai na la. …Ata që duam dhe i humbasin nuk janë aty ku ishin më parë, ata tani janë kudo ku jemi ne. Ne e ndiejmë praninë e tij, dhe kjo na jep shpresë, kurajë dhe lehtësim, theksoi Kryepiskopi Joan.

Pas Liturgjisë Hyjnore u krye Shërbesa e Përshpirtjes në kriptin ku prehet trupi i Kryepiskopit të lumur Anastas.

I përjetshëm qoftë kujtimi i Atit dhe Kryebariut tonë, Anastas!


Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

Διαδώστε: