21 Μαΐου, 2026

Pjesëmarrja e Mitropolitit të Korçës Anastasit, në kremtimin e festës së Ngjitjes së Zotit në Qiell në Katerini

Διαδώστε:

Me ftesë të Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Katerinit, Gjeorgjit, Mitropoliti i Korçës, Anastasi, mori pjesë në kremtimin solemn të festës së madhe të Ngjitjes së Zotit në Qiell, në Katedralen e qytetit të Katerinit e cila mban këtë emër.

Në këtë kremtim morën pjesë edhe hierarkë të nderuar të Kishës Orthodhokse, ndër të cilët: Mitropoliti Jeron i Qesarisë, Theofilakti, i Patriarkanës së Aleksandrisë, si edhe Mitropoliti i Fanariut Agathangjel, Drejtor i Apostoliki Diakonia të Kishës së Greqisë.

Prania e hierarkëve nga Kisha të ndryshme Orthodhokse dëshmoi edhe një herë frymën e unitetit, dashurisë dhe bashkëpunimit vëllazëror që karakterizon jetën e Kishës, veçanërisht në kremtimet e mëdha të saj.

Sot në mëngjes u kremtua Liturgjia Hyjnore, e kryesuar nga Mitropoliti i Fanariut Agathangjeli, në bashkëmeshim me Mitropolitin e Korçës Anastasin dhe Mitropolitin vendas Gjeorgjin.

Në një shprehje të bukur të unitetit kishtar dhe respektit ndaj pranisë së pjesëmarrësve nga Shqipëria, Liturgjia Hyjnore u krye pjesërisht edhe në gjuhën shqipe, duke krijuar një atmosferë të veçantë shpirtërore dhe vëllazërore për besimtarët e pranishëm.

Pas përfundimit të shërbesave, pjesëmarrësit patën mundësinë të shkëmbenin përshëndetje vëllazërore dhe të ndanin mendime mbi misionin dhe dëshminë e përbashkët të Kishës në botën bashkëkohore.

“Perëndia u ngjit me brohori, Zoti me zë trumbete” (Ps. 46:5), duke i ftuar të gjithë besimtarët që, së bashku me Krishtin e Ngjitur në lavdi, të lartësojnë zemrat dhe mendjet drejt qiellit.

Mitropolia e Shenjtë Korçë

Διαδώστε: