05 Δεκεμβρίου, 2019

Populli grek në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti

Διαδώστε:

Pas tërmetit shkatërrimtar që mori 51 jetë, plagosi qindra të tjerë dhe la pa strehë mijëra njerëz, menjëherë u shfaq një solidaritet i jashtëzakonshëm. Dhe jo vetëm brenda vendit, por edhe nga i gjithë rajoni, nga Evropa dhe më gjerë.

Ndër të parët që shprehën ngushëllimet, mbështetje dhe u mobilizuan për të mbledhur ndihma ishin vendet fqinje, ku strukturat kishtare ishin ndër të para që bënë fushata e mblodhën sendet më të nevojshme. Kështu, veproi edhe Kryepiskopta e Kishës Orthodhokse të Greqisë dhe mjaft Mitropoli, që iu bashkuan një reagimi më të gjerë nga populli grek në ndihmë të fqinjëve.

Kështu, në fushatën e zhvilluar në të gjithë Greqinë, që mori emrin “Të gjithë bashkë mundemi”, ku kishat lokale luajtën rol parësor, u mblodhën më shumë se 200 tonë ndihma të të gjitha llojeve; ushqime, veshje, batanije dhe sende të nevojës së parë, të cilat tani kanë nisur të vijnë në vendin tonë.

Mjaft domethënëse ishte edhe fushata për mbledhjen e ndihmave e hapur nga televizioni shtetëror ERT, për të mbështetur njerëzit që vuajnë nga pasojat e tërmetit. Nga dita e mërkurë, 4 dhjetor, nisi një transmetim të jashtëzakonshëm për këtë qëllim, drejtuar nga dy personazhe të njohura të ekranit.

Gjatë transmetimit, pati edhe një intervistë të drejtpërdrejtë me Kryepiskopin Anastas, i cili bëri thirrje për solidaritet në këto çaste të vështira dhe foli për punën që po bën Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, për strehimin dhe ndihmën ndaj atyre që humbën gjithçka nga tërmeti.

Linja mbështetëse që u hap gjatë transmetimit do të qëndrojë aktive deri në mesnatën e së dielës, 8 dhjetor 2019.

Në studio, njerëz nga të gjitha sferat e jetës dhe përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Greqi folën për ndikimin e tërmetit shkatërrues në jetën e përditshme dhe ekonominë e vendit dhe përçuan mesazhe miqësie midis dy popujve.

 

facebook.com/koash1991

Διαδώστε: