Apostull Pavli u drejtohet me këto fjalë njerëzve, të cilët e kishin njohur tashmë të vërtetën e krishterimit, dhe i bind ata të largohen plotësisht nga gënjeshtra, kaq shumë e përhapur në të gjitha kohërat. Dhe kështu, siç duket, edhe pas kësaj letre, shpirti i njeriut nuk e hedh menjëherë dhe pa mundim këtë gënjeshtër nga vetja, gënjeshtër, me të cilën mbështillet, si me një veshje të zakonshme. Ne vazhdimisht shkëmbejmë fjalë boshe, ne pa dashur tërhiqemi nga pamja e jashtme, ne e gënjejmë njëri tjetrin, duke u dhënë një rëndësi të jashtëzakonshme bisedave të zakonshme dhe, nën pretekstin e dashamirësisë, ne flasim shumë gjëra të tepërta. Dhe jo vetëm në fjalët tona, por edhe në shikimet, në vetë ndjenjat e mendimet, sa keq, rrallë takohet e vërteta e pakushtëzuar. Në të gjitha gjykimet tona përzihet diçka e panatyrshme, së cilës ne i japim emërtimin e sjelljeve të hijshme mendore; ne gjithçka e shikojmë me sytë e paragjykimeve të pranuara, duke iu dhënë shumë rrallë prirjeve të zemrës sonë. Sa rrallë ne mendojmë dhe ndiejmë në mënyrë të drejtë! Sa herë, në kundërshtim me këshillën e ndërgjegjes sonë, në kundërshtim me Fjalën e Perëndisë, ne kënaqemi në sjelljet tona vetëm me një ndershmëri të përafërt; sa shpesh me fjalët tona ne shtrembërojmë dhe mbulojmë të vërtetën!
Megjithatë, që të meritojmë emrin e bijve të Perëndisë, është e domosdoshme gjithmonë dhe në gjithçka ti përmbahemi me vendosmëri Ligjit të lartë, i cili nuk lejon qëndrimin me dy faqe në asnjë gjë.
E vërteta duhet të gjendet në themel të çdo mendimi tonë, të na udhëheqë në çdo hap të rrugës së jetës.
