Kisha e Apostull Pavlit
Rrushkull, Durrës, 29 qershor 2026
Gëzohem që meshoj në këtë kishë sot në ditën e festimit të dy apostujve Shën Pjetrit dhe Shën Pavlit. Mësimi nga jeta e tyre është shumë i rëndësishëm. Ne i lexojmë jetët e shenjtorëve jo si biografi, por si mësim, si përjetim i tyre. Ikona e shenjtorit nuk është thjesht portret, është diçka që e kapërcen atë. Ajo kthehet në një dritare për të komunikuar me dimensionin e jetës së përjetshme. E njëjta gjë është dhe me jetët e shenjtorëve. Ato janë vazhdimi i akteve të apostujve nga të cilët ne mësojmë, ndriçohemi dhe përpiqemi që t’i ndjekim pas. Shumë Pavli që përkujtojmë sot thotë fjalë shumë të rëndësishme: “Bëheni imituesit e mi siç unë jam i Krishtit” (1 Kor.11:1). Ata patën Krishtin si model dhe u modeluan sipas Tij. Dhe ne duke mësuar rreth jetës së tyre fillojmë të modelohemi sipas tyre dhe i afrohemi realisht ikonës së Krishtit. Çdo njeri është krijuar sipas ikonës së Perëndisë. Ky është besimi i krishterë dhe mbi këtë mbështetet gjithë antropologjia e krishterë mbi njerëzimin. Njeriu u krijua sipas ikonës së Perëndisë, por ra dhe ringritja erdhi pikërisht nga Mishërimi i Zotit, Ngjitja e tij në Qiell dhe dërgimi i Shpirtit të Shenjtë, i Cili i ndryshoi njerëzit. Të dy apostujtë korifej na japin disa gjëra shumë të rëndësishme. Së pari na japin unitetin në Kishë. Ata të dy nuk ishin njësoj. Shën Pjetri ishte njeri i pashkolluar, peshkatar, i thjeshtë, por me zemër shumë të madhe dhe me besim shumë të madh. Shën Pavli ishte shumë i shkolluar, i mësuar nga mësuesit më të mirë, farisenj në atë kohë, siç ishte Gamalieli. Ai ishte njeri i letrave. Kur lexon letrat e tij kuptohet se sa i thellë ishte ai në mendime dhe në çdo gjë tjetër. Megjithatë, të dy këta apostuj përfaqësojnë atë që është Kisha. Ajo është uniteti i të gjithë njerëzve. Njerëzit nuk janë njësoj, se Zoti nuk krijon kopjo, po kërkon unitet me njëri-tjetrin. Zoti nuk kërkon uniformitet. Diktaturat kërkonin uniformitetin, ku të gjithë mendonin njësoj. Madje në disa vende bëhej edhe qesharake, se njerëzit duhet të visheshin të gjithë njësoj. Ndërsa Zoti e ka krijuar çdo njeri të papërsëritshëm. Asnjë njeri nuk është si tjetri dhe kjo tregon dashurinë e madhe të Zotit për çdo person. Që Kisha të qëndrojë duhet pikërisht uniteti. Dhe uniteti është në besimin e përbashkët. Ata ishin njerëz të ndryshëm, por të bashkuar me njëri-tjetrin.
Historia e Shën Pjetrit është shumë e bukur. Jeta e tij ishte e mbushur me gjëra të ndryshme. Ai pati momente dobësie, sepse edhe shenjtorët kishin momente dobësie, por ata nuk qëndruan në dobësi, e kapërcyen atë. Çdo njeri i rritur, nëse bie nuk duhet të qëndrojë në vend, por ai duhet të ngrihet dhe të vazhdojë përsëri. Fëmijët kur rrëzohen qëndrojnë në vend dhe qajnë. Njerëzit e rritur sa herë që mund të gabojnë duhet të pendohen dhe të vazhdojnë përsëri. Në një moment të caktuar Pjetri që e donte aq shumë Zotin e mohoi, sepse u tremb nga një njeri. Megjithatë, ai u pendua. Pendimi i Pjetrit është një pendim i thellë dhe i sinqertë, sepse pendimi nuk është vetëm të kuptosh që ke bërë një gabim. Pendimi është të kuptosh thellë që ke prishur një marrëdhënie me një person tjetër. Prandaj dhe Pjetri u pendua aq thellë dhe Zoti e fali. Dhe jo vetëm që e fali, por prania e Shpirtit të Shenjtë e shenjtëroi atë. Kjo tregon që njerëzit mund të restaurohen. Sado gabime që të bëjnë, përsëri mund të restaurohen.
Shën Pavli e filloi jetën si një nga persekutuesit kundër Kishës. Megjithatë kur iu shfaq Zoti, ai ndryshoi krejtësish dhe u bë ena e zgjedhur e Krishtit për ta përhapur Ungjillin kudo. Sot dëgjuam vargun nga Psalmet: “Zëri i tyre shkoi në të gjithë botën dhe fjalët e tyre u përhapën në skajet e të gjitha anëve të dheut”, sepse këta dy persona ishin shtyllat e Kishës në përhapjen e Krishterimit. Shën Joan Gojarti ka shkruar një homeli shumë të bukur kushtuar dy korifenjve, një homeli poetike, e bukur, e cila edhe pse është shumë e vjetër, ajo vazhdon të përdoret në Kishë. Madje kur e lexon atë befasohesh nga aktualiteti i saj. Shën Joan Gojarti në këtë homeli thotë që askush më përpara nuk ka qenë si këta dy persona dhe askush nuk do jetë si këta të dy, sepse ata patën fuqinë për ta përhapur Krishterimin kudo nëpërmjet vuajtjeve, persekutimeve, torturave dhe burgosjes. Gëzimi që ata kishin nga Misteri i Ngjalljes e kapërcente çfarëdolloj vështirësie. Këtë bën Krishterimi: Ai na mëson të kuptojmë Kryqin, i cili ishte një simbol poshtërimi, vdekjeje dhe Zoti e ktheu atë në bekimin më të madh. Kryqi nuk është fundi, ai është thjesht mjeti, se fundi është Ngjallja. Apostujt e kuptuan këtë gjë dhe e përjetuan, prandaj ata nuk trembeshin as nga njerëzit, as nga persekutimet, as nga burgosjet, as nga sharjet, as nga shpifjet dhe nga asgjë. Ne prekemi shumë nga këto gjëra, sepse jemi të dobët dhe nuk e kemi kuptuar Misterin e Kryqit. Çdo gjë që vjen kundër nesh nga jashtë, nëse ne jemi me Zotin nga brenda, nuk do të na bëjë asnjë dëm, por do të kthehet në të mirën tonë. Prandaj shën Pavli shkruan te Letra drejtuar Romakëve që çdo gjë bashkëvepron për të mirë për ata që e duan Perëndinë (Rom. 8:28) . Nëse e duan Perëndinë, kjo do të thotë që në zemrën tonë ka lindur një dritë shumë e madhe. Në Shërbesën e Mëngjesores u lexua pikërisht episodi kur Zoti e pyet shën Pjetrin tre herë dhe i thotë: Simon, biri i Jonait, a më do më shumë se këta të tjerët? Dhe ai përgjigjet: Po, o Zot të dua. Pastaj Zoti i thotë: Kullot delet e mia. (Jn. 21:15-17)
E përmendim vazhdimisht këtë episod, sepse njerëzit që nuk duan Zotin, nuk duan as njerëzit. Vetëm ata që duan Perëndinë, i duan edhe njerëzit, dhe ata mund të marrin përgjegjësi për t’i mësuar dhe drejtuar njerëzit në shpëtim. Kjo ndodh gjithmonë. Nëse ne nuk kemi dashuri për Zotin, nuk kemi dashuri për njerëzit. Madje sot që njerëzit janë larguar nga Zoti, janë larguar edhe nga njëri-tjetri. Madje dhe brenda familjeve nuk ka më dashurie; çdo ditë vrasje, gjyqe kundër njëri-tjetrit, sharje, sepse nëse nuk duam Zotin, nuk duam as njerëzit. Shën Pjetri ishte njeri që e donte Krishtin më shumë se sa të gjithë të tjerët. Prandaj dhe Zoti i ngarkoi atij një barrë shumë të rëndë për të përhapur Ungjillin kudo. Ai shkoi në Antioki, në Romë, ndoshta ka kaluar në të gjithë Ballkanin. Edhe shën Pavli bëri të njëjtën gjë. Ai e përhapi Ungjillin kudo, duke predikuar në Palestinë, në Siri, në Azinë e Vogël, në Ballkan. Tradita thotë që edhe kishën e Durrësit e themeloi i pari shën Pavli. Pastaj ai vuri si peshkop të parë shën Qesarin dhe të dy dhanë jetën në Romë. Shën Pjetrin e kryqëzuan, sepse nuk ishte qytetar romak. Kryqi në atë kohë ishte shenjë poshtërimi dhe kryqëzoheshin vetëm kriminelët, skllevërit dhe ata që nuk ishin qytetarë romakë, sepse ligji romak e ndalonte kryqëyimin e qytetarëve roamkë. Prandaj nuk e kryqëzuan shën Pavlin, por i prenë kokën, ndërsa Pjetrin e kryqëzuan. Shën Pjetri para kryqëzimit tha diçka shumë të thellë: “Unë nuk jam i denjë të kryqëzohem si Zoti me kokën lart. Më kryqëzoni me kokën poshtë”. Kjo tregon dashurinë e tij të madhe për Zotin.
29 Ιουνίου, 2026
Predikim nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan, në të kremten e Protokorifejve Petro dhe Pavli
Διαδώστε:

Διαδώστε: