14 Μαΐου, 2026

Predikime & Reflektime E DIELA E GRUAS SAMARITANE – MITROPOLITI I APOLLONISË DHE FIERIT HIRËSI NIKOLLA, 10 MAJ 2026

Διαδώστε:

Të rastësishmet në jetën tonë!
Krishti u Ngjall!
Ka shumë gjëra, të dashur besimtarë, që janë të ditura dhe të përditshme në jetën tonë: në shkollë, në punë, detyrime në familje apo punët dhe zakonet të përditshme. Por ka edhe disa ngjarje që janë të papritura, të cilat nuk i kemi menduar se do të ndodhin në jetën tonë. A janë këto gjëra të rastësishme?
A ishte një rastësi ajo që dëgjuam në pjesën e Ungjillit të sotëm, që i referohet takimit të Zotit me gruan samaritanе? Pse pikërisht Zoti do të kalonte në Samari? Si është e mundur të kalonte pikërisht në atë vend? Pse do të qëndronte në atë moment te pusi i Jakovit, kur do të vinte gruaja samaritanе? Pse Zoti i kërkon ujë gruas samaritanе? Edhe shumë pyetje të tjera që mund të bëjmë. A mund të ishin një rastësi takimi dhe biseda e Zotit me gruan samaritanе? Sigurisht që jo.
Ashtu siç nuk është asgjë e rastësishme në jetën tonë, edhe ky takim nuk ishte rastësi. Gjithë krijimi nuk është një rastësi, vetë njeriu nuk është krijuar rastësisht. Të gjitha u krijuan nga dashuria e madhe e Perëndisë, si një dhuratë e Perëndisë, e krijuar me shumë urtësi. Të gjitha ato që ndodhin në historinë e njerëzimit nuk janë të rastësishme. Zoti kujdeset për gjithçka që ndodh brenda historisë së njerëzimit. Ai, me shumë urtësi, përgatit popullin për ardhjen e Mesisë. Me shumë urtësi sjell Birin e Tij në historinë njerëzore, që të jetojë bashkë me njeriun dhe të përmbushë misionin e Tij. Krishti mëson, predikon dhe përmbush gjithë veprën e Tij shpëtimtare me vdekjen dhe Ngjalljen e Tij. Me shumë urtësi, Perëndia dërgon Shpirtin e Shenjtë që të vijë mes nesh në Pentikosti dhe te secili prej nesh ditën që pagëzohemi.
Të gjitha këto nuk janë të rastësishme; kanë një urtësi shumë të madhe të Perëndisë brenda tyre. Dhe pse ndodhin gjithë këto gjëra jo të rastësishme, të mirëmenduara me shumë urtësi nga Perëndia? Cili është qëllimi i tyre? Cili është qëllimi i takimit të Zotit me gruan samaritanе?
Pikërisht, Zoti e dinte potencialin që ajo kishte në zemrën dhe shpirtin e saj, i shfaqejt asaj, i tregon se Ai është Mesia, Shpëtimtari, që priste populli i Izraelit dhe gjithë njerëzimi.
Dhe çfarë bën ajo? E lë enën e saj, për të cilën kishte ardhur të mbushte ujë edhe vrapon t’i thotë popullit të Samarise: “Ejani të shikoni! Dikush më tha gjithçka nga jeta ime. Mos është vallë Ai Mesia, Shpëtimtari?”
Dhe Samaritanët besojmë se Krishti është Mesia, Shpëtimtari i botës. Besojnë sepse e dëgjuam me veshët e tyre , besuan se , Ai është Mesia, Shpëtimtari.”
Gjithçka që zhvillohet, pra, ka si qëllim që jo vetëm gruaja samaritanе, por të gjithë samaritanët dhe gjithë njerëzimi, të takojnë Zotin. Ky është qëllimi i gjithë gjërave jo të rastësishme që ndodhin në jetën tonë.
Zoti ka mënyra të pafundme për të na treguar kush është Ai dhe për të na afruar pranë Tij. Janë të pafundme mënyrat me të cilat na afron Zoti: qoftë përmes vështirësive tona familjare, në shkollë, në punë, në sfida ekonomike, në sëmundje, dhimbje apo humbje. Të gjitha këto nuk janë të rastësishme, por janë pjesë e planit të mirëmenduar të Perëndisë, që ne të afrohemi tek Ai dhe Ai të bëhetpersoni më i dashur për ne.
Zoti i thotë samaritanes: “Po të dije kush është Ai që po të flet dhe po të dije dhuratën e Perëndisë, do të kërkoje prej Tij dhe Ai do të të jepte ujë të gjallë, ujë që gufon jetë të përjetshme. Pikërisht këtë do Zoti për secilin prej nesh: të na japë ujin që gufon jetë të përjetshme dhe gëzim të përjetshëm brenda qenies sonë. Dhe jo vetëm në përjetësi, por edhe këtu në jetën tonë tokësore.
Sa herë që e takojmë Zotin në lutjen tonë, në pendimin tonë, në kërkesat tona, në kreshmën tonë, në bamirësinë tonë, në ardhjen dhe lutjet në kishë, në Kungimin Hyjnor, ne marrim pikërisht ujin e gjallë të Perëndisë.

Ka njerëz që e shikojnë ujin dhe thonë: “Sa i bukur, sa i shijshëm”, por vetëm e shikojnë dhe nuk e pijnë. E privojnë veten nga uji i gjallë që na jep Perëndia. Dhe këtë e bëjmë edhe ne që jemi të pagëzuar, kur nuk përgatitemi për të marrë Kungimin me Trupin dhe Gjakun e Krishtit.
Kjo histori, të dashur besimtarë, na tregon që nuk duhet të dorëzohemi në sfidat e shumta që do të kemi në jetën tonë, qofshin ato të pritshme apo të papritura. Duhet të dimë që Zoti i lejon të gjitha me urtësinë e Tij, që të na mbajë të gjallë në burimin e jetës, pranë Tij.
Dhe në këto momente mund të themi: “Po, Zoti ka një arsye pse e lejon këtë sfidë në jetën time. Unë do të bëj durim dhe Zoti do të më japë forcë. Kjo është për të mirën time dhe Zoti do të më ndihmojë ta kaloj këtë. Kjo do të më bëjë më të fortë, më të lidhur me Zotin dhe do ta ndiej më tepër dashurinë dhe praninë e Tij.”
Ashtu si gruaja samaritanе e pranoi Zotin dhe i dha jetën e saj, kështu edhe ne, në sfidat që do të kalojmë, le të themi: “Po, unë do të vazhdoj ta dua Zotin se pavarsisht vështirësive Ai më do me të vërtetë, dhe do të bëjë gjithçka për të mirën time.” Amin!
Nga predikimi i Mitropolitit të Apollonisë & Fierit, Nikolla, datë 10/05/2026.

 

media.ngjallja.org

Διαδώστε: