Ikona “Shën Maria në Fron” vjen nga fshati Sinicë i Korçës dhe nga mbishkrimi në pjesën e poshtme në të majtë mësojmë se është pikturuar nga Ioan. K. Zografi nga Litohori në vitin 1870.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar bën të ditur se ajo është punuar në një panel i cili është në formë gjysmë harku në pjesën e sipërme.
Duke gjykuar nga përmasat dhe subjekti ajo duhet të ketë qenë ikonë e një ikonostasi. Virgjëresha paraqitet e ulur në një fron të artë të gdhendur me motive floreale dhe mban në prehër Krishtin fëmijë i cili ka në dorën e majtë një Ungjill të hapur.
Shën Maria ka veshur mafor të purpurtë dhe dhe poshtë një hiton në ngjyrë umbra. Në kokë ajo mban kurorën e lavdisë. Krishti fëmijë ka veshur hiton të gjelbër dhe himation të kuq. Në sfondin e artë shihën re dhe rrezet që përhapen nga kurora e Virgjëreshës të cilat evidentojnë atributin e saj si Zonjë e Qiejve.
