11 Απριλίου, 2020

Shenjtori i ditës

Διαδώστε:

E shtunë, 11 prill 2020 – Shenjtori i ditës.
JEMI NË KRESHMËN E MADHE TË PASHKËS

Ngjallja e Llazarit.
Hierodëshmor Antipa. Dëshmorët Prokesi, Martiniani. Oshënaret Trifena, Matrona.

– Ngjallja e Llazarit –

Këtë të shtunë nderojmë ngjalljen e Llazarit prej Jisu Krishtit. Llazari ishte shok i Krishtit dhe motrat e tij, Marta dhe Maria, e mikprisnin në shtëpinë e tyre shumë herë, e cila ndodhej në Vithani afër Jerusalemit. Disa ditë përpara pësimeve të Krishtit, Llazari u sëmur dhe të motrat e tij lajmëruan Zotin Krisht, i cili ndodhej në Galile që ta vizitonte. Por Zoti Krisht ndenji aty deri sa vdiq Llazari edhe atëherë u tha nxënësve të tij që të shkonin ta zgjonin.

Kur mbërriti në Vithani mori vesh prej motrave të Llazarit se ai kishte vdekur prej katër ditësh edhe kërkoi prej tyre që të shikonte varrin e tij. Kur arriti në varr qau edhe kërkoi që t’i hiqnin gurin e varrit. Atëherë ngriti sytë prej qiellit, falënderoi Perëndinë dhe Atin, dhe me zë të lartë thirri: Llazar, dil jashtë. Menjëherë doli jashtë i mbështjellë me pëlhura, prej katër ditësh në varr, përpara turmës së njerëzve, që shikonin ç’po ndodhte. Edhe Jisui kërkoi që ta lirojnë nga pëlhurat dhe të shkojë në shtëpi.

Tradita e vjetër na thotë se Llazari ishte 30 vjeç, dhe jetoi edhe 30 vjet të tjera. Ai mbaroi jetën e tij në Qipro, në vitin 63 pas Krishtit. Varri i tij në qytetin e Kition shkruan: “Llazari i katërditshmi dhe mik i Krishtit”. Në vitin 890 pas Krishtit lipsani i tij u transferua në Konstandinopojë nga perandori Leoni i Dituri.

Tradita na thotë se karakteristika që e dallonte Llazarin pas ngjalljes është se ai nuk qeshi asnjëherë, vetëm kur pa një njeri, i cili po vidhte një qyp balte dhe tha: “Balta po vjedh baltën”.
Gjatë kësaj dite nuk bëhen përkujtimore të fjeturish me grurë, por vetëm Trisai.

* * * * *

– Hierodëshmor Antipa –

Hieromartiri i shenjtë dhe i lavdëruar Antipa ishte bashkëkohës i apostujve dhe u caktua nga ata në krye të Kishës së Pergamit. Në kohën e persekutimit të Domicianit (viti 83), episkopi i shenjtë, shumë i moshuar, u kap nga paganët, të cilëve demonët u kishin zbuluar se nuk mund t’i pranonin më flijimet pagane, pasi lutja e Antipas po i dëbonte nga qyteti. Shenjtorin e çuan me forcë para guvernatorit, i cili fillimisht u përpoq ta bindte që të mohonte besimin e krishterë, me pretekstin se kulti i idhujve është më i vjetër dhe më i respektuar sesa kjo fe e re që predikohet nga peshkatarët dhe njerëzit e thjeshtë. Shën Antipa iu përgjigj, duke i kujtuar historinë e Kainit, i cili edhe pse ishte një nga stëretërit e gjinisë njerëzore, megjithatë mbetet i urryer dhe i përbuzur për shkak të vrasjes së vëllait. Në të njëjtën mënyrë, besimet dhe kultet e helenëve, edhe pse kanë qenë më të vjetra në kohë, nuk janë më pak të papranueshme për të krishterët, që, tashmë kanë marrë zbulesën e plotësisë të së Vërtetës.

Kur i dëgjuan këto fjalë, guvernatori dhe paganët e pranishëm u tërbuan dhe e hodhën shenjtorin në një furrë bronzi në formë demi, të skuqur nga zjarri. Brenda saj, shën Antipa i bëri Zotit lutje të zjarrtë dhe e falënderoi që e bëri të denjë të vuante për të dëshmuar, se dashuria e Perëndisë është më e fortë se vdekja. Ai iu lut Krishtit që, atyre që thërrasin emrin e tij, t’u japë shërimin nga sëmundjet, në veçanti nga dhimbjet e dhëmbëve dhe të gjithë ata që kremtojnë me zell kujtimin e tij të përvitshëm, të marrin faljen e mëkateve dhe dashamirësinë hyjnore në ditën e Gjyqit. Pasi e mori këtë dhuratë, e dorëzoi shpirtin në duart e Zotit. Trupi i tij u varros në kishën e Pergamit dhe nga varri i tij për shumë vjet buronte miro me veti shëruese, për ngushëllimin e të krishterëve të qytetit dhe të pelegrinëve të shumtë, që vinin nga të gjitha anët për ta nderuar.

Disa vite pas martirizimit të shën Antipës, shën Joan Ungjillori dëshmoi për të në emër të Krishtit në Apokalipsin e tij, duke thënë: “Edhe engjëllit të kishës në Pergamë shkruaji: Këto thotë ai që ka shpatën e mprehtë me dy tehe: I di punët e tua, edhe ku banon, atje ku është froni i satanait; edhe mban fort emrin tim, edhe nuk mohove besën time, edhe në ato ditë që ishte Antipa, dëshmitari im besnik, i cili u vra ndër ju, atje ku banon satanai” (Zbul. 2:12-13).

 

facebook.com/koash1991

Διαδώστε: