03 Μαΐου, 2020

Shenjtori i ditës

Διαδώστε:

E Diel, 3 Maj 2020 – Shenjtori i ditës
KRISHTI U NGJALL!

E Diela e Miroprurëseve. Dëshmorët Timoteu e Maura. Ikumeni, çudibërës.

KRISHTI U NGJALL!

– E Diela e Grave Miroprurëse –

E Diela e tretë mbas Pashke i kushtohet Grave Miroprurëse, të cilat u kujdesën për trupin e Shpëtimtarit në vdekjen e Tij dhe ishin dëshmitaret e para të Ngjalljes së tij. Sot kujtohen edhe Nikodhimi dhe Josifi nga Arimathea, që ndihmuan momentet pas vdekjes së Krishtit dhr varrimit.

Të tre troparet e të Premtes së Zezë këndohen përsëri dhe formojnë temën e ditës:
“Bujari Josif, pasi e zbriti trupin tënd prej Kryqit të Çmuar, e mbështolli me një savan të paqmë, e leu me vajëra erëmirë dhe e vuri në një varr të ri.”

“Zbrite në vdekje dhe në varr për ne, ti o jetë e pavdekshme, Ferrin të vdekur e shtrive kur ndriçove si Perëndi.”

“Një engjëll u qëndroi para grave myrrëprurëse dhe iu tha: Myrra është e përshtatshme për të vdekurit, por Krishti e tregoi veten të çliruar nga prishja! Prandaj shpallni: Zoti u ngjall dhe i fal botës mëshirë e shpëtim.”

* * * * *

– Dëshmorët Timoteu e Maura –

Ishin bashkëshortë në Tebë të Egjiptit dhe u martirizuan në vitin 286.
Timoteun, që ishte anagnost (lexues) në kishë dhe predikues i besimit, pa mbushur 20 ditë nga martesa e tyre, e kapën dhe e urdhëruan të dorëzonte librat e shenjtë.
Kur ai refuzoi, sovrani i nguli hekura të skuqur në veshë sa i dolën sytë nga vendi. Pastaj e torturuan me “rrotën” dhe, sa herë ajo rrokullisej, thikat poshtë saj shponin trupin e tij. U shërua nga Krishti, por arkondi u inatos: i mbushën gojën me copa lecke si fre, i lidhën në qafë një gur të rëndë dhe e sillnin vërdallë për ta poshtëruar, e varën kokëposhtë. Pastaj e burgosën.

Atëherë tirani solli Maurën. I bëri lajka, i kujtoi rininë e saj të njomë, martesën që kishte shumë pak kohë që kishte ndodhur dhe e këshilloi të zbukurohej e të shkonte ta konvertonte burrin e saj për ta shpëtuar.
E reja shkoi, por u kthye ajo nga ai! Kështu i rruan kokën për ta poshtëruar, i prenë gishtërinjtë, e hodhën në ujë të përvëluar. Meqenëse mbeti e paprekur, arkondi, për të verifikuar nëse uji ishte i nxehtë ose jo, i kërkoi ta spërkaste. Vërtet, uji që e spërkati i dogji lëkurën. I zemëruar, urdhëroi ta djegin me llambadhe.

Më në fund i kryqëzoi që të dy përballë njëri-tjetrit. Ata, duke inkurajuar njëri-tjetrin, dhanë shpirt pas 10 ditësh. Djalli i paraqiti me fantazi të kryqëzuarës që digjej nga etja, një gotë me mjaltë dhe qumësht dhe pastaj një lumë të tërë me të njëjtin lëng duke e nxitur të pinte. Por trimëresha e zmbrapsi. Atëherë një engjëll e ngjiti shpirtërisht në Qiell. I tregoi atje një fron të shndritshëm dhe një kurorë të përgatitur enkas për të, dhe të njëjtat gjëra, por më të shndritshme, për burrin e saj, shkaktarin e shpëtimit të saj.

Në një fshat të Zakinthit, ishull në detin Jon, ndodhet një ikonë e saj. Thuhet se shëroi të demonizuar dhe shmangi katastrofë të kishës si edhe të besimtarëve brenda saj, kur në ditën e festës së shenjtorëve në vitin 1801, shpërtheu brenda në kishë një baule me barut.

facebook.com/koash1991

Διαδώστε: