13 Μαρτίου, 2021

Shenjtori i ditës: Transferimi i lipsanit të Niqiforit të Konstandinopojës – Hierodëshmor Publi

Διαδώστε:

E shtunë, 13 mars 2021 – Shenjtori i ditës.

TASHMË DERI PËR PASHKË NUK KONSUMOJMË MISH DHE PRODUKTET E TIJ. (Këtë javë mund të konsumojmë bulmet dhe peshk).

KRESHMA E PLOTË FILLON PASNESËR NË DT.15 MARS.

Transferimi i lipsanit të Niqiforit të Konstandinopojës. Hierodëshmorët Mario, Publi. Oshënar Geraldi.

– Transferimi i lipsanit të Niqiforit të Konstandinopojës –

Kur shën Metodi (14 qershor), u ngjit në fronin episkopal të Konstandinopojës pas shkarkimit të Joanit, patriarkut heretik (842), ai iu drejtua perandorit Mihail dhe nënës së tij, perandoreshës Theodhora (11 shkurt), duke u thënë se nuk ishte e drejtë që të lihej në mërgim trupi i patriarkut të shenjtë Niqifor, i cili kishte mbrojtur me trimëri dogmën orthodhokse për nderimin e ikonave të shenjta dhe vdiq pas 14 vitesh të vështira internimi larg grigjës së tij shpirtërore. Perandoresha e pranoi kërkesën dhe dërgoi shën Metodin, bashkë me një numër të madh klerikësh e murgjish, në manastirin e Shën Theodhorit, ku para 19 vjetësh ishte varrosur shenjtori.

Ata e gjetën lipsanin të paprishur, e vendosën në një anije perandorake dhe e shoqëruan me psalme e himne. Kur anija mbërriti në port, e prisnin me qirinj të ndezur në duar perandori bashkë me Senatin, të cilët nderuan lipsanin e shenjtë. Më pas, duke e mbajtur mbi supe, e transportuan në kishën madhështore të Shën Sofisë, ku për nder të tij u krye agripni gjatë gjithë natës. Kur agripnia mbaroi trupin e shën Niqiforit e çuan në kishën e Apostujve të Shenjtë, për ta vendosur së bashku me perandorët dhe shenjtorët paraardhës.

 

 

* * * * *

– Hierodëshmor Publi –

Shën Publi u bë episkop i Athinës pak kohë pas shën Dionis Areopagjitit (3 tetor). Ai rrënjosi te populli një besnikëri të vërtetë ndaj traditave të apostujve dhe pësoi vdekje martirike për Krishtin gjatë persekutimit të Mark Aurelit (161-180). Në fronin episkopal të Athinës e pasoi Kodrati.

 

facebook.com/koash1991

Διαδώστε: