29 Μαΐου, 2026

Shkolla e Muzikës Bizantine vijon ciklin e ligjëratave kushtuar Joan Kukuzelit (Pjesa III)

Διαδώστε:

Në vijim të ciklit të ligjëratave kushtuar figurave të mëdha të Artit Psaltik, në Shkollën e Muzikës Bizantine u zhvillua një tjetër prezantim nga Ph.D.c Theodhor Peci kushtuar jetës shpirtërore dhe traditës hagjiografike të Joan Kukuzelit ( pjesa e tretë). Gjatë ligjëratës, studentët u njohën me elementët më të rëndësishëm të biografisë së shenjtorit, duke u ndalur veçanërisht në talentin e tij të jashtëzakonshëm vokal që në moshë të hershme, talent i cili i dha nofkën “zëengjëll” dhe çoi në dërgimin e tij në Shkollën Mbretërore të Konstandinopojës.

Në prezantim u theksua se Kukuzeli mori në kryeqytetin bizantin një formim të lartë muzikor dhe fitoi respektin e oborrit perandorak, por megjithatë zgjodhi të braktisë jetën e lavdishme pranë perandorit për t’iu kushtuar jetës asketike në Malin e Shenjtë Athos. Studentët u njohën me jetën e tij në manastirin e Lavrës së Madhe, ku u qeth murg dhe jetoi deri në fund të jetës së tij, duke u bërë një nga figurat më të ndritura të traditës monastike dhe muzikore bizantine.

Një pjesë e veçantë e ligjëratës iu kushtua traditës mrekullibërëse që lidhet me figurën e Kukuzelit. U trajtua ngjarja e monedhës së artë, e lidhur me ndërhyrjen mrekullibërëse të Hyjlindëses, si edhe episodi i shërimit të këmbëve të tij nga vetë Nëna e Zotit, ngjarje që zënë vend të rëndësishëm në traditën hagjiografike athonite. Gjithashtu u fol për ikonën e njohur “Kukuzelisa”, e cila lidhet drejtpërdrejt me shenjtorin dhe me traditën e Lavrës së Madhe.

Në vijim, studentët u njohën me vendet që ruhen të lidhura me kujtimin e tij në Malin Athos, si qelia e Kryeëngjëjve, shpella ku ai asketizoi për një periudhë të jetës së tij, si edhe lipsanet e shenjta që ruhen me nderim nga tradita monastike. Ligjërata u përmbyll me theksimin e nderimit që kisha orthodhokse i kushton Joan Kukuzelit si shenjtor më 1 tetor, duke e konsideruar atë jo vetëm një mjeshtër të madh të muzikës bizantine, por edhe një figurë të lartë të jetës shpirtërore orthodhokse.

media.ngjallja.org

Διαδώστε: