Bota moderne papritmas po përballet me tmerrin ekzistencial dhe frikën e vdekjes së pashmangshme, të pakuptueshme. Asnjë vaksinë apo antibiotik nuk mund të na shpëtojë për momentin. Për shkak se kjo përvojë ishte e panjohur për njerëzit modernë duke shkaktuar pasoja si nga ana shpirtërore, psikologjike dhe kulturore, nënkuptoj pandeminë aktuale të koronavirusit Covid-19.
Përballja me epidemitë nuk është e panjohur për Kishën e Shenjtë.
Përgjigja e Kishës së Shenjtë ndaj këtyre plagëve që shkaktojnë këto epidemi frymëzohet nga mësimet e Vet Zotit tonë: “Bëjuni të tjerëve ashtu siç do të donit t’ju bëjnë ata juve”; “Duaje të afërmin si veten tënde”; “Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për të afërmit e tij”.
E thënë qartë, etika e krishterë në një situatë të tillë konsideron se jeta jonë gjithmonë duhet të vlerësohet si më pak e rëndësishme se ajo e të afërmit tonë.
Gjatë periudhave të Murtajës në Perandorinë Romake, Të Krishterët habitën me reagimin e tyre botën Pagane. Historianët sugjerojnë se Murtaja Antoniane ose e njohur ndryshe si Murtaja e Galenit e shekullit të dytë pas Krishtit, që shfarosi ¼ e Perandorisë Romake, çoi në përhapjen e papreçedentë të Krishtërimit, për shkak se të Krishterët u kujdesën për të sëmurët dhe ofruan një model shpirtëror të padëgjuar më parë madje duke sakrifikuar veten e tyre për të shpëtuar jetën e atyre që i persekutonin pamëshirë.
Por epidemia më e njohur është Murtaja e Qiprianit, e shek III pas Krishtit, e cila mori emrin sipas Peshkopit të Kishës sonë Shenjtorit të madh, Shën Qiprianit, për shkak të predikimeve të tij të zjarrta që nxiste të Krishterët të linin mënjanë çdo lloj aktiviteti dhe të shërbenin ditë e natë pranë të sëmurëve . Pikërisht ky sakrifikim i të Krishterëve mahniti sërish botën Pagane që jetonte në errësirë. Shën Qiprini i këshillonte të Krishterët të pushonin së vajtuari ata që tashmë kishin humbur jetën, por të dyfishonin përpjekjet për tu kujdesur për ata që ende ishin gjallë. Historianët e kohës përshkruan se si të Krishterët – pavarësisht se e dinin se kjo do tu kushtonte jetën, afroheshin plot dashuri duke mjekuar dhe pastruar plagët e shkaktuara prej epidemisë.
Ky parim i përkujdesjes sakrifikuese po rishfaqet sërish në ditët e sotme. Le të përpiqemi në këto ditë të vështira që po kalon vendi, tu jemi pranë atyre që po vuajnë nëpër spitale dhe dergjen në shtëpi, pranë atyre që kanë mbetur vetëm, nënave dhe gjyshërve tanë që jetojnë diku pranë nesh, në lagjen tonë, në pallatin tonë, në qytetet dhe fshatrat tona. Le të shkojmë dhe të ndihmojmë të varfërit të cilët nuk kanë mundësi të sigurojnë bukën e përditshme, gjërat e domosdoshme për mbijetesë. Kjo është vepra më sublime që çdo i kreshterë i vërtetë duhet të bëjë në këto momente!
Nuk është kohë për demagogji por për veprim konkret!
“Duaje të afërmin porsi veten tënde”!
