26 Σεπτεμβρίου, 2022

“Si shkroi Ungjillin Shën Joan Theologu”?

Διαδώστε:

Mbetëm për shumë kohë këtu në Patmo dhe me çuditë e shumta që bëri Perëndia, me lutjet e apostullit Joan, besuan shumë njerëz tek Iisu Krishti. U pagëzuan pothuajse gjithë banorët e ishullit dhe u bënë të krishterë. Atëherë vdiq në Romë mbreti që e kishte dënuar dhe vendin e tij e zuri një tjetër.
Ai nuk i pengonte të krishterët të besonin tek Perëndia e vërtetë, Kur Joani pa se shumica e banorëve të ishullit ishin bërë të krishterë, vendosi të kthehemi në Efeso. Të krishterët duke qarë e lutnin të mos ikte, por Joani iu përgjigj: “Bijtë e mi. Krishti tek i cili besuat m’u fanit dhe më këshilloi të kthehem në Efeso dhe t’i ndihmoj edhe ata”. Duke parë të krishterët se ashtu duhej bërë, se ishte porosi e Krishtit, iu lutën e i thanë: “Nëse ati ynë shpirtëror, vendosi të bësh kështu me porosi të Krishtit, atëherë të lutemi që, sa na mësove me gojë, përsa ishim bashkë, të na i shkruash e t’i lexojmë shpesh, që të mbetemi besnikë në besën tonë”.
Atëherë Joani më mori, dolëm jashtë qytetit, në një vend që quhej “Pushimi”, dhe aty ndenjëm tre ditë me kreshmë të plotë dhe lutje. Ditën e tretë më thotë Joani: “Biri im, Prohor, shko në qytet dhe sill materialet që të shkruajmë” Unë e kreva porosinë dhe kur u ktheva më tha prapë: “‘Lëri këto , biri im, shko në qytet dhe ktheu pas dy dtësh” Dhe kur u ktheva pas dy ditësh, e gjeta në këmbë të falet dhe më tha: “Merre, biri im, letrën dhe bojën dhe rri pranë meje, nëtë djathtë. Por papritur u bë një rrufe dhe bubullimë e madhe sa u tund mali. Unë rashë nga frika si i vdekur në tokë.
Joani më ngriti, më vuri në të djathtë dhe më tha: “Sa gjëra të dëgjosh nga goja ime, t’i shkruash” Dhe filloi të më thotë kështu të gjithë Ungjillin. Pasi e mbaruam Ungjillin e sollëm në kishë. Atje e kopjuan në disa kopje të tjera dhe Joani urdhëroi: “Kopja e parë të mbetet në Patmo dhe të tjerat të shpërndahen nëpër kisha.”

Mitropolia e Shenjtë e Apollonisë dhe Fierit

 

Διαδώστε: