Shpresa së bashku me besën dhe dashurinë përbëjnë treshen e bekuar të jetës së çdo shpresëtari. Të tria këto virtyte të çmuara teologjike, shkruan një mendimtar bashkëkohor, u përkasin tri përmasave të kohës, domethënë të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes. “E shkuara është bota e besës, e ardhmja është horizonti i gjerë i shpresës dhe e tashmja është ara dhe arena e dashurisë”. Pra, shpresa i referohet të ardhmes. Le të përpiqemi të analizojmë se ç’është shpresa dhe përse na duhet në jetën tonë të përditshme.
Shpresa është pritja e artë e shpirtit, dëshira e njeriut për të shikuar ëndrrën e tij të realizuar. Të gjithë ne jetojmë duke vështruar të ardhmen. Me shpresën e begatisë bujku i beson tokës farën. Me shpresën e shërimit i sëmuri merr ilaçet e tij dhe duron dhimbjet e veta. Me shpresën e suksesit rinia lundron në detin e jetës, duke u ndeshur me dallgët. Me shpresën e vendosjes së drejtësisë të gjykuarit, të akuzuarit, mund të ngrenë kryqin e tyre. Pa shpresën nuk do të ishte e mundur ta ngrenë këtë barrë të rëndë. Pa shpresën jeta do të ishte një mundim, një dhimbje dhe një torturë e padurueshme.
Rëndësinë jetësore të kësaj dhurate shumë të çmueshme mund ta vlerësojmë edhe më tepër, nëse u hedhim një sy atyre që jetojnë larg Zotit “pa pasur shpresë dhe të pa perëndi në botë”. (Efes: 2, 12).I ndiqni ata. Të thithur nga kujdesi për jetën, skllevër të të mirave materiale, e kufizojnë ekzistencën njerëzore në 50-të, 70-të, 90-të vite të jetës së tyre tokësore, duke mos besuar dhe mos shpresuar në jetën e amshuar. Prandaj, kur përballen me vdekjen e personave të dashur, bien në dëshpërim. Madje këta ecin pa shpresë drejt jetës së përkohshme. E madhe është agonia e tyre. As një rreze shprese, që i pret përjetësia. Jetojnë momente të ashpra, kur për ata qielli është i mbyllur, dheu nuk ekziston. Por edhe në ato të pakta vite të kësaj jete, që e rrethojnë njeriun: dhimbje dhe vështirësi, fatkeqësi të shumë–llojshme dhe e sulmojnë: padrejtësi, shpifje, persekutime, “ata që s’kanë shpresë”, nuk kanë bazë ku të mbështeten. Bazohen në fuqitë vetjake. Por, vënë re se kjo nuk mjafton. Vijnë momente, të cilat kërkojnë një mbështetje dhe nuk e gjejnë dot. Sepse s’kanë shpresën e tyre te Zoti i qiellit dhe i dheut, që jep ngushëllimin, paqen, guximin dhe fuqinë për të ngritur kryqin e tyre. Dhe atëherë tronditen si anijet, që nuk kanë spirancë.
Perëndia i tërëmirë, Krijuesi ynë u kujdes të na furnizojë neve, që përshkojmë detin e jetës, me diçka që është e domosdoshme për të gjitha anijet: Me spirancën. Kjo spirancë, që quhet shpresë, është absolutisht e domosdoshme, nëse duam të mos përmbytemi në jetën tonë. Por, spiranca ekziston. Njerëzit, që besojnë te Perëndia, thotë Apostull Pavli, kanë shpresën “si spirancë të shpirtit të sigurt dhe të vërtetë”. Si sigurohet anija nga tronditjet dhe nga shkatërrimi që mund t’i shkaktojnë erërat e forta, dallgët kolosale, furtuna? Lëshon spirancën e vet në fund të detit, që është i qëndrueshëm dhe i palëkundshëm. Spiranca ngulet fort në fund të detit dhe anija, që ndodhet në sipërfaqen e detit të trazuar, mbetet e palëkundur. Sadoqë ta godasin erërat, nuk bëhet lojë e dallgëve.
Nëse anijes spiranca i nevojitet për të përballuar dallgët shkatërruese, po njeriut përse i duhet shpresa? Ekzistenca jonë, ngjan me një anije që çan detin e jetës, që ka si paracaktim qiellin. Por shpesh herë ky det tronditet nga dallgët e ngasjeve dhe sulmohet nga erërat e fuqishme të provave të ndryshme. Dhe në këtë rast skafi i ekzistencës sonë lëkundet dhe rrezikon të përplaset në shkëmbinjtë nënujorë të dëshpërimit dhe të pabesisë. Kështu që na duhet spiranca, domethënë shpresa. Me një ndryshim. Se kjo nuk mbështetet në rërën e fundit të detit të paqëndrueshëm, por në shkëmbin e palëkundur të Perëndisë së tërëfuqishëm. Nuk lëshohet poshtë, por depërton në qiellin, që mbahet nga vetë Zoti i gjithëpushtetshëm. Pra, shpresa tek Perëndia na është shumë e çmueshme edhe e domosdoshme, sepse jo rrallë kemi vështirësi dhe pengesa në rrugën e jetës. Ndonjëherë na shqetësojnë probleme urgjente familjare, apo marrim përsipër përgjegjësi dhe detyra, nën barrën e të cilave lëkundemi. Pastaj shikojmë se kemi zbrazëtira për sa i përket virtytit. Kemi dobësi serioze dhe mangësi, të cilat nuk mundemi t’i kapërcejmë. Dhe atëherë vjen i ligu dhe na dëshpëron me mendimin se është e kotë ç’do përpjekje dhe se gjoja nuk është e mundur të shpëtohemi. Por, le të mos e lëmë dëshpërimin të na zotërojë. Përkundrazi, kur konstatojmë dobësinë tonë dhe përulemi–gjë shpëtimtare–atëherë le t’i drejtohemi Zotit të tërëfuqishëm dhe le të shpresojmë tek Ai dhe tek hiri dhe përdëllimi i Tij. A nuk thamë se Ai është ndërmjetësi dhe Kryeprifti i shpëtimit tonë?
Le të përsërisim fjalët e Psalmistit: “Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon brenda meje? Ki shpresë te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma, sepse Ai është shpëtimi im dhe Perëndia im” (Ps: 43, 5). Mbështetu, o shpirti im, në dashurinë dhe në premtimet e Zotit dhe nuk do të braktisesh si i pandihmuar. Sepse Ai është “përkrahësi i të gjithë atyreve që shpresojnë tek Ai” (Ps: 17, 31).
I lumur, me të vërtetë, është ai, i cili ka shpresë të tillë në Perëndinë. Sepse “shpresa nuk të gënjen” (Rom: 5, 5). Nuk e tall, nuk e gënjen atë që e ka. Përkundrazi, i mjerë dhe i vajtueshëm është ai që nuk ka shpresë. Sepse ky ka humbur lidhjen e tij me Perëndinë e dashurisë dhe në çastet e hidhërimeve dhe të provave shumë lehtë zhytet dhe përmbytet në dëshpërim.
Besimtarët e hershëm, që ishin njerëz me besë të fortë, e skiconin spirancën në katakombe dhe në varret e tyre për të kujtuar se duhet të shpresojmë tek fuqia e Perëndisë dhe tek premtimet e Tij. Le të përmendim Abraamin, për të cilin Apostull Pavli na thotë se është modeli i virtytit të shpresës. Perëndia i premtoi Abraamit se do t’i dhurojë shumë pasardhës. Dhe ky Patriark i Shenjtë i besoi premtimit hyjnor dhe priste realizimin e tij. Edhe pse kaluan shumë vite, nuk u lëkund. Dhe shpresat e tij u vërtetuan plotësisht. Sepse u bë Ati i shumë kombeve. Rrjedhimisht, shpresa është besimi i pakufizueshëm tek pritja se Perëndia do të na japë bekimin dhe hirin e tij, edhe pse ndonjëherë duket se vonon apo mungon. Ne, që tani jetojmë në periudhën e paslindjes së Krishtit, kemi akoma më shumë shembuj që na nxisin t’i mbështesim shpresat tona te Perëndia. Sepse kemi në dispozicionin tonë Zbulesën e plotë Hyjnore. Kemi historinë e Kishës sonë dhe të shumë e shumë Shenjtorëve. Të gjitha këto na vërtetojnë se ata, që i mbështetën shpresat e tyre te Perëndia, nuk u zhgënjyen. Për këtë arsye, i Urti i Dhiatës së Vjetër thoshte: “Vëreni, o bij, breznitë e moçme e shikoni: Kush shpresoi në Zotin dhe mbeti i turpëruar?” (Sirak: 2, 11). Sigurisht, askush. Por, përveç këtyre, ne, madje, kemi Zotin tonë Jisu Krisht Kryeprift, Ndërmjetës në qiell. Në Gjakun e sakrificës së tij mbështesim shpresën për faljen e mëkateve tona dhe në ndërmjetësinë e Tij për shpëtimin tonë përfundimtar. Shpresa e mbështetur në besën e Zotit tonë Shpëtimtar nuk është vetëm mjet shpëtimi, por edhe burim i gëzimit tonë të qashtër. Apostull Pavli me urtësi na këshillon: “Shpresa juaj e palëkundur në të mirat e premtuara le t’ju mbushë me gëzim!” (Rom: 12, 12). Nëse i burgosuri i gëzohet ditës që po afrohet lirimi i tij, nëse fituesi i garës mendon, me rrahjet e gëzuara të zemrës ditën e marrjes së çmimit, nëse lundërtari, i rrezikuar nga dallgët e stuhishme, ngazëllehet kur shikon, që po i afrohet limanit, aq më tepër ngazëllohet i krishteri me besë të sigurt të të madhit gëzim të së ardhmes, Mbretërisë së Lavdishme të qiejve. Njeh se emri i tij është shkruar në regjistrat e qiejve. Ka bindjen se mëshira e Perëndisë e njeh si birin e tij të dashur dhe trashëgimtar të të mirave të amshuara. Di se është bashkëqytetar me Shenjtorët dhe i dashur i Perëndisë. Pret me besim të plotë jo vetëm ngjalljen e të vdekurve, por edhe jetën e re të pavdekshme, ku nuk do të ekzistojnë as vdekja, as lotët, as vuajtjet, por gëzim dhe lumturi dhe lavdi e pavdekshme. Të gjitha këto dëfrejnë shpirtin e besimtarit. Derdhin balsam ngushëllimi në zemrat e dhimbshme dhe u jep atyre një paqe të ëmbël, një prehje të plotë, guxim, burrëri dhe gëzim të papërshkruar. Ky gëzim që ndiejnë të gjithë Shenjtorët dhe të zgjedhurit e Perëndisë është fejesa e gëzimit të plotë të ardhshëm, vërtetimi dhe kredia e lumturisë së përjetshme. Lum ata që mund të ndiejnë këtë siguri dhe qëndrueshmëri në momente të vështira, që i ndodhin çdo shpirti.
Lum ata që shtrydhin gotat e hidhura të jetës me besimin absolut se mbas të hidhurës ruhet diçka e ëmbël. Dhe këtë siguri mund ta shijojë vetëm ai që ka mbështetur tërë shpresën e tij jo në formën apo në lavdinë e kësaj bote, por në Perëndinë e gjallë. Ky i ngjan “një njeriu të mençur, që ndërtoi shtëpinë e tij mbi shkëmb. Edhe ra shiu, e erdhën lumenjtë, e frynë erërat dhe u përplasën pas asaj shtëpie, por nuk u rrëzua; sepse ishte themeluar mbi shkëmb.” (Mat: 2; 25). “Dhe shkëmbi është Zoti Krisht” (1 Kor: 10; 4), “Shpresa e lavdisë”. (Kol: 1; 27)
Mitropoliti i Beratit, Hiresi Ignati
17 Οκτωβρίου, 2020
“TË GËZUAR ME SHPRESËN E ZOTIT” (Rom: 6, 19) – Nga Mitropoliti i Beratit Hirësi Ignati
Διαδώστε:

Διαδώστε: