Të ndërtojmë jetën në themele të forta!
Jeta në vendin tonë, në shoqërinë tonë do të ishte krejt ndryshe nëse do të ishte themeluar dhe ndërtuar me parimet dhe mësimet e krishtera.
Në vitet 90-të, vite të ndryshimeve të mëdha për vendin tonë pushuan së punuari rreth 500 fabrika dhe uzina, duke humbur punën me qindra mijëra punonjës dhe duke pasur një dëm të rëndë ekonomik jo vetëm për ato vite, por edhe për gjithë vazhdimësinë e shtetit Shqiptarë. Me preteksin “t’i prishim se do na i ndërtojë të reja bota dhe Amerika”. Kanë kaluar 30 vjet dhe uzina “Gogo Nushi” në Azotik, ku punonin 3000 punonjës, ka mbetur e shkretë edhe e rrënuar.
Njeriu më revolucionar që i historisë së njerëzimit mbetet Krishti, e megjithatë
Ai nuk na mëson se cdo gjë e vjetër është e keqe dhe duhet prishur. Kështu dëgjuam sot në pjesën e Ungjillit që na thotë: “Unë nuk erdha që të prish Ligjin, por për ta plotësuar atë ( Shih. Mt. 5:17).
Krishti ndonëse erdhi të sjell një Ligj të Ri, të krijoi një Besëlidhje të Re me njeriun, nuk hedh poshtë Ligjin e Vjetër, por e plotëson atë, e përsosë atë. Nga atje ku thuhej në ligj “mos vrit”, Krishti mëson se jo vetëm të “mos vrasim”, por as të mos t’i themi vëllait tonë “i marrë”. Na mëson jo vetëm të “ mos vjedhim”, por të ndihmojmë ata që janë në nevojë. Të duam jo vetëm bashkëkombësit tanë, por edhe armiqtë tanë. Kështu veproi Krishtërimi me të vërtetë. Mori, ruajti disa nga mësimet e Ligjit, e dimë që 10 porositë që Moisiu mori në Malin Sina, vazhdojnë të kenë rëndësi kryesore. Akoma ruajti edhe nga Traditat judaike duke u dhënë kuptim të ri por, hoqi vetëm disa tradita që nuk ishin të nevojshme. Tradita e dhënies së emrit në ditën e tetë dhe atë të hyrjes në kishë të fëmijës me nënën dyzet ditë pas lindjes e ruajmë edhe sot. Hoqi psh: rrethprerjen, sepse me Pagëzimin ne jemi vulosur me vulën e Shpirtit të Shenjtë. Gjithashtu hoqi flijimet sepse, për ne Krishti u bë flijimi i përsosur për gjithë njerëzimin.
Nuk është pra e nevojshme të zhdukim çdo gjë që është e vjetër në emër të së resë.
Një thënie e urtë thotë: Mos e prish koliben e atit tënd para se të kesh ndërtuar vilën tënde. Kur e reja gërshetohet me të vjetrën ajo bëhet potencial i fuqishëm dhe shpresëdhënëse për të tashmen dhe të ardhmen. Zakonisht ndodh që kur duam të marim një vendim nuk na thonë që shko pyet një bashkëmoshatar, por shko pyet një të moshuar, të urtë, të ditur.
Tregohet në Bibël një ngjarje në popullin e Izraelit. Pas vdekjes së Solomonit, erdhi i biri i tij në pushtetit e mbretërisë. Ai ishte një djal i ri. Një ditë i vajtën disa nga pleqtë populli të Izralit dhe i thonë: “ Tani ju lutemi na i lehtëso disa taksa dhe ne do të ndjekim pas ashtu si ndoqëm atin tënd. “Mirë, largohuni dhe pas disa ditësh do ju kthej një përgjigje,- i thotë mbreti i ri. Ai mblodhi këshilltarët, pleqtë e urtë, me të cilët këshillohej dhe Solomoni, babai i tij dhe i pyeti se cfarë do të bëjmë? Ata i thanë, dëgjoje popullin tënd, lehtësojua taksat, sepse janë të larta, që ata të të ndjekin. Mbreti shkoi të pyesë dhe bashkëmoshatarët e tij. Ata i thanë jo vetëm mos t’ia ulte taksat por ti rriste akoma më tepër. Pas disa ditëve të gjithë po prisnin vendimin e mbretit. Ai i’u tha atyre: “ Unë do ju rris akoma më tepër taksat. Mbreti kishte dëgjuar këshillën e shokëve të tij, jo të këshilltarëve të urtë e të moshuar. Atëherë pleqtë e fiseve të Izraelit, u larguan dhe kështu mbreti humbi 10 fise nga mbretëria e tij, ata nuk e ndoqën më.
Kur e reja gërshetohet me të vjetrën ajo bëhet potencial i fuqishëm dhe shpresëdhënëse për të tashmen dhe të ardhmen . Kur zhvillimi i teknologjisë gërshetohet me mësimet e Krishtërimit, ajo bëhet një dinanikë e pathyeshme dhe e pagabueshme për shoqërinë tonë.
Pavarsisht se mësimet e krishtera i quajnë të prapambetura në shoqërinë e sotme, ne le të themelojmë jetën tonë mbi këtë shkëmb.
Le të kujtojmë dhe fjalët e Krishtit: “Ai që dëgjon fjalët e mia dhe i vë në praktikë është një njëri i zgjuar, që ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb (Shih. Mt. 7:29).
*Nga predikimi i Mitropolitit te Apollonise dhe Fier, +Nikolla, dt.19/07/2020
