Në ungjillin e së dielës dëgjuam lutjen e Jisuit drejtuar Atit të Tij. Nuk ishte një lutje vetëm për Vete, por edhe për dishepujt e Tij.
Në një prej vargjeve, (Joani 17:9), Krishti thotë: “Unë lutem për ta, nuk lutem për botën, por për ata që më ke dhënë, sepse janë të Tutë.”
Iu lut nxehtësisht Atit të Tij Qiellor për nxënësit dhe miqtë e Tij. Ata i zgjodhi brenda një bote të egër për të qënë pasuesit e Tij. Atyre do u besonte Ungjillin dhe Kishën e Tij. Ata do të dërgonte në botë për të ftuar njerëzit në rrugën e nisur prej Tij. Si mund të mos lutej për ta, tani që do të ikte dhe do i linte “jetimë”?! Tani ata do të kishin një luftë të madhe nga satani. Tani do të urreheshin, do të akuzoheshin, do të persekutoheshin.
Çfarë kërkon Krishti për nxënësit e Tij? Mbrojtjen e Atit Qiellor, me qëllim që ata të ruajnë të paprekur dhe të kulluar çdo të mirë Hyjnore dhe Qiellore që u dorëzoi dhe i besoi.
Së pari, të ruajnë të paprekur të vërtetat dhe pastaj unitetin e mendjeve të tyre.
Kjo është një lutje, që vlen për ortodoksët e të gjitha kohërave. Kështu të mbetemi të pandarë dhe të bashkuar si apostujt. Të vazhdojnë t’u dorëzojnë të paprekur brezave, të vërtetat e përcjella prej të të parëve tanë.
Kështu edhe ne në lutjen tonë, të përpiqemi, që përveç të mirave materjale, t’i kërkojmë Zotit, që të mbetet e paprekur vazhdimësia Apostolike. Këto sa thamë më lart marrin kuptimin e plotë të tyre brenda Kishës Ortodokse. Prandaj duhet të bëhemi anëtarë të përgjegjshëm dhe të gjallë të Saj. T’i lutemi edhe ne Atit tonë Qiellor të na fal unitet, ndriçim hyjnor, shpëtim të shpirtrave tanë, Kungim të Shenjtë, lavdinë e përjetshme dhe lumturinë e Parajsës. Amin!
