13 Απριλίου, 2020

TRE DITET E PARA TE JAVES SE MADHE

Διαδώστε:

 

Tema e këtyre tre ditëve të para të Javës së Madhe përqëndrohet në ditët e fundit të jetës tokësore të Jisuit. Përpara pësimit, ungjillorët tregojnë për konfliktin me autoritetet fetare në Jerusalem dhe kritikën e Jisuit për hipokrizinë e tyre. Gjithashtu, në ungjijtë është regjistruar një përmbledhje e paravolive dhe fjalimeve rreth birësisë hyjnore të Krishtit, mbretërisë së Perëndisë dhe Ardhjes së Dytë të Krishtit. Të tria këto ditë përbëjnë një njësi të vetme liturgjike.
Mëngjesoret e secilës prej këtyre ditëve quhen Shërbesa e Dhëndërit. Kjo vjen nga figura qëndrore e paravolisë së njohur të dhjetë virgjëreshave. Me fjalën Dhëndër paraqitet Krishti, si dhëndëri hyjnor i kishës dhe i çdo shpirti. Prandaj edhe mbretëria e Perëndisë është paraqitur me imazhin e dasmës dhe të nusërores, për të theksuar bashkimin e fortë me Krishtin. Titulli Dhëndër na sjell ndër mend, gjithashtu, Ardhjen e Dytë, sepse në traditën patristike paravolia e sipërpërmendur lidhet me këtë ngjarje, si edhe me nevojën tonë për të vigjëluar dhe për tu përgatitur shpirtërisht për takimin me Dhëndërin.

E Hëna e Madhe
Të Hënën e Madhe ne përkujtojmë Patriarkun Josif, birin e dashur të Jakovit, një figurë madhore e Dhiatës së Vjetër. Për shkak të cilësive të tij të jashtëzonëshme dhe jetës së tij të pastër, tradita jonë patristike dhe liturgjike e paraqet Josifin si tip i Krishtit, si një parafigurim i tij. Nga jeta e tij mund të mësojmë se fjalën finale në histori dhe në jetët tona e ka Perëndia dhe se i drejti dhe i pafajshmi nuk do të humbasë kurrë. Vëllezërti e Josifit e keqtrajtuan, por Perëndia e ruajti dhe e lartësoi. Fjalët, që Josifi iu tha vëllezërve të tij, tregojnë se dashuria dhe falja janë më të forta se urrejtja dhe keqdashja “Mos u trembni….Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur që t’i shërbejë së mirës, për të kryer atë që po ndodh sot: të mbash gjallë një popull të shumtë. ‘Tani, pra, mos kini frikë; unë do të siguroj ushqimin për ju dhe për bijtë tuaj”. Kështu u dha zemër dhe i foli zemrës së tyre me ëmbëlsi. (Zn. 50:19-21)
Gjithashtu, të Hënën e Madhe përkujtojmë ngjarjen e mallkimit e pemës së fikut pa kokrra (Math. 21:18-20) Pema pa kokrra është simbol i një jete pafrytshme dhe pa vepra të mira. Mallkimi i fikut është një profeci në veprim, që i drejtohej si njerëzve të asaj kohe, të cilët dështuan të njihnin Mesian, ashtu edhe njerëzve të çdo brezi dhe na drejtohet edhe neve sot. Jeta e një të krishteri duhet të jetë shpirtërore dhe e mbushur me dashuri dhe dhembshuri dhe plot vepra të frytshme mirësie. Apostulli na mëson: “Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli. Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj. Edhe ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe lakmitë të tij. Në qoftë se rrojmë në Frymë, në Frymë edhe duhet të ecim.” (Gal. 5:22-25)

Mitropolia e Shenjtë Korçë/facebook

Διαδώστε: