24 Ιουλίου, 2026

Udhëtimi me Zotin është jetë me gëzim

Διαδώστε:
Fjala e Fortlumturisë së tij, Kryepiskopit Joan në Kampin Orthodhoks për vajza “Bariu i Mirë”
Përsa i përket udhëtimit me Krishtin, në Ungjill thuhet: “Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij dhe le të ngrerë kryqin e tij përditë dhe le të vijë pas meje” (Llk.9:23). Gjithashtu, në Ungjillin e shën Joanit lexojmë: “Le të mos turbullohet zemra juaj; besoni Perëndinë, më besoni edhe mua. Në shtëpinë e Atit tim ka shumë vende; në mos, do t’ju thosha juve: Shkoj t’ju bëj juve gati vend. Edhe si të shkoj e t’ju bëj juve gati vend, do të vij përsëri, dhe do t’ju marr pranë vetes sime, që të jeni edhe ju atje ku jam unë. Edhe ku shkoj unë e dini, dhe udhën e dini. Thomai i thotë: Zot, nuk e dimë se ku shkon; dhe si mund ta dimë udhën? Jisui i thotë: Unë jam udha dhe e vërteta dhe jeta; asnjë s’vjen tek Ati, veçse me anën time” (Jn. 14:1-6).
Këto fjalë të Krishtit janë për nxënësit e çdo kohe, jo vetëm për nxënësit e Tij të parë. Ungjilli nuk është thjesht një libër historik. Çdo gjë që prek Zoti kthehet në trans-historike, pra, vlen për të gjithë njerëzit dhe për të gjitha kohërat. Në fillimet e Krishterimit, besimi shpesh quhej “udha”. Kur Zoti u thotë nxënësve që ju e dini udhën, ata iu përgjigjën: “Nuk e dimë”. Madje edhe kur Zoti thotë që unë jam udha, ndonëse ata e kishin njohur Krishtin dhe mësimin e Tij, Ai donte t’u tregonte se udha nuk është thjesht një rrugë fizike, por është një Person i cili është njëkohësisht edhe e vërteta dhe jeta. Prandaj Krishti tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta”.
Në gjuhën shqipe ekziston një fjalë shumë e bukur teologjike, fjala i paudhi. Djalli quhet i paudhi ,që do të thotë pa rrugë, qorrsokak, ai që nuk të çon asgjëkundi. Pra, ai është e kundërta e asaj që thotë Krishti: Unë jam udha, ndërsa ai (Djalli) është i paudhi. Njeriu në jetë ka dy rrugë: ose rrugën që të çon te Krishti, pra që të nxjerr diku; ose rrugën tjetër, e cila nuk të çon asgjëkundi dhe nuk të nxjerr askund.
Këtë e shohim edhe në Ungjill, ku Zoti shpeshherë thotë: “Nuk mund t’u shërbeni dy zotërinjve; ose do t‘i shërbeni Perëndisë, ose Mamonait”. Mamon ishte një fjalë siriake që, në kuptimin e saj të parë, do të thotë pasuri. Më vonë, meqenëse pasuria u kthye në një lloj perëndie, të gjithë ata që adhuronin pasurinë, filluan të adhuronin Mamonain. Pra, nuk mund t’i shërbejmë edhe botës, edhe Zotit. Njeriu duhet të zgjedhë një rrugë.
Dhe për ta zgjedhur këtë rrugë, e nisim udhëtimin me fjalët që thotë vetë Zoti: “Nëse dëshiron dikush…”. Pra, Ai nuk na detyron. Një nga shtyllat më të rëndësishme në antropologjinë e krishterë është se njeriu është krijuar i lirë. Ne kemi lirinë edhe për të mëkatuar. Pavarësisht se mund ta pësojmë nga mëkati, Zoti nuk detyron askënd. Ai e respekton lirinë e çdo personi, dhe së bashku me lirinë vjen edhe përgjegjësia. Kështu, nëse nuk jemi të përgjegjshëm, atëherë liria kthehet kundër nesh, në dëmin tonë. Shumë kufizime që jepen në Ungjill e që njerëzve nuk u pëlqejnë – urdhërimet e Zotit që përmbajnë shumë “mos-e” dhe ndaj të cilave ne reagojmë – nuk ekzistojnë për të kufizuar lirinë tonë, por për të na mbrojtur.
Ne përdorim vazhdimisht shembullin e rrugëve malore që kanë një mur ose një gardh mbrojtës. Ai nuk është vendosur për të kufizuar lirinë e shoferit, por për ta mbrojtur atë nga rënia në greminë. Ndaj edhe “mos-et” që thotë Zoti nuk janë rruga, por mbrojtja në rrugë. Ne nuk i kuptojmë të gjitha, ashtu si një fëmijë që nuk e kupton prindin kur i thotë: “Mos e prek sobën”. Nëse e beson prindin, nuk e prek sobën; nëse jo, e prek dhe digjet.
Pra, “mos-et” na ndihmojnë, nuk na dënojnë. Nëse e fillojmë udhëtimin me Krishtin, së pari duhet të kuptojmë se ç’kërkon Ai prej nesh kur thotë që të mohojmë veten tonë. Pa përjashtim, çdo qenie njerëzore krijon një pseudo-vete. Njeriu ndërton brenda vetes një vete të rreme: atë që dëshiron të jetë ose atë që dëshiron që të tjerët të shohin tek ai. Kjo vjen gjithmonë nga krenaria. Krenaria është sëmundja më e madhe mendore, sepse na krijon një delir a iluzion për atë që ne nuk jemi realisht. Kështu, duke dëmtuar edhe veten e tij, njeriu mbron atë që nuk është. Për shembull, njeriu krenar zemërohet nëse mendon se dikush e ka fyer. Krenari ka ambicie, është egoist dhe mendon vetëm për vete. Ai kërkon gjithmonë lavdi vetëm për veten, e lavdëron atë dhe i ul të tjerët.
Të gjitha këto nuk e ndihmojnë as atë vetë. Kur njeriu fillon të kuptojë veten e tij reale, ai bëhet më i përulur. Paravolia e Djalit Plangprishës në Ungjill tregon se në momentin që djali pendohet, ai “erdhi në vete”. Pra, deri në atë kohë ai nuk ishte në vete; kishte menduar se ishte i lirë, shpenzoi paratë që i takonin nga trashëgimia, sipas mendimit të tij, bëri një jetë të shthurur, humbi gjithçka dhe mbeti pa ushqim. Pas gjithë këtyre, ai erdhi në vete. Ardhja në vete ka shumë rëndësi për ne. Kur Zoti na thotë të mohojmë veten, kërkon pikërisht që ne të vijmë në veten tonë reale, të shikojmë gjendjen tonë të vërtetë. Njerëzit gjithmonë kanë një mendim shumë të mirë për veten e tyre, ndërsa të tjerët i ulin. Vetëm shenjtorët bënin të kundërtën: ata kritikonin veten dhe lavdëronin të tjerët.
Ata e kritikonin veten sepse ishin të ndriçuar. Profeti Isaia, pasi pa vizionin e madh dhe fronin e Zotit, tha: “Mjerë unë, një njeri me buzë të ndyra, që pashë Mbretin e lavdisë!”. Ai është një nga profetët më të mëdhenj, i quajtur edhe “ungjillori i pestë”, sepse ka folur më shumë se çdo profet tjetër për ardhjen e Mesisë, e megjithatë i thotë këto fjalë sepse është i ndriçuar. Kur ndriçohemi shpirtërisht, shohim se kemi shumë njolla brenda vetes. Kur jemi në errësirë, nuk dallojmë dot asgjë. Shën Pjetri, kur kuptoi se në personin e Jisu Krishtit është Perëndia, i tha Krishtit: “Largohu prej meje, Zot, sepse jam njeri mëkatar!”. Kur u ndriçua nga hiri i Shpirtit të Shenjtë, ai i pa njollat e ndryshme brenda tij. Shën Simeoni, Theologu i Ri, në lutjet që lexojmë para Kungimit, thotë për veten e tij: “Prej buzësh të ndyra, prej zemre të fëlliqur, prej gjuhe të papastër, prej shpirti të njollosur…”. Në Kishën Orthodhokse ai është personi i tretë që ka marrë titullin “Theolog” (i pari është shën Joani Theologu dhe i dyti shën Grigori).
Ky shenjtor i madh i thotë këto fjalë për veten e tij, sepse, i krahasuar me Zotin, i tillë është njeriu. Shenjtori e njeh realisht veten e vet. Të gjithë shenjtorët ishin njerëz që e mohuan veten e rreme, kuptuan se ishin të sëmurë ndaj e morën mjekimin. Dhe pasi morën mjekimin, ata u shëruan. Ky mjekim është pikërisht ndjekja e të gjitha urdhërimeve të Zotit.
Pra, ta marrim seriozisht jetën shpirtërore. Për fatin tonë të keq, sot në botën ku jetojmë mungon jeta shpirtërore. Kjo mungesë ka sjellë edhe një mungesë të jetës kulturore dhe të asaj intelektuale, sepse jeta shpirtërore i frymëzon njerëzit të bëjnë jetë intelektuale. Mendja nuk mund të ndriçohet dot, nëse nuk pastrohet zemra. Nëse fillojmë të pastrojmë zemrën, fillon të ndriçohet dalëngadalë edhe mendja; njeriu që pastron mendjen, fillon të ndryshojë. Ndryshimi do t’i sjellë atij gëzim, sepse nuk ka as gëzim dhe as paqe atje ku është e keqja. Unë përmend shpesh një varg të profetit Isaia, sepse është i rëndësishëm: “Nuk ka paqe për të paudhët”, pra nuk ka paqe atje ku është e keqja. Në përkthimin e parë të Dhiatës së Vjetër, që është bërë në shekullin dytë e të tretë para Krishtit – ajo që njihet me emrin Septuaginta (përkthimi i 70 përkthyesve) – meqenëse diaspora hebraike e kishte humbur gjuhën hebraike, në një qytet kozmopolitan si Aleksandria në atë kohë flitej greqishtja. Siç ndodh edhe sot, për shembull, kur njerëzit shkojnë në Amerikë dhe brezi i dytë ose i tretë e humbet gjuhën që kishte, ashtu edhe atëherë u detyruan ta përkthenin në greqisht. Këtë varg ata nuk e kanë përkthyer “nuk ka paqe”, por e kanë përkthyer “nuk ka gëzim për të paudhët”, pra nuk ka gëzim atje ku është e keqja. Edhe miliarder të bëhet njeriu, atje ku është e keqja nuk do të gjejë dot gëzim, sepse gëzimi nuk është çështje e temperamentit të njeriut, por është një dhuratë nga Zoti.
Edhe “dhuratë nga Zoti” do të thotë që Zoti është i pranishëm në jetën tonë. E kur Zoti është i pranishëm në jetën tonë, kjo do të thotë që ne përpiqemi të jetojmë çdo ditë sipas mësimeve të Tij. Ky është udhëtimi me Krishtin. Ne udhëtojmë duke ndjekur çdo ditë një jetë shpirtërore. Jeta shpirtërore nuk është ashtu siç paraqitet shpeshherë, e mbushur me romantizëm ose misticizëm. Jeta shpirtërore është një përpjekje e përditshme për të jetuar sipas mësimeve të Zotit. Kjo është jeta shpirtërore. Mrekullitë i bën Zoti, nuk i bëjnë njerëzit. As shenjtorët nuk i bëjnë mrekullitë; ata i luten Perëndisë, ndërmjetojnë tek Ai dhe Perëndia e dëgjon lutjen e të drejtëve dhe e plotëson atë. Vetëm Perëndia mund të bëjë mrekulli.
Ajo që kërkohet nga ne është pikërisht kjo: të udhëtojmë me Të dhe të përpiqemi çdo ditë të jetojmë sipas këtyre mësimeve. Nëse njerëzit do të përpiqen të jetojnë sipas këtyre mësimeve, fillimisht do të kuptojnë diçka. Këtë e thotë shën Simeoni, Theologu i Ri, jo unë. Kur njerëzit e marrin seriozisht Krishtin dhe përpiqen të jetojnë sipas mësimeve të Tij, gjënë e parë që do të ndiejnë është se do të fillojnë të kuptojnë dobësitë e tyre. Sepse kur nuk përpiqesh t’i ndjekësh urdhërimet, të duket sikur po i zbaton. Por kur përpiqesh t’i zbatosh, e kupton që nuk është aq e lehtë. Duke njohur dobësitë, njeriu do të fillojë të kërkojë mjekimin, do të fillojë të përmirësohet, do të nisë një përpjekje dhe kjo do t’i sjellë atij përulësinë. Njeriu i përulur gjithmonë e sjell në jetën e tij hirin e Shpirtit të Shenjtë. Kështu thotë Zoti në Shkrimin e Shenjtë: “Perëndia i qëndron kundër krenarëve, por u jep hir të përulurve”. Përulësia nuk është të shash veten thjesht sa për ta thënë; përulësia është të njohësh realisht veten, të njohësh veten e vërtetë, jo pseudo-veten. Prandaj edhe shenjtorët ishin të përulur. Nuk mburreshin, as nuk e lavdëronin veten, as nuk tregonin histori se sa mirë e bëri ky apo sa keq e bëri ai tjetri, siç tregohet sot vazhdimisht. Kjo do t’ju ndihmojë jashtëzakonisht edhe ju, sepse shenjtorët nuk e kishin garën me të tjerët, por e kishin me veten e tyre.
Në botën e sotme ndodh që njerëzit e kanë garën me të tjerët; gjithsecili krahasohet me të tjerët. Në një revistë psikiatrike angleze shumë të dëgjuar, lexova për një sindromë të re, e cila ka qenë edhe më përpara, por që tani ka marrë përmasa shumë të mëdha dhe quhet “sindroma e krahasimit”. Më përpara njerëzit, ndonëse ajo ka ekzistuar gjithmonë, nuk e kishin aq shumë këtë sindromë, sepse edhe informacionet nuk ishin kaq të mëdha. Nëpërmjet rrjeteve sociale ju mund të keni informacion pafund: si e kaloi verën X-i, çfarë bëri Y-i, dhe gjëra të tjera si këto. Shpeshherë tabloja nuk është e vërtetë. Njerëzit mund të bëjnë fotografi të sajuara, pa qenë në ato vende. Duke u krahasuar me tjetrin, njeriun e kap dëshpërimi dhe më pas depresioni. “Sa pëlqime mori ai? Pse unë kam më pak? Ai ka 200, unë kam vetëm 13”, dhe kështu fillon të dëshpërohet. Kjo ndodh sepse ne e kemi garën me të tjerët, jo me veten. Shenjtorët na mësojnë se duhet ta kemi garën me veten. Këtë mësim ata e nxjerrin nga një parabolë, një shëmbëlltyrë që tregon Krishti. Ajo është parabola e talantave. Fjala “talant” është një fjalë siriake, e marrë nga fenikasit, e cila në fillim kishte kuptimin e peshës. Për shembull, 25 kg ar bënin një talant. Me kalimin e kohës mori kuptimin e dhuratës dhe më vonë mori kuptimin e sotëm të quajtur “talent”. Fjala talent vjen nga talanta.
Paravolia që tregon Zoti thotë se një njeri u largua dhe i dha një shërbëtori pesë talanta, tjetri dy dhe një tjetri një. Pas një periudhë kohë u kthye dhe ai që kishte pesë talanta i thotë: “Zotëri, pesë talantat e tua më dhanë pesë të tjera”. Ai i thotë: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik, hyr në gëzimin e zotit tënd!”. Të njëjtën gjë i tha edhe atij me dy talanta, i cili kishte fituar edhe dy të tjera. Ndërsa, ai i treti e kishte fshehur talantën e tij, nuk e kishte dyfishuar atë. Zoti ia heq atij dhe thtoë: “Jepjani atij që ka dhjetë!”.
Çfarë do të thoshte kjo parabolë për shenjtorët dhe për ne?
Kjo parabolë për shenjtorët dhe për ne do të thotë që gjithsecili prej nesh nuk e ka garën me të tjerët. Atij që Zoti i ka dhënë pesë talanta, do t’i kërkojë edhe pesë të tjera. Atij që i ka dhënë dy, do t’i kërkojë edhe dy, dhe atij që i ka dhënë një, do t’i kërkojë vetëm një tjetër. Pra, mjafton që ne ta dyfishojmë talantën që kemi, që do të thotë të plotësojmë veten tonë. Në këtë mënyrë ne kemi realizuar udhëtimin tonë.
Ndërsa, kur përqendrohemi tek të tjerët, ne e humbim rrugën. E të humbësh rrugën do të thotë të futesh në një qorrsokak, që do të thotë të futesh në rrugën e të paudhit, në rrugën që nuk të çon askund. Kjo është një plagë e madhe në botën e sotme, sepse të gjithë mundohen ta kenë garën me të tjerët: t’ia kalojnë filanit apo filanes, apo të bëjnë këtë e atë gjë. Ne e kemi garën me veten. Mjafton që të dyfishojmë talantën që na ka dhënë Perëndia, ta ushtrojmë atë talant. Zoti na jep të njëjtin shpërblim, sikundër morën dy të parët në paravoli. Ai u tha: “Ju lumtë, hyni në gëzimin e Zotit tuaj”. Kur e kemi garën me të tjerët, atëherë fillojnë sherret, grindjet, zilia dhe smira. Smira sjell shpifjet, e shpifjet sjellin konflikte të tjera akoma më të mëdha. E bota e sotme ka kaq shumë konflikte, pikërisht, sepse njerëzit merren me njëri-tjetrin. “I përuluri merret me veten, krenari merret me të tjerët”, shkruan shën Grigor Palamai. Për sa kohë ne merremi me të tjerët, do të kuptojmë që brenda nesh nuk e kemi gjetur veten e vërtetë dhe as nuk e kemi mohuar veten tonë. Nëse nuk e mohojmë veten tonë, nuk e fillojmë dot udhëtimin me Krishtin.
Prandaj udhëtimi me Krishtin fillon pikërisht me: “të mohojë veten e tij” dhe më pas Zoti thotë: le të ngrerë kryqin e tij”. Dhe “të ngrerë kryqin e tij” do të thotë që njeriu duhet të pranojë çdo gjë që mund t’i ndodhë në jetë. Në jetë ndodhin shumë gjëra të cilat nuk i dimë, as nuk mund ta shpjegojmë se pse i ndodh njërit e pse nuk i ndodh tjetrit. Mirëpo, e dimë me siguri që Zoti nuk i jep askujt një kryq më të madh nga çfarë ai mund ta mbajë. Kryqet janë të pashmangshme në këtë botë. Në Krishterim kryqi ka marrë një kuptim krejtësisht tjetër. Në troparet e Kishës themi: “Me anë të kryqit erdhi gëzimi në botë”. Nëse njeriu mediton, padyshim do të pyesë: si erdhi gëzimi në botë me anë të kryqit? Kryqi i Krishtit në atë kohë nuk është ai që kemi ne sot parasysh pas 2000 vjetësh lavdi. Kryqi i Krishtit ishte një instrument i shpikur nga fenikasit dhe i përdorur gjerësisht nga romakët. Ai ishte shenjë poshtërimi; vetëm kriminelët, skllavët dhe ata që nuk ishin qytetarë romakë dënoheshin me kryq. Shën Pavli, i cili ishte qytetar romak, nuk ia kryqëzuan trupin, por i prenë kokën. Shën Pjetrin e kryqëzuan, sepse nuk ishte qytetar romak. Ky instrument vdekjeje u kthye nga Zoti në instrument jete. Dhe ky është misteri i kryqit, që do të thotë se kryqi nuk është për të na dënuar, por për të na ndihmuar. Kryqi është një mjekim. Mjekimi është i hidhur, por shërimi është i ëmbël. Ne nuk mund të shërohemi pa mjekim, pavarësisht se shpeshherë ne nuk e duam atë.
Pra, Zoti me fjalët “le të mohojë veten e tij, le të ngrerë kryqin e tij dhe le të vijë pas meje”, na thotë të udhëtojmë me Krishtin. Shpeshherë udhëtimi me Zotin paraqitet thjesht sikur ne do të jemi me Zotin dhe do të kemi bollëk e çdo gjë tjetër. Nuk ndodh kështu! Ne do të kemi një pasuri tjetër, shumë më të madhe se kjo. Çdo njeri që udhëton me Krishtin, padyshim që do të fitojë mendjen dhe shpirtin e Krishtit. Nëse ne kemi këtë lloj fryme, atëherë do të kemi gëzim. Shumë shenjtorë i bënin Zotit një lutje, që duket shumë e habitshme për veshët tanë sot, duke i kërkuar Atij të mos u jepte aq shumë gëzim, sepse nuk e mbanin dot. Ata mund të mos kishin asgjë, mund të ishin në shpellë, të zbathur, por gëzimi që vjen nga prania e Zotit nuk mund të krahasohet dot me asnjë gëzim tjetër. Dhe kjo arrihet vetëm kur ne kalojmë nëpërmjet mohimit të vetes, pranimit të kryqit dhe ndjekjes pas së Krishtit. Udhëtimi me Zotin është një udhëtim jashtëzakonisht i bukur.
Njerëzit që kanë pasur një përvojë paksa të gjatë me të, kur kthejnë kokën pas dhe shikojnë udhëtimin e tyre në të cilin ndiejnë edhe praninë e Zotit, kanë një gëzim të parrëfyer. Pikërisht, gëzimi është ai që i mungon botës së sotme. Jashtë Zotit, ne nuk mund të kemi gëzim, është e pamundur! Njerëzit shpeshherë mund ta ngatërrojnë kënaqësinë me gëzimin. Ato nuk janë e njëjta gjë. Kënaqësitë janë gjëra të përkohshme, ndërsa gëzimi është i përjetshëm. Ai është një element i thellë shpirtëror që ndryshon shpirtin e njeriut dhe ndriçon mendjen e tij. Vetëm njerëzit që e kanë provuar këtë, e kuptojnë se çfarë do të thotë ky lloj gëzimi tjetër. Dhe kur e provon këtë lloj gëzimi, njeriu nuk mund të bëjë dot një jetë tjetër pa këtë gëzim, se është si dikush që shijon një ushqim jashtëzakonisht të mirë dhe e do vazhdimisht atë; ushqimi shpirtëror është gëzimi më i madh që mund të ketë njeriu.
Prandaj udhëtimi me Zotin është një udhëtim i gjatë. Nuk është një sprint, por është një maratonë. Ndoshta do të ishte mirë të bëhej shpejt, për shembull brenda një muaji apo në viti. Ky udhëtim është deri në fund të jetës dhe në Ungjill Zoti na thotë ne “lum ai që do durojë deri në fund”. Dikush mund ta fillojë mirë udhëtimin, por e mbaron keq dhe e kundërta. Juda e filloi shumë mirë. Ai shte një nga 12 nxënësit e Zotit, por e përfundoi keq. Shën Pavli e filloi keq, madje duke i persekutuar të krishterët, por e mbaroi mirë. Udhëtimi është shumë i gjatë, por me Zotin ai do të jetë i mbushur me gëzim. Ky udhëtim me Zotin, në fakt, është e vetmja jetë ku mund të gjejmë realisht gëzim. Prandaj thotë profeti Isaia se nuk ka gëzim për të paudhët. Nuk ka gëzim atje ku është e keqja, atje ku ka mërira, inate, shpifje, thashetheme, grindje. Nuk ka gëzim dhe asnjë prej nesh që bëjmë të keqen nuk do të jetë i gëzuar. Gëzimi vjen vetëm kur bëjmë udhëtimin me Zotin, kur fillojmë të pastrojmë dalëngadalë zemrën!
Ne nuk mund të shërohemi vetëm duke ndryshuar xhaketën. Njeriu shërohet duke e injektuar mjekimin në trupin e tij. Jeta shpirtërore është pikërisht ndryshimi i thellë i brendshëm. Duke pastruar zemrën në udhëtimin që bëjmë me Zotin, do të jemi ne ata që do të fitojmë më shumë. Do të jemi ne ata që do të ndiejmë gëzim e do të përjetojmë përmbushje në botë. Pjesa më e madhe e njerëzimit shpesh e ndien zbrazësinë brenda. Të gjithë njerëzit e ndiejnë këtë zbrazësi të brendshme, e cila njihet si ankthi ekzistencial. Njeriu ka një lloj shqetësimi të thellë dhe një boshllëk shpirtëror, të cilin shpeshherë përpiqet ta mbushë me gjëra nga jashtë: dikush me droga, dikush me dëfrime, e dikush me pasuri apo me pushtet. Por ato janë të përkohshme dhe, me kalimin e kohës, duhet ta rritësh dozën. Në fillim, për shembull, alkooli të gëzon pak, por kur del pija, njeriu është akoma më i trishtuar. E njëjta gjë ndodh edhe me pushtetin ose me paratë. Kjo garë nuk ka asnjëherë mbarim dhe nuk mund të gjejë kurrë fund. Gjithmonë do të kërkosh një dozë më të madhe dhe kjo sjell një dëshpërim akoma më të madh.
E vetmja gjë që e përmbush njeriun është pikërisht prania e Zotit. Me të drejtë thoshte Shën Agustini: “O Zot, ne jemi krijuar sipas ikonës tënde e nuk do të gjejmë asnjëherë prehje nëse nuk pushojmë tek ty”. Vetëm tek Zoti njeriu mund ta gjejë përmbushjen e tij të plotë, që do të thotë ta realizojë veten. Jashtë Perëndisë kjo gjë nuk realizohet. Prandaj, kjo është e vetmja rrugë për të arritur atje. Zoti në fillim u thotë dishepujve: “Do të shkoj t’ju bëj gati vendin. Ju e dini rrugën”. Dhe përse? Ky është udhëtimi i njeriut për t’u kthyer përsëri në qiell. Këtë do të thotë udhëtimi me Krishtin. Nëse njeriu fiton përjetësinë, ka fituar gjithçka. Nëse humb përjetësinë, sikur të ketë qenë njeriu më i pasur në botë, gjithçka shkon humbje. Le të supozojmë se jeton 100 vjet. Çfarë janë 100 vjet para përjetësisë? Udhëtimi me Perëndinë është një udhëtim drejt përjetësisë, dhe shpresa e përjetësisë i jep njeriut forcë e guxim.
Shkrimtari i madh rus, Dostojevski, në një letër drejtuar mikut të tij, Majkov, ndër të tjera shkruan një varg shumë të bukur: “Shkatërrojuni njerëzve shpresën për përjetësinë dhe jeta e tyre do të thahet”. Ja, shikoni jetët e sotme, jetë të thara dhe pa gëzim. Ato janë pa praninë e një gëzimi të thellë shpirtëror, sepse shpresa për përjetësinë i jep njeriut fuqi dhe një vizion shumë më të gjerë, gjë që duket si paradoks. Megjithatë, njerëzit që e shikojnë dimensionin e përkohshëm të kësaj jete nën dritën e përjetësisë, e shijojnë edhe këtë pak kohë që u ka mbetur. Ndërsa ata që fokusohen vetëm te koha, nuk arrijnë ta shijojnë atë. U duket se po u ikën rinia, po u ikën jeta, po plaken, dhe jetojnë gjithmonë në ankth. I vetmi pozicion ku mund ta shijosh edhe kohën e përkohshme është nën dimensionin e së përjetshmes.
Djali i ri në Ungjill i bën pyetjen e duhur Krishtit, kur i thotë: “Mësues, çfarë duhet të bëj që të kem jetën e përjetshme?”. Dhe Zoti përgjigjet thjesht, por shumë thellë: “Ndiq urdhërimet”. Kjo do të thotë se udhëtimi për të arritur jetën e përjetshme bëhet duke ndjekur mësimet e Zotit, dhe ky është udhëtimi i vërtetë. Prandaj, do të dëshiroja që të gjithë, fillimisht, të lexoni Shkrimin e Shenjtë, sepse po nuk u lexua Ungjilli, nuk mund t’i dimë as mësimet e Zotit. Më pas, duhet të përpiqemi ta zbatojmë atë që lexojmë, sepse nuk mjafton vetëm leximi, por duhet edhe zbatimi.
Ashtu siç shkruan Shën Pavli në një nga letrat e tij, nuk do të shfajësohen dëgjuesit e ligjit, por zbatuesit e tij. Ne mund ta lexojmë Ungjillin, por nëse nuk e praktikojmë, nuk kemi asnjë dobi. Mund të jesh i sëmurë dhe t’i blesh të gjitha medikamentet, por po nuk i përdore, nuk shërohesh. Duke zbatuar mësimet e Zotit, ne fillojmë udhëtimin me Të. Përvoja shekullore e jetës shpirtërore në Kishën Orthodhokse është e mbushur me miliona raste e dëshmi që vërtetojnë se nuk ka udhëtim më të bukur në jetë sesa të udhëtosh me Zotin.
Uroj ta filloni këtë udhëtim të gjithë dhe, në fund, pa dyshim që do të ndieni gëzim e do të keni një jetë të plotë. Jetët e tjera do të jenë të thara shpirtërisht dhe jo të plota. Jeta e plotë do të thotë ta dyfishosh pikërisht atë talent që Perëndia i ka dhënë secilit prej nesh. S’ka njeri që nuk ka një talent, por problemi është se shpesh nuk e dallojmë atë. Përkundrazi, përqendrohemi te talenti i tjetrit, fillojmë garën me të dhe kështu humbasim edhe tonin. Çdokush ka brenda tij një talent, sepse çdo njeri është krijuar sipas ikonës së Perëndisë. Nëse njeriu fillon e pastron këtë ikonë, gjë që do të thotë ta zhvillojë talantën e tij, pa dyshim që ai do të përmbushet. Dhe kjo përmbushje do t’i sjellë atij dritë dhe gëzim në shpirt.
Kampi Orthodhoks për vajza: “Bariu i Mirë”
Manastiri i Shën Joan Vladimirit, Elbasan
21 korrik 2026
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
Διαδώστε: