21 Νοεμβρίου, 2019

USHQIMI I PËRDITSHËM

Διαδώστε:

Ai që lexon Dhiatën e Re dhe pranon që në fillim ato që miraton dhe zbaton Kisha jonë Orthodhokse , ai që dëshiron të jetë realisht dhe jo vetëm i krishterë me emër, vetëm ai ndien thellë brenda vetes urinë për Bukën e Jetës dhe për Gjakun e Krishtit sa më shpesh që të jetë e mundur.
O vëlla, mos u kujto për ushqimin e shpirtit vetëm për Krishtlindje dhe Pashkë, dhe më e shumta, për 15 Gushtin, sepse të kungohesh vetëm tri herë në vit është një dënim, që cakton Kisha për ata që ranë në mëkate të rënda.
Dashuria e Krishtit, porosia e Kishës, interesi i përjetshëm i shpirtit tënd është që të kungohesh, nëse ke mundësi, sa herë që merre pjesë në Liturgjinë Hyjnore.
Të krishterët e parë kungoheshin çdo ditë. Më vonë, në vitet e shën Vasilit të Madh, kungoheshin katër herë në javë. Dhe meqenëse gjatë Kreshmës së Madhe nuk kryheshin përditë Liturgji, Kisha caktoi të kryhet Liturgjia e Dhuratave të Para shenjtëruara.
Sipas kanonit të 66-të të Sinodit të Gjashtë Ekumenik, të krishterët duhet të kishërohen gjatë gjithë javës së Pashkës, e cila konsiderohet si një ditë, dhe çdo ditë të kungohen, që me Kungimin e përditëshëm, të jenë bashkë me Krishtin “të bashkë ngjallur dhe të bashke lavdëruar”.
Duke vazhduar më tej, Kanoni i 9-të Apostolik, të cilin e vërtetoi Sinodi i Gjashtë Ekumenik, cakton çkishërim për të krishterët, të cilët marrin pjesë në liturgjinë Hyjnore dhe largohen pa u kunguar.
Nuk do të na duket aspak hiperbolike, nëse mendojmë se cili është qëllimi i Liturgjisë Hyjnore, nëse vërejmë me kujdes lutjet dhe uratat e saj. Çfarë thuhet dhe çfarë bëhet në këtë orë? Në pjesën e parë të saj, Liturgjia është kryerja e Misterit të Falënderimit Hyjnor, dhe në të dytën, kungimi i besimtarëve.

Në mënyrë krejt të natyrshme pyet shën Joan Gojarti: Thuamë, të lutem, nëse dikush ftohet në një drekë dhe, pasi ka larë duart dhe ulet në tryezë refuzon të hajë, a nuk e fyen kështu atë që e ftoi? Prandaj, në shekujt e parë, pas leximit të Apostullit dhe të Ungjillit, katikumenët dhe të penduarit me kanon largoheshin nga kisha. Mbeteshin vetëm ata që ishin gati të kungoheshin. Një është udha e drejtë që duhet të ndjekësh në këtë çështje të rëndësishme, o vëlla i dashur. Përpiqu të shkosh shpesh në Rrëfim, ta pastrosh shpirtin. Dhe ati shpirtëror, në vartësi të gjendjes sate shpirtërore, do të të caktojë sa herë duhet të kungohesh. Dhëntë Zoti të na denjësojë të kthemi shpejt në jetën e Kishës së parë Apostolike e të kungohemi çdo ditë. Vetëm atëherë do të kishim rilindje dhe ritje shpirtërore në ngjasim me Zotin Krisht, të cilën e dëshirojmë me mall.
Zyra e Katekizmit KOASH/facebook

Διαδώστε: