Në datën 15 dhjetor 2022, në kuadër të infrastrukturës kërkimore shkencore europiane RESILIENCE, “Albanian University”, në bashkëpunim me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Kolegjin Universitar “LOGOS”, zhvilluan aktivitetin me temë “Krishterimi Orthodhoks në Shqipëri, në 20 shekuj”.
Aktiviteti u hap nga Prof. Dr. Kaliopi Naska, e cila në fjalën e saj vuri theksin në rëndësinë e këtij programi, i cili bashkon komunitetet fetare për të sjellë në vëmendje kontributin për kulturën, trashëgiminë kulturore, historinë dhe vlerat e krijuara dhe të ruajtura ndër shekuj nga këto komunitete në Shqipëri.
Prof. Asoc. Dr. Genta Rexha prezantoi për të pranishmit infrastrukturën kërkimore shkencore RESILIENCE, që synon të nxjerrë në pah përmes këtyre aktiviteteve thesaret e fshehura të kulturës fetare të vendit tonë, për t’i bërë të disponueshme për të gjithë kërkuesit, studiuesit dhe palë të tjera të interesuara.
Për Kishën Orthodhokse, Episkopi i Bylisit, Hirësi Asti, dha një panoramikë mbi Krishterimin Orthodhoks në mijëvjeçarin e parë në Shqipëri. Më pas, studiuesi Dr. Thoma Shkira, pedagog në Kolegjin Universitar “Logos”, foli për Krishterimin Orthodhoks në mijëvjeçarin e dytë në Shqipëri, duke e shoqëruar prezantimin edhe me imazhe të shumta nga vepra të ndryshme të kultit dhe artit.
Prezantimet përforcuan tek të pranishmit interesimin për t’u bërë pjesë e aktiviteteve të ardhshme në kuadër të këtij programi.
Të pranishëm në aktivitet ishin edhe rektori i “Albanian University”, Prof. Dr. Pavllo Kongo, përfaqësues të Komunitetit Shtetëror të Kulteve, pedagogë dhe etj.
Në fund të veprimtarisë, Episkop Asti i dhuroi Universitetit disa botime mbi historinë e Krishterimit Orthodhoks në Shqipëri.