Në një atmosferë të ngrohtë shpirtërore dhe mikpritjeje të veçantë, komuniteti orthodhoks i Kavajës priti sot vizitën e Kryebariut, Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, z. Joan.
Liturgjia Hyjnore në Kishën e Shën e Premtes – Fshati Çetë
Dita nisi me kremtimin e Liturgjisë Hyjnore në Kishën e Shën e Premtes në fshatin Çetë, në nder të Dëshmores së Madhe Shën e Premte. Besimtarë nga zona dhe më gjerë u mblodhën për të marrë pjesë në këtë ngjarje të rrallë, ku Fortlumturia drejtoi shërbesën së bashku me klerikë të zonës.
Në predikimin e Tij të thellë shpirtëror, ndër të tjera, Kryepeshkopi theksoi: “Shën e Premtja nuk dëshmoi vetëm me fjalë, por me jetën dhe gjakun e saj dashurinë për Krishtin… ajo na fton të mos kemi frikë të dëshmojmë Krishtin në jetën tonë të përditshme – me pastërti, me dashuri dhe me qëndrueshmëri në të vërtetën e Ungjillit.”
Në përfundim të Liturgjisë, Ikonom Stavrofor Atë Petro Thanasi mbajti një fjalë përshëndetëse, duke falënderuar Fortlumturinë për praninë dhe kujdesin baritor ndaj besimtarëve të kësaj treve.
Vizita në Kishën e Shën Nikollës – Qyteti i Kavajës
Pas Liturgjisë, Fortlumturia vizitoi Kishën e Shën Nikollës në qytetin e Kavajës. Në ambjentet e saj u zhvillua një takim i përzemërt me Kryetarin e Bashkisë së Kavajës, z. Fisnik Qosja, ku u theksua rëndësia e bashkëpunimit të shëndetshëm mes Kishës dhe autoriteteve vendore në shërbim të komunitetit.
Vizita në Muzeun Etnografik të qytetit
Në vazhdim, Kryepeshkopi Joan, i shoqëruar nga z. Qosja dhe përfaqësues të Kishës vendore, vizitoi Muzeun Etnografik të Kavajës, ku u njoh nga afër me trashëgiminë historike dhe kulturore të kësaj treve. Ai vlerësoi ruajtjen e identitetit kulturor si një urë që lidh brezat dhe forcon kujtesën shpirtërore të popullit.
Dreka nderi në prani të komunitetit.
Në përmbyllje të vizitës, u organizua një drekë nderi në ambient familjar dhe miqësor, ku morën pjesë përfaqësues të pushtetit lokal, klerikë, intelektualë, biznesmenë dhe besimtarë të thjeshtë. Në këtë tryezë të përbashkët u ndanë falënderime dhe u përcollën mesazhe bashkimi, mirënjohjeje dhe frymëzimi për të ardhmen.
Kjo vizitë e Fortlumturisë së Tij përbën një ngjarje të rëndësishme për jetën shpirtërore të qytetit dhe rrethinës së Kavajës, si dëshmi e kujdesit baritor dhe e forcimit të lidhjes së gjallë midis Bariut dhe grigjës së tij.
Përgatiti për Radio Ngjallja z. Harallamb Tereziu, pedagog pranë Akademisë Teologjike në Shën Vlash të Durrësit.
28 Ιουλίου, 2025
Vizita e Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit Joan në Kavajë
Διαδώστε:

Διαδώστε: