Kronikë për media – 15–16 qershor 2025
Vizita e Fortlumturisë së tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Imzot Joanit, në Komunitetet e Megalo Reuma (Arnavutköy) dhe të Neohorit në Bosfor.
Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Patriarkanën Ekumenike, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, zhvilloi dy takime domethënëse me komunitetet orthodhokse të Megalo Reuma dhe të Neohorit të Bosforit.
Të dielën, më 15 qershor 2025, në orën 18:30, Kryepiskopi Joan vizitoi Kishën e shenjtë të Taksiarkëve të Mëdhenj në Megalo Reuma (Arnavutköy), një lagje e njohur për lidhjet e saj të hershme me shqiptarët e Epirit, të vendosur aty nga Sulltan Mehmeti II pas rënies së Kostandinopojës. Në hyrje të kishës, ai u prit me nderime nga Hirësia e
Tij, Mitropoliti i Kydonieve, z. Athinagora, përgjegjës kishtar i komunitetit dhe mbikëqyrës i prefekturës së Bosforit.
Kryepiskopi u shoqërua nga Mitropoliti i Dherkonit, z. Apostolos, Eklesiarku i Madh, atë Aetios, nënsekretari Oikoumenios dhe dhjak Evlogjios, kodikograf i Sinodit të Shenjtë. Pas shërbesës dhe përshëndetjes në kishën e shenjtë, në orën 20:30, Komuniteti i Megalo Reuma shtroi një darkë zyrtare në sallën komunitare në nder të Fortlumturisë së Tij, e cila u nderua edhe me praninë e Tërëshenjtërisë së Tij, Patriarkut Ekumenik, z. Vartholome.
Të hënën, më 16 qershor 2025, Kryepiskopi Joan vijoi vizitat në komunitetet e Bosforit me ndalesën në Neohorion (Yeniköy), një tjetër qendër e rëndësishme e besimtarëve orthodhoksë. Në orën 09:00, ai u nis nga hoteli i tij drejt zonës përkatëse, i shoqëruar nga Mitropoliti i Kydonieve, z. Athinagora dhe atë Evlogjios. Në orën 09:30, Komuniteti i Neohorit shtroi një mëngjes të ngrohtë në restorantin “464 Yeniköy”, në nder të Fortlumturisë së Tij, me pjesëmarrjen e veçantë të Patriarkut Vartholome.
Këto vizita simbolike në dy prej komuniteteve më të lashta orthodhokse të Bosforit përforcuan ndjenjën e vëllazërisë kishtare, duke lidhur historinë me të tashmen dhe dëshmuar kujdesin e ndërsjellë midis Kishës Nënë të Kostandinopojës dhe Kishës Autoqefale të Shqipërisë.
