13 Μαΐου, 2026

Vizitë studimore në Qendrën Sinodike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

Διαδώστε:

Shkolla Verore e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë / Universiteti i Tiranës promovon modelin e harmonisë fetare në Shqipëri
Më 12 maj 2026, në kuadër të programit akademik të Shkollës Verore të organizuar nga Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, me temë “Tirana, Ikona Europiane e Harmonisë Fetare”, një grup studentësh dhe studiuesish zhvilluan një vizitë studimore dhe kulturore në Qendrën Sinodike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe në Katedralen Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, duke e kthyer këtë aktivitet në një platformë të rëndësishme reflektimi mbi trashëgiminë shpirtërore, historike dhe kulturore të Shqipërisë bashkëkohore.
Vizita u zhvillua nën kujdesin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Imzot Joanit, ndërsa pjesëmarrësit u pritën nga Episkopi i Amantias Hirësia e Tij z.Ignat, Protopresviteri i Kryepiskopatës së Hirshme At Spiro Topanxha dhe At Grigor Pelushi.
Delegacioni akademik udhëhiqej nga pedagoget e Universitetit të Tiranës: Prof. As. Dr. Esmiralda Kolaneci, Prof. As. Dr. Erida Pejo, Prof. As. Dr. Meljana Bregu dhe Prof. As. Dr. Juliana Gjinko.
Programi i Shkollës Verore synon të analizojë dhe promovojë modelin e bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri, një fenomen i njohur ndërkombëtarisht si shembull i tolerancës, dialogut dhe respektit reciprok midis komuniteteve fetare.
Në një kohë kur Europa dhe bota përballen me sfida të identitetit kulturor, polarizimit dhe ekstremizmit, përvoja shqiptare paraqitet si një rast unik studimi në fushën e historisë së feve, sociologjisë, antropologjisë kulturore dhe diplomacisë ndërfetare.
Takimi i zhvilluar në Sallën e Pritjeve të Qendrës Sinodike u përqendrua në historikun e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, rolin e saj në formimin e identitetit shpirtëror dhe kontributin e saj në jetën kulturore, arsimore e sociale të vendit.

Në fjalën përshëndetëse, Hirësia e Tij, Episkopi i Amantias z. Ignat, paraqiti një panoramë historike të zhvillimit të Kishës Orthodhokse në Shqipëri, duke u ndalur veçanërisht në periudhën dramatike të përndjekjes ateiste gjatë regjimit komunist, kur institucionet fetare u shkatërruan sistematikisht dhe jeta shpirtërore u ndalua me dhunë shtetërore.
Ai theksoi se ringritja e Kishës pas viteve ’90 përbën një nga proceset më të rëndësishme të rikonstruktimit shpirtëror dhe institucional në historinë moderne të Shqipërisë, duke vlerësuar kontributin historik të Kryepiskopit të ndjerë imzot Anastasit (1929 -2025), i cili udhëhoqi rilindjen dhe ringritjen e Kishës nga rrënojat materiale dhe morale të periudhës totalitare.
Gjatë bashkëbisedimit me studentët, u diskutua gjerësisht mbi misionin aktual të Kishës në shoqërinë shqiptare, sfidat e ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore dhe nevoja për forcimin e dialogut ndërfetar si instrument i paqes sociale dhe mirëkuptimit qytetar.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua veprimtarisë edukative, filantropike dhe humanitare të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila në dekadat e fundit ka investuar në ndërtimin e institucioneve arsimore, qendrave sociale, projekteve shëndetësore dhe nismave në mbështetje të shtresave në nevojë.
Pjesëmarrësit patën mundësi të vizitonin ambientet e Katedrales Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”, një nga veprat më përfaqësuese të arkitekturës bashkëkohore fetare në Ballkan, e konsideruar jo vetëm qendër adhuruese dhe liturgjike, por edhe simbol i rilindjes shpirtërore të vendit pas dekadave të ateizmit institucional.
Vizita përfshiu gjithashtu Qendrën Kulturore, Kishëzën e “Lindjes së Krishtit” dhe Kriptin ku prehet Kryepiskopi i lumur imzot Anastasi, personalitet i cili gëzon vlerësim të gjerë në arenën ndërkombëtare për kontributin e tij në rindërtimin institucional të Kishës, promovimin e paqes dhe dialogut ndërkulturor në rajon, veprën e të cilit e vijon sot me plot hir dhe dinjitet, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, imzot Joani.
Kjo vizitë përbën një shembull domethënës të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe komuniteteve fetare në funksion të edukimit qytetar dhe kulturor të brezit të ri. Përmes leksioneve, diskutimeve dhe kontakteve të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e komuniteteve fetare, studentët kanë mundësinë të njihen nga afër me dimensionin historik dhe bashkëkohor të bashkëjetesës fetare në Shqipëri.
Pedagoget organizatore vlerësuan rëndësinë e këtyre aktiviteteve në formimin akademik të studentëve, duke theksuar se njohja direkte me institucionet dhe trashëgiminë fetare ndihmon në krijimin e një perspektive më të plotë shkencore mbi historinë sociale dhe kulturore të Shqipërisë.
Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit shprehën mirënjohje për mikpritjen dhe gatishmërinë e përfaqësuesve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë për të ndarë përvojën e tyre institucionale dhe shpirtërore me botën akademike.
Vizita në Qendrën Sinodike dhe në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë konfirmoi edhe një herë se modeli i harmonisë fetare në Shqipëri mbetet një pasuri kombëtare me rëndësi të veçantë për identitetin europian të Shqipërisë dhe për kulturën e dialogut në rajon.

media.ngjallja.org

Διαδώστε: