Shpallet “Qytetar Nderi” i qytetit – një jetë në shërbim të Perëndisë dhe Kishës së Shenjtë
Kisha e Shën Theodhorit, 10 gusht 2025, Vlorë
Me solemnitet dhe emocion të thellë, qyteti i Vlorës dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë përkujtuan sot 25-vjetorin e jetëndërrimit të Episkopit të Apollonisë, Hirësi Kozma Qirjo, figurë e shquar shpirtërore dhe hero i besimit orthodhoks në kohët më të vështira të periudhës së diktaturës ateiste, lindur në fshatin Bestrovë të Vlorës.
Aktivitetet përkujtimore në nderim të këtij personaliteti të madh nisën me Shërbesat e Mëngjesores, Liturgjinë Hyjnore dhe shërbesën e Përshpirtjes, të drejtuara nga Kryepiskopi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Imzot Joani, në bashkëmeshim me Mitropolitin e Fierit Hirësi Nikollën; Mitropolitin e Beratit, Hirësi Astin dhe Episkopin e Krujës, Hirësi Anastasin.
Kryepiskopi Joan në fjalën e tij përmendi përkushtimin e palëkundur të Hirësisë së Tij Kozmait për t’i shërbyer Kishës dhe vlerave të përjetshme të Ungjillit në kohët më të vështira të diktaturës ateiste. “Jeta e tij është një dëshmi e gjallë se besimi dhe dashuria mund të mbajnë të gjallë shpresën edhe në kohët më të vështira të mohimit dhe pabesisë” – theksoi Kryepiskopi Joan.
Të pranishëm ishin klerikë nga dioqezat e vendit, përfaqësues të autoriteteve lokale dhe vendore, si dhe dhjetëra besimtarë e qytetarë të thjeshtë, të cilët e njihnin dhe e nderonin figurën e tij.
Shpallja “Qytetar Nderi” i Vlorës
Në një ceremoni të veçantë, Këshilli Bashkiak i Vlorës i akordoi Hirësisë së Tij Imzot Kozmait titullin “Qytetar Nderi”, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në ruajtjen e vlerave shpirtërore, forcimin e bashkësisë shpirtërore dhe mbajtjen të ndezur të pishtarit të besimit kur kjo vepër dënohej me ligj.
Ky vlerësim u shoqërua me duartrokitje nga të pranishmit, ndërsa titulli iu dorëzua At Ilia Qirjos, i biri i të lumurit Hirësi Kozmait.
Jeta dhe veprimtaria
Hirësi Kozmai lindi në Bestrovë të Vlorës, në një familje të devotshme orthodhokse. Që në moshë të re u dallua për thjeshtësinë, urtësinë dhe prirjen e tij të natyrshme për t’iu shërbyer Kishës dhe të tjerëve. Arsimin fillestar e mori në vendlindje, ndërsa formimin teologjik e vazhdoi në shkollat dhe institucionet kishtare të kohës, duke fituar respektin e mësuesve dhe miqve të tij për seriozitetin dhe dashurinë për Zotin, Shkrimin e Shenjtë dhe dijen.
Si klerik dhe më pas si Hierark i Kishës, ai shërbeu në periudha të ndërlikuara për vendin, duke u bërë zë i fortë për mbrojtjen e besimit dhe për ruajtjen e unitetit shpirtëror. Në të gjitha shërbesat e tij, ai tregoi përulësi, mençuri dhe një dashuri të pakufishme për njerëzit, pa dallim gjendjeje shoqërore apo bindjeje. Ai i qëndroi pranë Fortlumturisë së Tij, të lumurit, Imzot Anastasit, që nga momenti kur ai erdhi në Shqipëri në Korrik të 1991 e deri sa dorëzoi shpirtin e tij tek Perëndia.
Episkopi Kozma u bë një pikë referimi për besimtarët orthodhoksë të zonës së Vlorës, Tiranës, Durrësit, Sarandës, Korçës dhe më gjerë, duke u kujdesur për besimtarët, duke i inkurajuar ata të mos hiqnin dorë nga besimi duke ofruar shembullin dhe modelin se asnjë pushtet apo fuqi njerëzore nuk mund ta zhdukë besimin.
Kujtimi që mbetet i gjallë
Pas Shërbesave të Shenjta, të pranishmit vizituan varrin e tij në Kishën e Pesë Martirëve në Bestrovë, duke vendosur lule dhe duke bërë lutje për shpirtin e tij. Në një drekë Përkujtimoreje, klerikë, miq, bashkëpunëtorë dhe besimtarë ndanë kujtime e rrëfime të paharrueshme, duke dëshmuar se figura e tij vazhdon të frymëzojë edhe pas një çerek shekulli.
25-vjetori i ndarjes nga jeta i Hirësisë së Tij Kozma Qirjo nuk ishte thjesht një përvjetor, por një mesazh i fuqishëm që vepra e mirë nuk shuhet, por mbetet e gjallë në kujtesën e njerëzve dhe në jetën e Kishës.
Një moment tepër emocionues ishte kur Kryepiskopi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë Imzot Joani vizitoi shtëpinë e Hirësi Kozmait si edhe bodrumin e kësaj shtëpie në fshatin Bestrovë ku ai u pagëzua prej Hirësi Kozmait në vitin 1974.
I përjetshëm kujtimi i tij!
