06/02/2025 06/02/2025 Përkthim Shqip: Harallamb Terziu Jam shumë i gëzuar të kujtoj figurën e Kryepeshkopit Anastas. E njihja prej më shumë se 30 vitesh, që kur erdhi në Shqipëri, edhe pse për famën e tij kisha dëgjuar më herët, si një njeri, si një studiues i religjioneve, një personalitet i interesuar për dialogun dhe thellimin. Sepse për...
06 Φεβρουαρίου, 2025 - 15:01

Andrea Riccardi – Themeluesi i Komunitetit të Sant’Egidio “Anastasi i Shqiptarëve”

Διαδώστε:
Andrea Riccardi – Themeluesi i Komunitetit të Sant’Egidio  “Anastasi i Shqiptarëve”

Përkthim Shqip: Harallamb Terziu
Jam shumë i gëzuar të kujtoj figurën e Kryepeshkopit Anastas. E njihja prej më shumë se 30 vitesh, që kur erdhi në Shqipëri, edhe pse për famën e tij kisha dëgjuar më herët, si një njeri, si një studiues i religjioneve, një personalitet i interesuar për dialogun dhe thellimin. Sepse për Anastasin, të krishterët nuk ishin të izoluar në botë; për Anastasin, Kisha Ortodokse nuk ishte e izoluar në botë, por duhej të shihte dhe të kuptonte realitetin.
Unë e kam njohur Shqipërinë e viteve ’80 – izolimin e një vendi nën diktaturë, një vend të cilit diktatura i kishte mbyllur madje edhe qiellin, i kishte ndaluar hapësirën e besimit. Të gjitha besimet, si ai ortodoks, katolik, islam, bektashi, kanë vuajtur shumë nën diktaturën komuniste. Kishat dhe religjionet ishin të shkatërruara dhe Anastasi erdhi me eksperiencën e tij si një njeri universal.
Po, Kryepeshkopi Anastas është grek, ka lindur në Greqi, ka studiuar në Greqi, i ka takuar Kishës greke dhe është me kulturë greke. Por ai është një njeri universal, vërtet i pakufi, “ekumenikos anthropos”, një njeri ekumenik.
Ai erdhi në Shqipëri me mision nga Patriarkana Ekumenike për të bërë diçka për këtë Kishë të mjerë, të rrënuar. Por të gjithë e konsideronin një të huaj, thuajse një kolonizator të fesë, në emër të vlerave të greqizimit. Por Anastasi nuk ishte ky. Anastasi ishte njeriu i Ngjalljes. Edhe pse i madh në moshë, 60 vjeç, unë jam dëshmitar i shumë takimeve ku ai tregonte se sa i deshi shqiptarët – ata të vuajturit, të plagosurit e diktaturës, të rinjtë shqiptarë që donin një jetë ndryshe; sa e deshi tokën, panoramën, Tiranën, qytetet e Shqipërisë, si u përfshi tërësisht me njerëzit e tij. Dhe në fund, Anastasi u përfshi edhe në marrjen e nënshtetësisë shqiptare, sepse për të nënshtetësia shqiptare ishte e rëndësishme – jo sepse kishte nevojë për pasaportë, por sepse tashmë emri i tij ishte Anastasi i Shqipërisë, sepse ishte bërë shqiptar me shqiptarët. Duke ndjerë dhimbjet e tyre, gëzimet e tyre, pritjet e tyre.
Kisha Ortodokse e Shqipërisë u ngjall. Ky intelektual, ky shërbestar, si meshonte Anastasi dhe si mësoi shumë priftërinj, madje dhe peshkopë shqiptarë se si të celebronin Liturgjinë Hyjnore me dinjitet, thjeshtësi, besim dhe solemnitet.
Ky intelektual, ky shërbestar, ky njeri i lutjes intensive, u bë dhe inxhinier, arkitekt, projektues, një njeri që tregoi aftësi të jashtëzakonshme ekonomike. Nxori në pah diçka që nuk ja njihnim: një sens konkret, një konkretësi të lirë, të cilën vetëm një njeri shpirtëror mund ta ketë.
Dhe mbi 60 vjeç, u bë murator dhe pastor në të njëjtën kohë, meshtar dhe predikues, dhe pastaj edhe pelegrin për Kishën, nëpër rrugët e Shqipërisë, të cilat në vitet ’90 ishin në vështirësi. Dhe ai, edhe pse i sëmurë në fizikun e tij, nuk u kursye.
Ekzistojnë imazhe të cilat dhe unë vetë i kam parë në katedralen e vjetër – atë të cilën Enver Hoxha ua dha ortodoksëve dhe pastaj ua mori sërish – me një ëmbëlsi të jashtëzakonshme. Kujtoj fytyrat e të krishterëve ortodoksë që kishin dalë nga persekutimi, që shikonin drejt atij që ishte kryetari i komunitetit, një teolog i laikëve, me gëzim. Ishte pastori i tyre, që do t’i çonte drejt ngjalljes.
Anastasi ishte njeriu i Ngjalljes, i Pashkës së Kishës Ortodokse shqiptare pas një së Premte të Madhe të gjatë, shumë të gjatë, për të gjithë – për laikët, priftërinjtë dhe murgjit.
Por ai nuk ishte thjesht njeriu i kalimit nga e shkuara në të tashmen. Anastasi shikonte të ardhmen. Shikonte të ardhmen e Shqipërisë, të ardhmen e popullit të tij ortodoks. Dhe duke parë të ardhmen, ky njeri tashmë i rënduar nga vitet, nuk ishte i lodhur. Kishte kufizimet, por edhe entuziazmin dhe vizionin e një të riu, thuajse sikur nuk do të vdiste kurrë. Sepse e dinte që Kisha e tij nuk do të vdiste kurrë. E dinte që Shqipëria kishte një të ardhme dhe ai donte të ishte pjesë e saj.
I hapur me të gjithë – me katolikët, me myslimanët, me bektashinjtë – ai ishte me të vërtetë një udhëheqës shpirtëror, nacional, shqiptar. Por jo vetëm shqiptar. Në botën ortodokse, pozicioni i tij për bashkim dhe kungim ishte i njohur edhe në vështirësitë aktuale ndërmjet Kostandinopojës dhe Moskës. Para dy vitesh më thoshte:
“Unë kam dy vite përpara, më thoni ju çfarë mund të bëj për unitetin e Kishës? Si mund të jap më shumë?”
Ngrinte pyetje, donte të bënte akoma.
Dhe pjesëmarrja e shumë njerëzve në funeralin e tij ishte një moment i madh i unitetit të kishave të krishtera dhe i unitetit të Shqipërisë, por edhe i një bote të gjerë të grave dhe burrave të vullnetit të mirë.
Ishte një edukator i madh për popullin e tij. Unë kam njohur komunitete shqiptarësh, kam njohur priftërinj shqiptarë, kam parë të rinj e të rritur të përfshirë në Liturgji, në lutje me një edukim biblik të thellë, sepse Anastasi që në rininë e tij ishte rritur me shkollën e Biblës, me shkollën e Etërve dhe me shkollën e Liturgjisë. Rrënjët e tij shtriheshin në krishterimin e shekujve të parë, dhe megjithatë, ai ishte një njeri i një moderniteti të madh. Do të thoja, një i krishterë i vërtetë, një i krishterë i ditur në botën globale në të cilën shtetet kanë hapësirën e tyre, dhe në të cilën Kisha ka mesazhin e paqes.
Me sa entuziazëm mori pjesë në Sinodin e Kretës, pavarësisht vështirësive. Si më priste! Dhe tani dua të bëj një dëshmi personale: çdo herë më priste me një dashuri të madhe, duke më shoqëruar deri në fund të shkallëve kur largohesha, deri te makina. Sa interes kishin bisedat në drejtimin e raportit personal.
Ne të Sant’Egidios që e kemi mikpritur këtu në SantEgidio e kujtojmë si një mik, për më tepër do të thoja si një Atë dhe si një Profet. Me Anastasin vdes Lideri I fundit I madh orthodhoks që ka njohur Luftën e Dytë Botërore dhe që ka kuptuar atë që tha Patriku I madh Athenagora I Kostandinopojës : “Kishat Motra, Popujt Vëllezër”.
Anastasi më mësoi se e kundërta e paqes nuk është lufta, por egoizmi. Sepse lufta fillon nga egoizmi – personal, familjar, kombëtar, i Kishës dhe i religjionit.
Unë përshëndes me shumë dashuri kujtimin e bekuar dhe të përjetshëm të këtij lideri të madh të krishterë. Dhe e di se Kisha e Shqipërisë do ta ruajë dhe do të japë frytet e trashëgimisë së tij.
Shpreh dhimbjen time por edhe krenarinë personale ta kem njohur si mik, si mik më i ri një njeri si Krypeshkopi Anastas, Anastasi i Shqipërisë

Radio “Ngjallja”

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων