Fronëzimi i Hirësisë së Tij Imzot Anastasit si Mitropolit i Mitropolisë së Shenjtë të Korçës – Një Ngjarje Historike për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
Më 27 shtator 2025, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë, u zhvillua ceremonia solemne e Fronëzimit të Hirësisë së Tij, Mitropolitit Anastas, në krye të Mitropolisë së Shenjtë të Korçës – një moment kulmor për jetën kishtare dhe shpirtërore të qytetit dhe më gjerë.
Në këtë akt solemn, mori pjesë Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Joani, i shoqëruar nga Anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Ceremonia e Fronëzimit, e zhvilluar sipas traditës të Kishës Orthodhokse, u karakterizua nga një solemnitet i thellë liturgjik, por njëkohësisht edhe nga një atmosferë festive e ngrohtë. Besimtarë të shumtë nga Korça, por edhe nga Mitropolitë e tjera të vendit, mbushën Katedralen për të marrë pjesë në këtë moment të rëndësishëm historik dhe shpirtëror.
Fronëzimi i Mitropolitit Anastas në këtë qytet me tradita të thella Orthodhokse, vjen si një bekim dhe një hap i ri në udhëtimin shpirtëror të Korçës. Figura e Tij, e njohur për përkushtimin, urtësinë dhe dashurinë baritore, pritet të sjellë vazhdimësi në trashëgiminë e lavdishme kishtare të kësaj Mitropolie dhe të forcojë më tej lidhjen ndërmjet Kishës dhe komunitetit.
Për Korçën, kjo ngjarje përfaqëson jo vetëm një zhvillim kishtar, por një festë qytetare e shpirtërore. Gëzimi që përshkoi rrugët e qytetit, mikpritja e ngrohtë dhe përkushtimi i besimtarëve dëshmojnë për rolin e pazëvendësueshëm të Kishës Orthodhokse në jetën e këtij qyteti dhe për shpresën që ajo bart për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
MEDIA NGJALLJA
27 SHTATOR 2025
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










