Fjala e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Joanit, në fronëzimin e Mitropolitit të Korçës, Imzot Anastasit
Të dashur vëllezër hierarkë, Të nderuar klerikë dhe laikë, Të dashur besimtarë.
I
Le të falënderojmë Perëndinë për dhuratën e tij të patregueshme (2 Kor. 9:15). Sot është një ditë e madhe gëzimi dhe bekimi për Mitropolinë e Korçës dhe për të gjithë Kishën tonë. Jemi mbledhur në këtë Kishë Katedrale, dedikuar Ngjalljes së Krishtit”, për të fronëzuar Mitropolitin e ri, Hirësinë e tij Anastas, një bir të devotshëm të Kishës sonë, që sjell në këtë detyrë të shenjtë një kombinim përvojash dhe përkushtimi shpirtëror.
Para se të flas për Mitropolitin e ri, më lejoni të kujtoj me mirënjohje të thellë punën titanike që është bërë në këtë Mitropoli të shenjtë nga Kryepeshkopi i ndjerë Anastas. Kur erdhi këtu, si në të gjithë Shqipërinë, gjeti një situatë tepër të vështirë. Kishat ishin të shkatërruara ose të kthyera në magazina, besimtarët ishin të frikësuar dhe të shpërndarë, klerikët pothuajse mungonin plotësisht, dhe vetë nocioni i jetës orthodhokse ishte dobësuar. Por me hirin e Perëndisë dhe me mbështetjen e besimtarëve të devotshëm, ai filloi filloj punën e madhe të rindërtimit, si për ngritjen e infrastrukturës fizike ashtu edhe asaj shpirtërore: një vepër të jashtëzakonshme, të cilën e kreu me sukses të plotë.
Unë pata bekimin dhe privilegjin të vazhdoja veprën e tij për 27 vjet. Ndonëse ishte një punë plot sfida dhe pengesa, këtu gjeta një komunitet orthodhoks të mrekullueshëm, të devotshëm dhe shpresëtar, të cilët më mbështetën dhe mu gjenden pranë në çdo vështirësi. Vitet që kam kaluar këtu janë ndër më të bukurit në jetën time dhe Korça, si edhe çdo qytet e fshat i kësaj Mitropolie, çdo kishë, çdo enori dhe çdo familje besimtare, janë dhe do të jenë përgjithmonë në zemrën time.
II
Hirësi, vëlla dhe bashkëmeshtar në Krishtin. Ti vjen në këtë Mitropoli në një moment të rëndësishëm. Themelet janë hedhur, strukturat janë ndërtuar, por puna për forcimin dhe thellimin e besimit duhet të vazhdojë me intensitet të ri. Dhe ti je personi i duhur për këtë mision. Prandaj, sot, me gëzim të madh por dhe me emocion të thellë, unë po ta dorëzoj ty këtë thesar të çmuar. Po ta dorëzoj jo si diçka që më përket mua, por si një amanet të shenjtë që Kryepiskopi Anastas ma besoi dikur mua, dhe që tani kalon te ti për ta ruajtur, kultivuar dhe zhvilluar më tej. E di që po e lë në duar të sigurta dhe të afta. Përvoja jote, formimi yt, dhe mbi të gjitha, përkushtimi yt i dëshmuar, më japin siguri të plotë se Korça do të lulëzojë nën udhëheqjen tënde.
Dhe këtu dua të ndalem pak më gjatë te shembulli yt personal, sepse është veçanërisht frymëzues për kohën tonë. Ti kishe një karrierë të shkëlqyer në botën e biznesit. Për 12 vjet ke punuar në banka prestigjioze, ke mbajtur poste drejtuese, ke pasur një të ardhme të sigurt dhe të ndritur në aspektin material. Shumë të rinj sot do të ishin të kënaqur me gjysmën e asaj që ti kishe arritur.
Por në vitin 2017, në kulmin e suksesit profesional, ti dëgjove thirrjen e Zotit: Eja pas meje! (Math. 9:9). Dhe ti, si Matheu tagrambledhës, si Pjetri dhe Andrea peshkatarë, le gjithçka dhe e ndoqe Krishtin. Kjo nuk është thjesht një histori personale – është një mesazh i fuqishëm për shoqërinë tonë materialiste që mendon se lumturia gjendet në para dhe pushtet.
Vendimi yt për të lënë karrierën bankare dhe për t’iu përkushtuar Kishës është dëshmi e gjallë se Krishti vazhdon të thërrasë njerëz në shekullin XXI, dhe se ka ende njerëz të guximshëm që i përgjigjen kësaj thirrjeje. Ti je provë e gjallë se fjala e Ungjillit është e gjallë dhe vepruese, se nuk është një relikt i së kaluarës, por forcë transformuese për të tashmen dhe të ardhmen.
III
Rruga jote drejt këtij momenti ka qenë e gjatë. Linde në Vlorë më 1979. Që i ri tregove etje për dije, duke studiuar fillimisht në Athinë për gjuhën greke, pastaj studiove në Universitetin e Vlorës duke marrë diplomë në Administrim Biznes (MSc) gjatë viteve 2001-2005. Këto studime të dhanë një formim të gjerë intelektual dhe kulturor. Ati yt shpirtëror Kozmà Qirjo, ky shërbëtor i përulur, por madhështor Kishës sonë, martir i heshtur i viteve të komunizmit, të pagëzoi në vitin 1992, duke hedhur në zemrën tënde të njomë farën e dashurisë për Krishtin dhe Kishën. Nga ai mësove se besimi i vërtetë nuk qëndron në fjalë të mëdha, por në vepra të vogla dashurie. Mësove se Kisha mbijetoi jo me politikë dhe diplomaci, por me lutje dhe sakrifica.
Bashkëpunimi yt me të paharruarin Mitropolit Ignat të Beratit ishte një tjetër shkollë formimi, ku mësove nga urtësia dhe përvoja e tij shpirtërore. Gjatë gjithë viteve në bankë, nga 2005 deri në 2017, ti nuk u shkëpute kurrë nga Kisha. Që nga viti 2006 ishe anëtar aktiv i Këshillit Kleriko-Laik, duke kontribuar me ekspertizën tënde profesionale në administrimin e Kishës.
Kur më në fund iu përkushtove plotësisht Kishës në 2017, përparimi yt ishte i shpejtë por i natyrshëm. I paharruari Kryepiskopi Anastas, duke parë përkushtimin tënd, të dorëzoi brenda dy vitesh nga dhjakon në prift, dhe më pas në arkimandrit. Kjo nuk ishte thjesht avancim hierarkik, por njohje e përkushtimit tënd të plotë. Çdo dorëzim ishte jo vetëm një akt liturgjik, por një moment formimi, një transmetim përvoje dhe urtësie.
IV
Nga mësimi i Zotit tonë Jisu Krisht, nga jeta shpirtërore e Kishës sonë në shekuj, si edhe nga paraardhësit tanë, mësojmë se një atë shpirtëror duhet ta udhëheqë grigjën e tij me dashuri dhe përkushtim. Mësojmë se bariu i vërtetë nuk sundon mbi grigjën, por i shërben asaj dhe jep jetën e tij për atë (Jn.10:11). Se dashuria baritore nuk është abstrakte, por konkrete – është të vizitosh të sëmurin, të ushqesh të uriturin, të veshësh të zhveshurin, të ngushëllosh të pikëlluarin, të forcosh të dobëtin, të mësosh të paditurin dhe të udhëheqësh të humburin.
Gjithashtu, mësojmë se si të kombinohet urtësia me thjeshtësinë, autoriteti me përulësinë, vizionin me realizmin dhe se si të ndërtojmë jo vetëm ndërtesa kishash, por edhe tempuj shpirtërorë në zemrat e njerëzve. Se gjithmonë duhet të themi të vërtetën, por siç na mëson Shën Pavli: Të themi të vërteten në dashuri (Efs.4:15), jo në urrejtje. Të urrejmë mëkatin, por ta duam mëkatarin. Dhe mbi të gjitha mësojmë ta duam Perëndinë. Edhe e dimë se të gjitha u ndihmojnë për mirë atyre që duan Perëndinë (Rom.8:26). Duke mbajtur këto mësime në mendjen dhe zemrën tënde dhe duke i zbatuar ato me përkushtim në jetën dhe punën tënde, do të shpëtosh edhe veten tënde, edhe ata që të dëgjojnë ty (1Tim. 4:16).
V
Hirësi, Korça është kryeqyteti kulturor i Shqipërisë, djep i arsimit kombëtar dhe qendër e rezistencës shpirtërore, ku lindi Rilindja Kombëtare dhe u hap shkolla e parë shqipe. Por sot, si në të gjithë vendin tonë, edhe ajo përballet me sfida të mëdha: emigrimi masiv i të rinjve, plakja e popullsisë, vështirësitë ekonomike, ndikimi i sekularizmit, humbja e vlerave tradicionale dhe dobësimi i familjes, e cila është shtylla për të patur një shoqëri të shëndetshme dhe funksionale.
Jam i bindur se do të gjesh përgjigje krijuese për këto sfida. Do të dish të komunikosh me të rinjtë në gjuhën e tyre, duke përdorur mjetet moderne, por pa kompromentuar mesazhin e përjetshëm. Përvoja jote si drejtor ekzekutiv i LOGOS, anëtar i bordeve të Klinikës “Ungjillëzimi” dhe shkollës “Frymë Dashurie”, si edhe detyra si Protosingjel i Kryepiskopatës, kanë dëshmuar aftësinë tënde për të udhëhequr institucione arsimore dhe për të kuptuar edhe dimensionin social të Ungjillit. Ndërsa studimet teologjike në Universitetin LOGOS të kanë dhënë thellësi në doktrinën dhe në jetën shpirtërore.
Ti je thirrur të jesh jo vetëm administrator i aftë, por mbi të gjitha atë shpirtëror, udhërrëfyes dhe ngushëllues. Je thirrur që të jesh një dritë që ndriçon errësirën, një zë që shpall të vërtetën, një dëshmi e gjallë se Krishti është i gjallë. Populli i Korçës pret shumë nga ty: klerikët presin udhëheqje, të rinjtë frymëzim, të moshuarit ngushëllim dhe të varfrit ndihmë.
Në momentet e vështira, kujto thjeshtësinë dhe devotshmërinë e atë Kozmait, përulësinë dhe durimin e Hirësi Ignatit, diturinë dhe dashurinë e Kryepiskopit Anastas në veprën e tij të pashoqe në ringritjen e Kishës sonë nga gërmadhat. Por sidomos kujto fjalët e Apostullit: Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon (Fil. 4:13), sepse pa Krishtin nuk mund të bëjmë asgjë (Jn. 15:5).
Nuk je vetëm – pas teje qëndron e gjithë Kisha jonë, Sinodi i Shenjtë, klerikët e nderuar dhe qindra mijëra besimtarë që do të luten për ty. Ki ndërmend gjithmonë se të është dhënë hiri i Perëndisë dhe se Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por frymë force, dashurie dhe urtësie (2Tim. 1:7). Së bashku do të vazhdojmë detyrën e shenjtë që na është besuar.
Le të lulëzojë Mitropolia nën drejtimin tënd! Le të bëhet Korça qendër rrezatimi shpirtëror për gjithë vendin tonë, model për gjithë botën orthodhokse!
Ju uroj jetë të gjatë dhe të frytshme në vreshtin e bekuar të Zotit dhe Perëndisë sonë Jisu Krisht! I denjë! Axios!
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










