U zhvilluan katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë shërbesat e shenjta, Mëngjesorja dhe Liturgjia Hyjnore
U zhvilluan katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë shërbesat e shenjta, Mëngjesorja dhe Liturgjia Hyjnore
Këto shërbesa u drejtuan nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Imzot Joani, me praninë e besimtarëve të shumtë që kishin mbushur katedralen.
Kjo e diel në kalendarin liturgjik përkon me të Dielën II sipas Llukait ku fragmeti i Ungjillit ka në qendër të tij temën “duajini armiqtë”. Ja se çfarë na thotë pjesa e Ungjillit që u lexua sot:
UNGJILLI – Llukai 6:31-36.
“Edhe siç doni t’ju bëjnë juve njerëzit, edhe ju bëjuni atyre po ashtu. Edhe nëse doni ata që ju duan, çfarë hiri keni ju? Sepse edhe mëkatarët duan ata që i duan. Edhe nëse u bëni mirë atyre që ju bëjnë mirë juve, çfarë hiri keni ju? Sepse edhe mëkatarët po atë bëjnë.
Edhe nëse u jepni hua atyre, prej të cilëve shpresoni t’i merrni prapë, çfarë hiri keni ju? Sepse edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që t’i marrin prapë po aq.
Por duajini armiqtë tuaj, edhe bëni mirë, edhe jepni hua, pa pasur më ndonjë shpresë; edhe paga juaj do të jetë e shumtë, edhe do të jeni bijtë e të Lartit; sepse ai është i mirë me mosmirënjohësit dhe me të ligjtë. Bëhuni pra të dhembshur, sikurse dhe ati juaj është i dhembshur”.
Më poshtë po sjellim të plotë fjalën e Kryepiskopit Joan në këtë të Diel:
Fjala e Kryepiskopit Joan në Liturgjinë Hyjnore
E diela II e Llukait
5 tetor 2025
Në Shkrimin e Shenjë, mësimi i Zotit na vjen në forma te ndryshme. Shpeshherë na flet me paravoli, me enigma, që ndoshta do të duhet edhe të shpjegohen. Dhe për këtë kemi shpegimin e Etërve të Kishës, që kanë shpjeguar çdo pjesë dhe çdo fjalë të Ungjillit. Ungjilli i Zotit më shumë i thjeshtë, të gjithë më ta kuptojnë, është i drejtë. Dhe meqenëse është shumë i thjeshtë, nganjëherë ne nuk e zbatojmë. Të vërtetat janë gjithmonë të thjeshta. Po ne shpeshherë nuk i zbatojmë, sepse duam t’i ngatërrojmë. Gjënjeshtra është e ngatërruar. E vërteta është gjithmonë e thjeshtë. Prandaj ku kanë pyetur njëherë një shenjt dhe i kanë thënë, përse është kaq vështirë që të jetohet sipas mësimeve të Ungjillit, ai u përgjigj; është shumë e thjeshtë, sepse është i thjeshtë. Dhe mësimi i sotëm është një nga mësimet më të thjeshta, po nga më të thellat të Zotit tonë Jisu Krisht. Nuk është thjesht një mësim, është një tregim i rrugës së jetës, sesi duhet të jetojmë.
Fillimisht, Zoti na thotë ne, që bëni të tjerëve, atë që ju doni të tjerët të bëjnë tek ju. Nuk ka gjë më të thjeshtë sesa kjo për ta ditur. E megjithatë ne nuk e bëjmë; dëshirojmë që tjerët të na lavdërojnë, por ne nuk i lavdërojmë të tjerët; duam që të tjerët të na ndihmojnë, po ne nuk i ndihmojmë të tjerët; duam që njerëzit e tjerë të na respektojnë, po ne nuk i respektojmë ata. Nëse do t’i donim ata si veten tonë, nuk do të bëjmë gjëra kundër tyre. Ja, të gjithë njerëzit që shpifin, përhapin thashetheme, përgojojnë të tjerët, e shumë gjëra të tjera që bëjnë, tregojmë që nuk i duam ata. Për veten tonë nuk duam këto gjëra; asnjë nuk do që të shpifin për të, asnjë nuk do që të përgojohet, e megjithatë ne vazhdojmë i përgojojmë të tjerët dhe shpifim për ta. Nëse do të ndjekim mësimin e Zotit, nuk do ta bëjmë këtë gjë. Nëse do të bëhej kjo nga të gjithë njërëzit, bota do të ishte në paqe, nuk do kishte sherre dhe konflikte. Sa konflikte janë krijuar, pikërisht, nga shpifjet, nga thashethemet. Nga ato janë shkatërruar familje, janë prishur miqësi, janë shtuar inate të ndryshme, mërira.
Duke ndjekur mësimin e Zotit, mësojmë rrugën e vërtetë drejt Perëndisë. Prandaj dhe duhet t’i vëmë veshin këtyre fjalëve dhe t’i imbajmë gjithmonë në zemrën tonë, sepse nuk mjafton vetëm thjesht t’i dëgjojmë, po duhet edhe t’i zbatojmë. Nuk do të drejtësohet dëgjuesi i Ligjit, shkruan shën Pavli, por zbatuesi i tij. Dhe nuk drejtësohemi vetëm thjesht duke i dëgjuar, po nëse do t’i ruajmë në zemrën tonë. Prandaj edhe Zoti thotë: Lum ata që e dëgjojnë fjalën time dhe e ruajnë në zemrën e tyre. Ne jemi thirrur t’i ruajmë këto fjalë dhe t’i zbatojmë në jetën tonë të përditshme, kështu jeta jonë do të bëhet një jetë paqësore. Dhe Zoti vazhdon akoma më tej, duke thënë se, nëse ju i bëni të mirë njerëzve të tjerë që u bëjnë dhe juve të mirë, çfarë hiri kini? Edhe mëkatarët sillen në të njëjtën formë. Nëse ju doni ata që ju duan; edhe mëkatarët bëjnë të njëjtën gjë. Edhe hajdutët e duan njëri – tjetrin; edhe vrasësit shpeshherë kërkojnë miqësi me njëri-tjetrin. Atëherë çfarë hiri keni? – thotë Zoti.
Nëse ju i jepni hua atyre që kini shpresë për t’i marrë, çfarë hiri keni? Të gjithë e bëjnë këtë gjë. Por thotë: Doni armiqtë tuaj, jepni atje ku nuk keni shpresë më për t’i marrë edhe do të quheni bijtë e të Lartit. Gjëja më e lartë që mund të ketë një njëri është, pikërisht, që të quhet biri i të Lartit; që të quhet biri i Perëndisë. Por këto nuk janë shumë të lehta, sepse zemrat tona nuk janë shumë të pastra. Nëse nuk pastrohet zemra, ne nuk mund t’i duam të tjerët; jo armiqtë, por ne s’mund të duam as miqtë. Ja shikoni në botën e sotme, njerëzit, jo vetëm që s’i duan armiqtë, por shpeshherë sherri është brenda familjeve. Edhe brenda familjeve nuk kanë dashuri për njëri-tjetrit, sepse gjithsekush mendon që është më i mirë, dhe ai tjetri i ka bërë padrejtësi atij, jo ky atij tjetrit.
Shën Vasil i Madh thotë këto fjalë: Nëse dëgjoni dikë që ka shpifur kundër teje, ose ka thënë gjëra që nuk janë të vërteta, ose të ka marrë sende që janë të tuat, mos u zemëro përnjëherë me të, por shiko tek ai njeri të gjesh disa gjëra të mira; e nëse do ta shohësh me gjakftohtësi, ndoshta do të fillosh të kuptosh që nuk je më i mirë se ai, ai mund të jetë më i mirë se ty. Çdo njeri është krijuar sipas ikonës së Perëndisë dhe çdo njeri e ka këtë ikonë brenda vetes së tij. Shën Joani i Krostandit bën një sugjerim dhe një metaforë shumë të bukur. I keni parë kërkuesit e arit, – thotë ai – që marrin sitën, dhe mbledhin atje, baltë, gurë, rërë, dhe se ata nuk përqendrohen te balta, as te gurët, as te rëra, por kërkojnë atë pjesë të vogël ari. Kur e gjejnë atë, gëzohen. E njëjta gjë duhet të jetë edhe sjellja jonë me njerëzit që ne mendojmë se janë gabim, të fillojmë të gjejmë atë arin që ndodhet brenda tyre, se brenda çdo njeriu është ikona e Perëndisë.
Të gjithë jemi krijuar sipas ikonës së Perëndisë. Ne nuk jemi as më të meçur se Zoti, as nuk kemi dashuri më të madhe se Zoti. Përse Zoti i do të gjithë; të drejtët dhe të përdrejtët; i do mëshirshmit dhe ata që s’janë të mëshirshëm; i do ta që bëjnë vepra të mira, përsëri fal ata që bëjnë vepra të këqija? Pikërisht, sepse Zoti sheh brenda nesh ikonën. Edhe shenjtorët i donin të gjithë njerëzit, sepse shikonin në çdo njeri ikonën e Perëndisë. Ata shikonin ikonën se i kishin sytë të pastër; dhe i kishin sytë të pastër ngaqë kishin mendjen dhe zemrën të pastër.
Nëse do të fillojmë të pastrohemi, dhe t’i shikojmë gjërat ashtu siç janë; do të fillojmë t’i duam të gjithë njerëzit e tjerë. Edhe ata njerëz që arrijnë t’i duan edhe armiqtë e tyre, janë bërë të ngjashëm me Perëndinë. Kujtojeni ata historinë që ju kam treguar vazhdimisht për shën Paisin e Madh, kur lutej për një armik të tij dhe Zoti pas disa kohësh i thotë që je bërë i ngjashmë me mua. Dashuria që është në shpirt, nuk mund të jetë e copëzuar. Nëse duam një palë dhe nuk duam palën tjetër, dashuria nuk është të plotë. Ai që do, i do të gjithë! E nëse kemi urrejtje për një palë, urrejtja është në shpirtin tonë dhe mund të shtrihet drejt të gjithëve. Prandaj prishen kaq shumë shpejt miqësitë, sepse ka mërira dhe inate.
Zoti sot na thotë, pikërisht, t’i largojmë këto gjëra, e të kemi fuqinë të duam edhe armiqtë tanë. T’i duam të gjithë njerëzit, sido të jenë ata. Ne nuk jemi gjykatësit. Sepse shpesherë për gjëra që kritikojmë të tjerët, ne i bëjmë edhe vetë; por kur i bëjmë vetë, na duken shumë të lehta. Shumë shpejt e falim vetën tonë, ndërsa të tjerët nuk i falim. Ata njerëz që nuk i falin të tjerët, janë ata njerëz që bëjmë po njësoj si ata. Shenjtorët nuk bëjnë si ata, i falin me shumë të lehtësi, sepse zemra e tyre është pastër.
Prandaj edhe Ungjilli i sotëm është një hartë jete. Nëse do ta ndjekim këtë hartë, do të takojmë Perëdinë; dhe zemra jonë do të pastrohet, edhe gjithë shpirti dhe trupi ynë do të ndriçohet. Zoti na e thotë këtë, sepse na do. Ju kam përmendur në një predikim tjetër, që Zoti thotë këto fjalë që, unë ata që dua e qortoj. Çfarë do të thonë këto fjalë?
Nëse i duam realisht njerëzit, pa dyshim që edhe do t’i mësojmë edhe do t’i qortojmë.
Nëse nuk i qortojmë, ndërsa janë duke rënë në greminë, nuk i duam ata. Tjetër është qortimi i Zotit, tjetër është t’i urresh njerëzit e tjerë. Ne shpeshherë i qortojmë, sepse i urrejmë, jo sepse i duam. Nëse i duam, do t’i qortojmë me dashuri, me kujdes shumë të madh, që dhe ata të shpëtojnë dhe të mësojnë.
Në fund, Zoti na thotë: Jini të mërshirshëm, si ati juaj është i mërshirshëm.
Nëse nuk jemi të mërshirshëm me të tjerët, as Zotin nuk do të jetë i mërshirshëm me ne. Zoti është i mëshirshëm, shpesh nuk bën drejtësi me ne. Shën Isaak Siriani provokonte nxënësit e tij dhe u thoshte: – Ju mendoni që Zoti është i drejtë? Ata përgjigjeshin: – Po.
Ai thoshte: – Jo. Ata shtangeshin duke menduar si mos të jetë Zoti i drejtë?! Shenjti vazhdonte duke thënë këto fjalë: Nëse Zoti do të ishte i drejtë, unë dhe ju tani do të ishim në ferr.
Zoti është zemërdhembshur, dhe përderisa Zoti është zemërdhembshur, na fal. Edhe ne duhet t’i falim njerëzit e tjerë që na kanë bërë dëme, kanë thënë fjalë që nuk duhet t’i thoshin, na kanë poshtëruar, edhe çdo gjë tjetër që mund të kenë bërë. Nëse ngrihemi mbi ato, jemi ne që fitojmë. Nëse mbushemi me zemërim dhe me mëri, nuk fitojmë ne; ka fituar i ligu. Së pari, duke nxitur ata për të shpifur, për thashetheme, për të bërë keq ndaj të tjerëve, dhe së dyti, duke u bërë edhe ne si ata. Një njeri që mbledh zemërim në zemrën e tij është larg Zotit. Aty ku është Zoti, është gjithmonë dashuria dhe paqja!
Të gjithë ne jemi mëkatarë; nuk ka njeri pa mëkate. Ne vijmë në kishë, jo se jemi të drejtë, po se jemi mëkatarë. Vijmë në kishë për t’u shëruar.
Në një histori shumë të bukur nga Jerondikoja thuhet që një vëlla në manastir bëri një mëkat shumë të madh, nuk thuhet se çfarë mëkati bëri, zakonisht nuk jepen detaje. Dhe igumeni e përzuri nga kisha dhe i tha: Dil jashtë dhe mos shkel më këtu në manastir. Ai kokulur filloi të dilte jashtë dhe pas tij filloi të dilte dhe Shën Visarioni i Madh, një nga etërit më të mëdhenj të shkretëtirës. Dhe igumeni, kur e pa atë duke dalë nga kisha, i thotë: – Aba ku po shkon kështu?
Ai i përgjigjet dhe thotë: – Po dal nga kisha, përderisa nuk lejohen më mëkatarët. Igumeni u pendua dhe e ktheu edhe vëllain tjetër në kishë.
Shenjtorët e shikonin veten në këtë formë. Ata nuk i gjykonin të tjerët. Sa më shumë gjykojmë të tjerët, aq më shumë errësojmë mendjen tonë; dhe sa më shumë i falim të tjerët, aq më shumë ndriçojmë mendjen dhe shpirtin tonë. Prandaj mësimi i sotëm është kaq i rëndësishëm.
Mundohuni ta lexoni pjesën e Ungjillit të sotëm, edhe kur të shkoni në shtëpi, dhe t’i keni gjithmonë këto fjalë në mendjen tuaj, sepse ato fjalë do të na ndriçojnë gjithmonë rrugën e jetës sonë, si thotë Psalmisti: Fjalët e tua, o Zot, janë kandil në këmbët e mia. Që do thotë se në udhëtimin e jetës sonë, nëse nuk do të kemi fjalën e Zotit, do të rrëzohemi. Vetëm duke pasur dritën e fjalëve të Perëndisë, mund të ndriçohemi dhe udhëtimi ynë do të bëhet i paqtë dhe do të mbushet me gëzim dhe dashuri.
Mundohuni të gjithë, unë, ju dhe secili prej nesh, që këto fjalë të jenë busulla e jetës sonë, sepse vetëm këto fjalë të Zotit që janë fjalë jete mund të na japin jetën e vërtetë dhe jetën plot dritë. Amin.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










