E Diela e katërt e Llukait – NGA FORTLUMTURIA E TIJ, KRYEPISKOPI I TIRANËS, DURRËSIT EDHE GJITHË SHQIPËRISË IMZOT JOANI
E Diela e katërt e Llukait
Llk.8:5-15.
NGA FORTLUMTURIA E TIJ, KRYEPISKOPI I TIRANËS, DURRËSIT EDHE GJITHË SHQIPËRISË IMZOT JOANI
Në Ungjillin e sotëm është një pjesë që është bërë klasike në predikimin e krishterë. Kjo paravoli u drejtohet më tepër atyre që vijnë në kishë, atyre që kanë mundësi ta dëgjojnë fjalën, sepse ata që nuk kanë patur mundësi ta dëgjojnë fjalën, për ta fjala nuk është mbjellë.
Paravolia tregon që bujku doli në arë për të mbjellë dhe hodhi farën. Një pjesë ra në anë të rrugës dhe erdhën zogjtë dhe e hëngrën, një pjesë tjetër ra në gurë dhe mbiu, por meqenëse nuk kishte tokë nuk zuri rrënjë dhe u tha. Një tjetër ra nëpër ferra dhe mbiu, por ferrat ia zunë frymën dhe nuk e lanë të rritet dhe një tjetër ra në tokë të mirë dhe mbiu dhe dha fryt 100%. Kur nxënësit e pyetën se kush është kuptimi i paravolisë, Ai tha që fara është fjala e Perëndisë.
Ato që po themi sot janë pikërisht fjalët që po thotë Zoti. Çdo fjalë që flitet në kishë, çdo fjalë e Shkrimit të Shenjtë është pikërisht fjalë e cila, nëse nuk mbin dhe nuk jep fryt atëherë, nuk do të ketë vlerë për ne. Nëse themi që jemi besimtarë dhe besimi ynë nuk jep fryta, atëherë gënjejmë veten, sepse nuk jemi besimtarë. Është e pamundur që fara të mbijë dhe të mos japë fryta. Nëse nuk ka dhënë fryta, do të thotë se nuk ka gjetur tokë të mirë, ose ferrat e kanë mbytur, ose toka ka qenë e mbushur me gurë ose ka qenë në anë të rrugës.
Ka shumë njerëz që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë. Ndoshta në fillim iu duket e mirë, por vështirësitë e shumta që ka mbjellja dhe punimi i farës bëjnë që të neglizhohet rritja dhe fara nuk jep fryt. Mjaft njerëz e kanë nisur me entuziazëm rrugën e krishterë dhe pak më vonë kanë ndryshuar, sepse siç thotë dhe paravolia, fjala është si puna e farës. Jo më kot fjala e Perëndisë është e lidhur me këtë simbol, për të treguar se diçka që mbillet për të dhënë fryt, do një mundim dhe një punë shumë të madhe.
Të gjithë e njohim përvojën e bujqve, sesa mund do që të mbillet, të ujitet, të prashitet dhe të korret diçka. Çdo gjë që është e mirë në këtë botë, ndërtohet me mund të madh. Ju e keni parë sa mund të madh do bujku, jo vetëm që duhet të plehërojë dhe të vadisë, por duhet të luftojë dhe kundër sëmundjeve, insekteve dhe kundër dëmtuesve, ndërsa gjërat e këqija rriten shumë shpejt. Vesi përnjëherë zë vend në zemrën e njeriut. Ju e dini se ferra nuk ka nevojë as të ujitet, as të prashitet, as të plehërohet dhe ndonëse pritet, rritet përsëri.
Prandaj, çdo virtyt mbillet e rritet me mund të madh. Ne nuk mund të arrijmë dot të japim fryt nga fjala që dëgjojmë, nëse nuk do t’i kushtojmë asaj vëmendje.
E para gjë që duhet të ndodhë në paravolinë e mbjellësit është që fara duhet të mbillet dhe që të mbillet fara, duhet që fjala të dëgjohet. Gjithsekush që vjen në kishë, vjen për të marrë pak nga fara e jetës.
Ju e mendoni që miliona e miliona njerëz në botë, nuk kanë shansin për ta dëgjuar fjalën e Zotit; jo në çdo vend është përhapur Krishterimi, jo të gjithë njerëzit janë të krishterë, jo në çdo vend ka kisha, jo në çdo vend predikohet fjala e Zotit. Prandaj, gjithsekush që ka këto mundësi, duhet t’i vlerësojë dhe t’i quajë një favor shumë të madh. Për fatin tonë të keq, neglizhojmë me këtë. Jo vetëm që vijnë pak njerëz në kishë, por edhe ata që vijnë, vijnë me vonesë. Prandaj, kjo paravoli duhet të na shkundë të gjithëve.
Duhet të na bëjë të mendojmë se nuk mund të luhet me fjalën e Zotit. Që të mbijë kjo fjalë dhe të japë fryt, duhet një kujdes shumë i madh, sepse përndryshe çdo ardhje jona në kishë, çdo fjalë që na thuhet, do të ishte e pavlefshme. Fara ka vlerë, nëse mbin dhe jep fryte. Ju e dëgjuat nga paravolia që ajo farë që ra në anë të rrugës, u rrëmbye nga zogjtë. Pra, Krishti e shpjegon që erdhi djalli dhe e rrëmbeu nga zemrat dhe shpirtrat e njerëzve fjalën që foli vet Ai.
Krishti vazhdimisht mbjell. Ai nuk mbolli vetëm gjatë kohës kur ishte në tokë. Ai vazhdon të mbjellë nëpërmjet priftërinjve, nëpërmjet Kishës së Tij.
Kudo ku ka kishë, kudo ku predikohet fjala e Zotit, vazhdon mbjellja e Fjalës së jetës. Për fat të keq, fjala nuk zë në tokë të mirë, ajo bie në anë të rrugës. E dëgjojmë, ndoshta në kishë, dhe mund të biem dakord. Në kishë mund të themi se pjesa që dëgjuam nga Ungjilli ishte shumë e mirë dhe kështu duhet që të jetë në realitet, por, pasi largohemi nga kisha, e harrojmë. Problemet e ndryshme, interesat e ndryshme që ka familja, jeta e përditshme, e bëjnë njeriun të harrojë fjalën që ai ka dëgjuar dhe pikërisht ky është kuptimi që do të thotë se vjen Satanai dhe e heq nga zemrat dhe shpirtrat tanë. Fara duhet ruajtur, nuk mjafton vetëm të mbillet. Çdo vepër e mirë do të japë fryte njëqindfish më tepër, njëqind ka dhe kuptim simbolik dhe kuptim numerik.
Historitë e gjata të jetëve të shenjtorëve tanë tregojnë se çdo vepër e mirë jep një vlerë njëqindfish më tepër.
Tregohet njëherë një histori për episkopin e famshëm të Milanos, shën Ambrozin, një nga shenjtorët më të mëdhenj të Kishës Orthodhokse, i cili ishte shumë bujar, sepse jepte vazhdimisht gjithçka që kishte. Njëherë po udhëtonte me shërbëtorin e tij dhe i dolën përpara disa lypës dhe i thanë: Imzot na jep diçka, sepse kemi kaq kohë pa vënë asgjë në gojë: Ambrozi i tha shërbëtorit: Jepi gjithçka që kemi. Ata kishin vetëm tre monedha. Shërbëtori duke menduar se ishte pak më ‘i mençur’ se zotëria i tij i tha: Po jap më mirë dy, le ta kemi një se nuk i dihet për darkën dhe ushqimin. Kështu, u dha lypësave vetëm dy monedha. Kur arritën në hanin që do të kalonin natën, ndodhi që erdhën disa patriarkë, të cilët kishin dëgjuar shumë për bujarinë e Ambrozit dhe njëri nga ata thirri shërbëtorin që i shërbente shën Ambrozit dhe i tha: Ja ku i ke dyqind monedha dhe mbaji për shërbimin tënd ndaj Zotit tënd. Ai tërë gëzim iu afrua shën Ambrozit dhe i tha: Imzot dikush na dha dyqind monedha. Ndërsa shën Ambrozi iu drejtua dhe i tha: Pse na humbe njëqind, sepse po t’i kishe dhënë të treja monedhat do të kishim marrë treqind?
Kështu, kur Krishti thotë që fjala ose fara do të japë prodhim njëqindfish më tepër, këto janë fjalë të vërteta, sepse janë fjalë që i ka folur vetë Perëndia, i ka folur vetë Zoti. Çdo vepër e mirë do të japë më tepër se njëqindfish dhe nëse nuk do të japë në këtë botë, do të japë në botën tjetër shumë më tepër, aq sa shumë shenjtorë luteshin dhe thonin: O Zot mos na i shpërble në këtë jetë, por na i shëprble në tjetrën. Është e pamundur të bësh një vepër të mirë dhe të humbasë. Nuk mund të humbasë kurrë çdo fjalë e mirë dhe çdo vepër e mirë, sepse nuk mund të humbasë kurrë Zoti. Prapa çdo fjale të mirë, prapa çdo vepre të mirë qëndron veprimi i Shpirtit të Shenjtë dhe çdo vepër e mirë që kemi bërë do të na mbrojë. Dhe që njeriu të arrijë të japë fryte, duhet që fillimisht të dëgjojë Ungjillin, duhet që fillimisht fjala e Ungjillit të zërë vend në shpirtin e tij, sepse nuk mund të bëjë dikush mire, në qoftë se nuk ka në shpirt Perëndinë. Është e pamundur! Historia ka treguar vazhdimisht se ka pasur doktrina që në dukje janë dukur të mira, është folur për barazinë për të gjitha, por pa Perëndinë është e pamundur që të arrihet të bëhet mirë.
Ndonëse këto doktrina kanë qenë të bukura në fjalë, veprat treguan që nuk ishin të mira sepse ishin shkëputur nga Perëndia. Ne nuk mund të arrijmë të kuptojmë diçka, nëse nuk e njohim këtë diçka, prandaj dhe besa thotë shën Pavli fillon me anë të dëgjimit. Kjo është arsyeja pse kërkojmë qetësi në kishë, kërkojmë dhe vëmendje në kohën kur lexohen fjalët e Ungjillit. Në të gjithë historinë e Kishës Orthodhokse, gjatë leximit të Ungjillit ka qenë një qetësi absolute, askush as nuk lëvizte dhe ata të cilët hynin në ata moment nuk lëviznin më, as përshëndesnin ikonat në atë çast. Në atë moment të gjithë janë të vëtëdijshëm se po flet Zoti dhe kur flet Zoti nuk ka më vend për lëvizje të tjera. Qiriri mund të ndizet fillimisht kur vjen në kishë, mund të ndizet pasi largohesh, ndërsa në momentin kur lexohen fjalët e Ungjillit, duhet të përqendrohemi në fjalët e Ungjillit, sepse ato janë Fjalët e Jetës. Qiriri nuk do të ketë vlerë, as ne nuk do të kemi ndonjë përfitim nga qiriri, nëse nuk do të dëgjojmë fillimisht fjalët e Zotit.
E kemi përmendur disa herë që në Kishën Orthodhokse nuk shikohen gjërat si magji: ndeza qiririn dhe shpëtova. Shpëtohet vetëm nëse mbjellim fjalët e Zotit në zemrat dhe shpirtrat tanë dhe nëse kujdesemi për këtë fjalë, atëherë fjala do të japë vepra dhe veprat do të shpëtojnë gjithsecilin prej nesh. Prandaj, le ta shohim besën tonë pak më thellë. Nëse feja nuk do ta ndryshojë jetën tonë të përditshme, atëherë kjo besë për ne ka qenë e kotë. Nëse mësimi i Ungjillit nuk na ndryshon raportin e përditshëm me shokët, me prindërit, me fëmijët, me bashkëshortët, me miqtë dhe me gjithçka që njohim, atëherë feja nuk është e zhytur në shpirtin tonë. Ne nuk do të na shpëtojë një fe thjesht intelektuale, nuk do të shpëtojmë thjesht se besojmë në Krishtin, por vetëm nëse i zbatojmë porositë e Krishtit. Edhe dëmonët besojnë në Zotin, edhe ata e dinë që Zoti ekziston, por nuk mjafton kjo për shpëtimin: Ne duhet të transformohemi dhe të ndryshohemi!
Pikërisht, ky është dhe kuptimi i paravolisë së sotme, që fjala e simbolizuar me farën po nuk gjeti tokë të mire, do të thahet dhe nuk do të japë fryte. Frytet janë simboli i shpëtimit. Që të shpëtojmë, duhet që fjala të mbijë, të rritet dhe të japë fryte. Shpëtojmë, kur fillojmë të kemi dashuri dhe dhembshuri për gjithsecilin, për çdo qenie të gjallë, për çdo gjë që ka jetë në këtë botë.
Askush nuk mund të qëndrojë indiferent para njeriut që dashuron, asnjë nënë nuk mund të qëndrojë indiferente para fëmijës që vuan, sepse në zemrën e saj është rrënjosur dashuria. Kështu, nëse në zemrat tona do të jenë të rrënjosura fjalët e Krishtit, do të lindin frytet e këtyre fjalëve që janë, siç thotë dhe apostull Pavli, dashuria, gëzimi dhe paqja.
Unë do t’ju lutesha që gjithsekush që i ka dëgjuar fjalët e Krishtit të mundohet t’i kultivojë ato seriozisht, që në shpirtin e tij më pas të rritet dashuria dhe ndjeshmëria me të cilën Shpirti i Shenjtë na mbush, duke na dhënë formën e parë të njeriut real që krijoi Perëndia.
Dhe Perëndia, që kujdeset për gjithçka, do të na bekojë, rritë dhe forcojë gjithmonë. Amin.
Nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot JOANI
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










