29/12/2025 29/12/2025 Krishtlindje 2025 – Mesazhi nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot †Joani Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne (Jn.1:14) Klerit dhe popullit shpresëtar, Bij të shtrenjtë në Zotin, I Këto fjalë e përmbledhin dhe e shprehin kuptimin festës së Krishtlindjes në mënyrën më të thellë dhe më të përsosur. Nëse...
29 Δεκεμβρίου, 2025 - 17:50
Τελευταία ενημέρωση: 29/12/2025 - 17:51

Krishtlindje 2025 – Mesazhi nga Kryepiskopi Joan

Διαδώστε:
Krishtlindje 2025 – Mesazhi nga Kryepiskopi Joan

Krishtlindje 2025 – Mesazhi nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot †Joani
Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne (Jn.1:14)
Klerit dhe popullit shpresëtar,
Bij të shtrenjtë në Zotin,
I
Këto fjalë e përmbledhin dhe e shprehin kuptimin festës së Krishtlindjes në mënyrën më të thellë dhe më të përsosur. Nëse do të përqendrohemi për të kuptuar rëndësinë e këtij misteri të madh, në të cilin Biri dhe Fjala e Atit u mishërua dhe u bë njeri, atëherë do të mund të marrim pjesë në festimin dhe gëzimin shpirtëror dhe do të ndiejmë brenda nesh fuqinë transformuese të përjetimit të kësaj ngjarjeje. Mishërimi nuk është thjesht një mrekulli apo një mister i denjë për t’u admiruar; është dhurata më e madhe që mund t’i jepej njerëzimit. Biri dhe Fjala e Perëndisë mishërohet dhe ulet pranë vuajtjes njerëzore, prek shtrembërimin e natyrës sonë për ta drejtuar, duke na zbuluar thellësinë e dhembshurisë dhe të përulësisë së thellë, që lind nga dashuria e Tij e pafund për të gjithë botën. Shën Athanasi i Madh e shpreh këtë të vërtetë tronditëse në mënyrë lakonike: Biri i Perëndisë u bë njeri, që ne të bëhemi perëndi.
Ndërsa vazhdojmë të përgatitemi për festimin e Krishtlindjes, na ndihmon të kujtojmë se kjo festë e madhe nuk ka të bëjë me lindjen e një mësuesi, profeti apo ligjvënësi. Perëndia i përjetshëm ndërhyn në histori dhe bëhet njeri, pa pushuar së qenuri Perëndi i plotë, për të na sjellë në shenjtërinë e Tij, për të na bërë pjesëmarrës të natyrës hyjnore (2 Petr. 1:4), për të shëruar, ringritur dhe përmbushur njerishmërinë tonë të rënë dhe të deformuar. Nëpërmjet pranisë së energjisë së Tij hyjnore, Krishti, Perëndinjeriu, aktivizon, fuqizon dhe gjallëron natyrën tonë njerëzore dhe na bashkon me Perëndinë, gjë që asnjë mësues, profet apo ligjvënës nuk mund ta bënte dot kurrë.
II
Krishtlindja na fton të marrim pjesë në thirrjen e engjëjve, për ta lavdëruar edhe ne bashkë me ta: Lavdi Perëndisë në më të lartat, dhe mbi dhenë paqe dhe në njerëzit mirëdashje (Llk. 2:14). Por, lajmërimi i Lindjes së Krishtit, nuk u bë në të njëjtën mënyrë për të gjithë: te barinjtë e përulur erdhi një engjëll, sepse zemra e tyre ishte e përulur dhe e hapur. Dijetarëve të Lindjes, që kishin etje për kërkim, iu dha një yll dhe përsëri një engjëll për t’i udhëhequr. Kurse sundimtarëve krenarë dhe dinakë, lajmi nuk u solli gëzim, por frikë, errësirë dhe refuzim, dhe deshën të vrasin foshnjën e porsalindur. Ngjarja u ofrohet të gjithëve, por jep fryt vetëm tek ata që kanë dëshirë, përulësi dhe qëllim të mirë. Erdhi tek të vetët dhe të vetët nuk e pranuan; por të gjithëve atyre që e pranuan… u dha pushtet të bëhen bij të Perëndisë – shkruan Shën Joani (Jn. 1:11-12).
Për çdo njeri që kërkon paqen e brendshme, të vërtetën dhe plotësinë, festa e gëzuar dhe plot dritë e Krishtlindjes vjen si rreze shprese, ngushëllimi dhe paqeje. Në një predikim të tij, Shën Joan Gojarti thotë: Atëherë, çfarë mund të jetë e barabartë me këto lajme të mira? Zoti në tokë, njeriu në Qiell; dhe të gjithë u bashkuan… dhe u bë pajtim midis Zotit dhe natyrës sonë… vdekja u shkatërrua, parajsa u hap, mallkimi u fshi, mëkati u hoq nga rruga, gabimi u dëbua, e vërteta u kthye, fjala e perëndishmërisë u mboll kudo dhe lulëzoi në rritjen e saj, shoqëria e Qiellit u transferua në tokë, ose më saktë, gjërat në tokë u lidhën me ato në Qiell (Predikim për Krishtlindjen).

 

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων