U përcoll në banesën e fundit Protopresviteri Atë Kristo Papa, pas 36 vitesh shërbimi në Kishën Orthodhokse
Me ndjenja hidhërimi, por edhe me shpresën e Ngjalljes dhe të jetës së amshuar, u krye Shërbesa e Varrimit e të lumurit Protopresviter Atë Kristo Papa, në kishën e Dyzet Shenjtorëve në fshatin Aliko.
Shërbesën e Varrimit u drejtua nga Mitropoliti i Gjirokastrës z. Nathanail, me pjesëmarrjen e shumë klerikëve vendas, por edhe nga Greqia.
Kisha e Dyzet Shenjtorëve u mbush nga besimtarë të shumtë, të cilët erdhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit një prej meshtarëve të hershëm dhe të përkushtuar të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Për 36 vjet, Atë Kristo i shërbeu Kishës me përkushtim, besnikëri dhe dashuri baritore, duke qenë ndër meshtarët e parë që shërbyen në Kishën Orthodhokse të ringjallur në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Mitropoliti Nathanail u ndal në jetën e Atë Kristos, por edhe në njohjen personale me Atë Kriston, duke vënë në dukje përkushtimin e tij ndaj Kishës, dashurinë për besimtarët dhe vitet e shumta të shërbesës së tij pranë popullit të Perëndisë. Kujtimi i tij, theksoi Mitropoliti, mbetet i lidhur me altarin ku shërbeu, me kishat ku u lut dhe me njerëzit të cilëve u shërbeu si bari shpirtëror.
Në fund të Shërbesës, kortezhi mortor u nis drejt kishës së Shën Varvarës, ku u krye varrimi i Atë Kristos. Atje, nën hijen e shtëpisë së Perëndisë dhe pranë vendit të shenjtë, trupi i meshtarit iu dorëzua tokës, duke pritur ditën e madhe të Ngjalljes së përgjithshme.
Bashkë me Shenjtorët, prehe o Krisht, shpirtin e shërbëtorit tënd Kristo, prift, atje ku nuk ka as dhimbje, as pikëllim, as psherëtimë, por jetë të pasosur.
I përjetshëm qoftë kujtimi i të lumurit Atë Kristo!
Mitropolia e Hirshme e Gjirokastrës
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










