16/11/2026 16/11/2026 Predikimi nga Fortlumturia e Tij, Joani Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë E Diela VIII e Llukait – Samaritani i mirë Dashuria e vërtetë është veprim Ungjilli i sotëm fillon me një pyetje që një njeri i ligjit,i cili ishte shkronjës dhe kishte njohuri mbi Ligjin e Moisiut, i bën Zotit, duke i...
16 Νοεμβρίου, 2026 - 16:19
Τελευταία ενημέρωση: 16/11/2026 - 16:23

Predikimi nga Fortlumturia e Tij, Joani Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Διαδώστε:
Predikimi nga Fortlumturia e Tij, Joani Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Predikimi nga Fortlumturia e Tij, Joani
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
E Diela VIII e Llukait – Samaritani i mirë

Dashuria e vërtetë është veprim

Ungjilli i sotëm fillon me një pyetje që një njeri i ligjit,i cili ishte shkronjës dhe kishte njohuri mbi Ligjin e Moisiut, i bën Zotit, duke i thënë: “Çfarë duhet të bëj unë që të fitoj jetën e përjetshme?” Ai e pyeti për ta vënë në provë, jo se realisht e kishte këtë dëshirë. Duke qenë njeri i ligjit, ai e dinte se çfarë duhet të bënte, por donte që Jisui të thoshte diçka, që ta akuzonin se kishte prishur Ligjin e Moisiut. Ndërsa Zoti i përgjigjet dhe e pyet njeriun e ligjit: “Çfarë shkruhet në ligj për urdhërimin më të madh?” Dhe ai përgjigjet: “Ta duash Zotin me gjithë fuqinë e mendjes sate, të zemrës sate, të shpirtit tënd, të trupit tënd dhe të afërmin si veten tënde”. “Bëje këtë, i thotë Zoti, dhe do të shpëtosh”. Ai, për ta nxjerrë veten të drejtë, i thotë: “Kush është i afërmi im?”

Dhe pikërisht kjo është pyetja e ungjillit të sotëm: Kush është i afërmi ynë?

Atëherë Zoti tregon një shëmbëlltyrë, e cila në atë kohë për judejtë ishte një skandal shumë i madh për mënyrën se si e rrëfen Ai. Zoti tregon se një njeri niset nga Jerusalemi për të shkuar në Jeriko. Jerusalemi është shumë lart, 800 metra mbi nivelin e detit. Jerikoja është shumë poshtë dhe është një rrugë shumë e vështirë. Akoma dhe sot, kushdo që ka shkuar ndonjëherë në Jerusalem dhe ka zbritur në Jeriko, e kupton se është një luginë që kalon në një grykë shumë të thellë dhe në atë kohë ishte edhe një vend ku banditët sulmonin, saqë ajo rrugë quhej “Rruga e Gjakut”, sepse aty grabisnin. Dhe rrugës, thotë Zoti, e sulmuan hajdutët, e plaçkitën, e rrahën dhe e lanë gjysmë të vdekur. Aty kaloi një prift. E pa, por iku nga ana tjetër. Pas tij kaloi edhe një levit. Levitët ishin, po t’i krahasojmë njerëzit e sotëm sot, ata që shërbenin në kishë. Ata ishin nga fisi i Levit, sepse Zoti u ndau tokë vetëm 11 fiseve të Izraelit dhe fisit të Levit nuk i dha tokë. Kjo për arsyen se ata do të shërbenin në tempull. Prandaj edhe ishte ofrimi një të dhjetës (1/10), që të gjithë do ta paguanin për të mbajtur tempullin. Edhe ai e pa dhe iku nga ana tjetër. Dhe personazhi i tretë, që ndoshta judejtë do të prisnin të ishte një jude i devotshëm, ishte një samaritan. Pra, një samaritan e pa, zbriti nga mushka ku kishte hipur, u kujdes për të, ia leu plagët me verë dhe me vaj, e hipi në mushkë dhe e çoi në një han. I tha hanxhiut: “Kujdesu për të dhe çfarë të shpenzosh më tepër do ta jap kur të kthehem”. Dhe i dha dy denarë, që në atë kohë ishte një shumë e konsiderueshme. Pastaj Zoti i thotë njeriut të ligjit: “Kush nga këta ishte i afërmi i tij?” Dhe ai i përgjigjet: “Ai që e ndihmoi”. Edhe ti këtë bëj! – i thotë Zoti. Kjo është shëmbëlltyra që tregoi Zoti.

Por nëse do të jetonim në atë kohë dhe të tregohej kjo shëmbëlltyrë, do ta shikonim me një sy pak më ndryshe, sepse samaritanët me judenjtë ishin armiq shumë të mëdhenj, armiq fetarë, armiq etnikë etj. Ekzistonte një lutje te farisejtë, të cilët kur ngriheshin në mëngjes thoshnin: “O Zot, mos më lejo që të shoh me sy një samaritan!” Ata kishin armiqësi shumë të madhe midis tyre. Samaritanët e kishin devijuar pak zbatimin e ligjit; njihnin vetëm Pentateukun, pesë librat që sipas traditës janë të Moisiut; nuk i njihnin librat e profetëve, nuk e kishin qendrën për t’u lutur në Tempullin e Jerusalemit, por kishin Malin e Garizimit, dhe armiqësia mes tyre ishte me shekuj. Më shumë se njëqind vjet para se Jisui të tregonte këtë shëmbëlltyrë, judejtë kishin shkuar dhe e kishin shkatërruar tempullin e Garizimit. Dhe, ndoshta 20 vjet më parë sesa Jisui të tregonte këtë, samaritanët kishin marrë kocka të vdekurish dhe në përgatitjen e Pashkës i hodhën tek Tempulli. Ky veprim, pra, përdhosja e Tempullit, ishte fyerja më e madhe që mund të ndodhte sipas kuptimit të judejve. Ju mund të merrni me mend se çfarë armiqësie kishte ndërmjet këtyre dy grupeve. Megjithatë, Zoti zgjodhi si personazh pozitiv një samaritan, pikërisht për të na treguar se kush është realisht i afërmi ynë.

I afërmi ynë është çdo njeri që vuan, çdo njeri që është në nevojë. Nuk ka rëndësi çfarë besimi ka, çfarë kombi apo çfarë etnie është, sepse të gjithë njerëzit janë krijuar sipas ikonës së Perëndisë. Krishti, duke qenë Zoti, në çdo person shikonte ikonën, ndoshta të deformuar, por shikonte ikonën e Perëndisë. Edhe të gjithë shenjtorët që ndriçoheshin nga hiri i Shpirtit të Shenjtë e dallonin te çdo njeri ikonën e Perëndisë. Prandaj i donin të gjithë, miq apo armiq, të huaj apo bashkatdhetarë, sepse nuk i ndanin njerëzit në kategori. Kisha pikërisht këtë predikon.

I afërmi ynë është çdo njeri që ka nevojë, kushdo që të jetë ai. Dhe Zoti i prishi dhe i shkatërroi kufijtë që ndanin kombet dhe besimet nga njëri-tjetri. Sepse, edhe nëse dikush ka një besim të gabuar, kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet ta duam dhe ta ndihmojmë. Nëse do të kemi dhembshuri, sigurisht që do ta ndihmojmë. Siç thotë Krishti në Ungjill: “… që të bëheni bij të Atit tuaj që është në qiejt, sepse ai bën diellin e tij të lindë mbi të ligj e mbi të mirë, edhe lëshon shiun mbi të drejtë e mbi të padrejtë” (Mt. 5:45). Ai është i mëshirshëm për të gjithë, kushdo qofshin ata.

Detyra e çdo të krishteri është që t’i dojë të gjithë njerëzit. I krishteri nuk mund të ketë armiq. Nëse ai mendon se ka armiq, nuk është i krishterë i vërtetë. Ai mund të mendojë se është i krishterë, por në fakt nuk është. Mund të jesh edhe klerik, por nëse ke urrejtje dhe ke armiq, pra i shikon njerëzit si armiq, nuk mund të jesh dot një i krishterë i vërtetë.

Shën Kirili i Aleksandrisë, duke interpretuar këtë shëmbëlltyrë, thotë: “Titujt nuk të bëjnë besimtar. Ai ishte prift, tjetri ishte levit, por ata nuk e zbatuan ligjin e Zotit”. Dhe ne nuk mund të shpëtojmë vetëm duke njohur ligjin, nëse nuk e zbatojmë atë. “Nuk drejtësohen dëgjuesit e ligjit”, shkruanvshën Pavli, “por zbatuesit e tij”. Në këtë rast, samaritanin dihmoi dhe u bë i afërmi i tij. Shpjegimi i kësaj shëmbëlltyre është shumë i gjerë. Etërit e Kishës kanë shkruar shumë për të dhe zakonisht kanë ekzistuar dy lloje modelesh të shpjegimit. I pari ishte një shpjegim alegorik, i cili ka filluar ndoshta me Origjenin, i cili thotë: “Këtë shpjegim e dëgjova nga të krishterët që ishin të brezit para meje”, dhe ka vazhduar me shën Joan Gojartin, shën Kirilin e Aleksandrisë, shën Ambrozin, Shën Agustinin dhe me të gjithë të tjerët më pas.

Ja një lloj shpjegimi: Jerusalemi përfaqësonte qiellin, pra, kur njeriu është në kungim me Perëndinë; dhe zbritja në Jeriko ishte rënia e Adamit, i cili ra poshtë. Sulmi i banditëve është sulmi demoniak, të gjitha pasionet demoniake që mund të ndodhen në zemrën dhe shpirtin tonë. Dhe samaritani i mirë ishte Krishti, I Cili pati dhembshuri dhe e ndihmoi atë. Ai e leu me vaj dhe me verë, të cilat janë dy elemente shumë të rëndësishme në të gjithë Liturgjinë e Kishës Orthodhokse. Vaji përdoret për Misterin e Efqelisë, për lyerjen me vajin e shenjtë, ndërsa vera përdoret në Meshën Hyjnore, si Gjaku i Krishtit. Dhe e çoi në një han. Sipas shpjegimit të Etërve të Kishës, hani ishte Kisha – Kisha që është vendi ku njerëzit mund të shërohen. Sikundër e theksojnë Etërit, Kisha është spital. Hanxhiu përfaqëson klerin: episkopët, priftërinjtë dhe njerëzit që shërbejnë në kishë.

Dy denarët, fillimisht sipas Origjenit dhe më vonë edhe shën Joan Gojarti mbështetet në të, përfaqësonin njohjen e Atit dhe të Birit, që do të thotë se Krishti i la Kishës njohurinë mbi Atin dhe Birin, i la njohurinë mbi Trininë, për të kuptuar që Perëndia është një qenie hyjnore në tre persona: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Ndërsa dy denarët që do të jepte më vonë janë Ardhja e Dytë e Krishtit. Nëse dikush realisht e ka shpenzuar jetën e tij duke ndihmuar të tjerët, Zoti do t’ia kthejë njëqindfish. Kështu e shpjegonin Etërit e Kishës këtë, pa lënë mënjanë edhe shpjegimin etik dhe moral, për të cilin folëm në pjesën e parë.

Nëpërmjet kësaj shëmbëlltyre, Zoti i drejtohet gjithsecilit prej nesh, që kushdo që shikon dikë që ka nevojë, duhet ta ndihmojë. Shën Joan Gojarti, në një predikim tjetër mbi të varfrit, thekson: “Dëgjoj shpeshherë njerëzit që shohin ndonjë të varfër rrugës dhe fillojnë të kritikojnë priftërinjtë: ‘Pse ata nuk i ndihmojnë këta njerëz?'” Edhe sot dëgjohet e njëjta gjë: “Pse Kisha nuk i ndihmon ata?” Dhe këtë e thonë pikërisht anëtarë të Kishës, që janë të krishterë. Por kush është Kisha? Kisha nuk janë vetëm priftërinjtë, episkopi dhe ata që shërbejnë. Kisha janë të gjithë anëtarët e saj. Pra, kushdo që është i pagëzuar në emrin e Trinisë së Shenjtë, në emrin e Krishtit, është anëtar i Kishës dhe ka përgjegjësi për çdo njeri. Prandaj, shën Joan Gojarti thoshte: “Ndihmoje ti që e ke parë; përse nuk e ndihmon?!”

Dhembshuria dhe dashuria e vërtetë nuk janë vetëm një ndjenjë e thjeshtë. Sa herë dëgjojmë të thuhet: “Pashë dikë, një ngjarje ose një personazh dhe më erdhi aq keq, sa më erdhi për të qarë”. Dhe, kur njerëzit pyeten: “Dakord, për këto që patë dhe ndjetë, por çfarë bëtë?”. Në fakt, nuk kanë bërë asgjë! Pra, dashuria e vërtetë nuk është vetëm ndjenjë, por është veprim. Nëse nuk veprojmë, do të thotë që nuk kemi dashuri të fortë. Ashtu si prindërit që nuk mjaftohen vetëm duke u ardhur keq për fëmijët, por përpiqen me gjithë shpirt t’i ndihmojnë me gjithçka, pikërisht, sepse i duan. Ne nuk përpiqemi, sepse dashuria jonë është e vakët; dhe një dashuri e vakët nuk na ndihmon as ne, nuk ndihmon as njerëzit rrotull nesh.
Prandaj, shëmbëlltyra e sotme është një thirrje shumë e madhe për gjithsecilin nga ne. Nëse nuk e shohim çdo njeri me respekt, kushdo qoftë ai, por e shikojmë me përbuzje apo paragjykim, do të thotë që nuk e kemi kuptuar realisht veten tonë dhe mësimin e Krishtit. Mësimi i Krishtit është pikërisht ky: çdo njeri ka një dinjitet, një dinjitet që nuk ia japim ne dhe as nuk i bëjmë ndonjë privilegj duke ia dhënë. Dinjitetin njeriut ia ka dhënë vetë Perëndia, pasi e ka krijuar sipas ikonës së Tij.
Përbuzja e njeriut është përbuzja e Perëndisë. Armiqësia e njeriut kundër njeriut tjetër është një armiqësi kundër Perëndisë, sepse te çdo njeri ndodhet ikona e Perëndisë. Nëse do ta kemi këtë parasysh, pa dyshim që do t’i ndihmojmë njerëzit e tjerë me sa të mundemi. Nëse nuk i ndihmojmë njerëzit, nuk e duam as Perëndinë. Është e pamundur që një njeri të dojë Perëndinë dhe të mos i dojë njerëzit. Prandaj edhe shën Joan Gojarti, të cilin e citojmë shpeshherë, ngaqë ishte një predikues i mrekullueshëm dhe i frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, thoshte: “Nëse ti nuk e gjen Krishtin te lypësi në dyert e kishës, nuk do ta gjesh as te Kungata e Shenjtë”.
Krishtin e gjejmë gjithmonë sa herë ndihmojmë një njeri në nevojë. Mund t’i ndjekim të gjitha ritet kishtare nga brenda, por nëse nuk kemi dashuri në shpirt, nuk vlejmë për asgjë. Kujtojeni himnin e famshëm të shën Pavlit te Letra drejtuar Korinthianëve mbi dashurinë, në të cilën thuhet: “Le të jem çfarëdolloj gjëje, nëse nuk kam dashuri, nuk kam asnjë vlerë”.

Le t’i mbajmë këto fjalë në zemrën tonë dhe le t’i praktikojmë. Krishti nuk erdhi thjesht për të na mësuar një ligj; Ai erdhi për të ndryshuar rrënjësisht natyrën tonë të shtrembëruar. Dhe mësimi i Tij, pikërisht si një hartë, na ndihmon për t’u pastruar dhe për ta ndryshuar natyrën tonë. Nëse ndryshojmë natyrën tonë, pa dyshim që do të kemi fuqi për të ndryshuar edhe njerëz të tjerë. Të gjithë njerëzit mendojnë të ndryshojnë botën, por asnjë nuk mendon të ndryshojë veten e tij. Si do të ndryshojë bota nëse ne nuk ndryshojmë, por mbetemi po ata njerëz që jemi?!

Prandaj, Krishti erdhi për të bërë gjënë më të rëndësishme: për të ndryshuar natyrën tonë dhe për ta restauruar. Le të përpiqemi ta përjetojmë mësimin e Zotit çdo ditë të jetës sonë, sepse Ai do të na ndriçojë ne dhe do të ndriçojë edhe njerëzit që janë rrotull nesh. Amin.

Kisha e Ungjillëzimit të Hyjlindëses
Tiranë, 15 nëntor 2026

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων