Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit: “Le t’i lutemi Perëndisë që kjo pandemi të mbarojë sa më shpejt dhe me sa më pak dhimbje!”
Të dashur besimtarë!
Uroj nga zemra që të gjithë ju dhe të afërmit tuaj të jeni mirë me shëndet!
Jam i vetëdijshëm se ju kanë munguar shumë Kisha dhe shërbesat e Saj. Meqenëse për ju është e vështirë të vini në kishë e të merrni pjesë në shërbesa, atëherë do të vijë Kisha tek ju, ashtu siç e ka bërë vazhdimisht, me lutjet dhe shërbesat e Saj.
Për këtë ju bëjmë të ditur se:
1 – Në datën 1 Prill do të kryhet, si çdo fillim muaji, shërbesa e “Ajazmës së vogël” (Bekimi i ujit).
2 – Po këtë ditë do të kryhet shërbesa e “Vajit të Bekuar” (Efqelisë). Prandaj ju lutemi dërgoni emrat tuaj dhe të familjarëve tuaj në faqen e FB të Mitropolisë sonë (ose në inbox) dhe ne do të lutemi për shërim dhe shëndet shpirti dhe trupi.
(Shërbesat do të bëhen pa pjesëmarrjen e besimtarëve).
3 – Krahas emrave tuaj që do të na dërgoni, vendosni vendin nga jeni edhe ne do t’u japim emrat tuaj klerikëve të zonës përkatëse që t’ju kujtojnë në shërbesën e Paraklisit që bëhet prej tyre në orët e ndryshme të ditës.
Duam gjithashtu t’ju themi se ata që kanë mundësinë të kalojnë në Kishën Katedrale të “Shën Gjergjit”, duke respektuar gjithë rregullat dhe masat qeveritare, do të kenë mundësinë të marrin “Ujë të Bekuar” dhe “Vaj të Bekuar”, të cilët mund t’i përdorni sipas nevojave tuaja personale dhe familjare.
4 – Ju nxisim të ndiqni shërbesat në faqen e internetit të “Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”, në programet e “Radio Ngjallja” FM 98,7, si edhe të ndiqni mesazhet dhe faqen tonë në FB “Mitropolia e Shenjtë e Apollonisë dhe Fierit”.
Jemi pranë jush gjithmonë!
Le t’i lutemi Zotit: “… Mëshirona, o Zot, mëshirona; se duke na munguar çdo mbrojtje, ne mëkatarët ta drejtojmë Ty, si Zot që je, këtë lutje: Mëshirona”!
Le t’i lutemi Perëndisë që kjo pandemi të mbarojë sa më shpejt dhe me sa më pak dhimbje!
Lutja jonë është për të gjithë të sëmurët, stafin mjekësor dhe për të gjithë ata që menaxhojnë këtë situatë.
Le të kujtojmë se “Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e Tij të Vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”( Jn.3:16 ).
Me dashurinë e Krishtit,
Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










