09/08/2020 09/08/2020 “Njohim historinë e Kishave të Mitropolisë sonë”! Kisha e Shën Nikollës në Kurjan. Nga Ilirjan Gjika 1 Kurjani është një fshat i cili bën pjesë ne Bashkinë Roskovec dhe që ndodhet në pjesën juglindore të rrethit të Fieri, aty ku ndahet kufiri me rrethet e Beratit dhe Mallakastrës. I përmendur për kultivimin e ullinjve dhe...
09 Αυγούστου, 2020 - 14:10
Τελευταία ενημέρωση: 09/08/2020 - 14:12

Mitropolia e Shenjtë e Apollonisë dhe Fierit – “Njohim historinë e Kishave të Mitropolisë sonë”!

Διαδώστε:
Mitropolia e Shenjtë e Apollonisë dhe Fierit – “Njohim historinë e Kishave të Mitropolisë sonë”!

“Njohim historinë e Kishave të Mitropolisë sonë”!

Kisha e Shën Nikollës në Kurjan.
Nga Ilirjan Gjika

1
Kurjani është një fshat i cili bën pjesë ne Bashkinë Roskovec dhe që ndodhet në pjesën juglindore të rrethit të Fieri, aty ku ndahet kufiri me rrethet e Beratit dhe Mallakastrës. I përmendur për kultivimin e ullinjve dhe vreshtarisë, ai është i njohur edhe për liqenin artificial të ndërtuar rreth 60 vjet me parë. Pikërisht në Kurjan në kodrën me të lartë të tij, aty ku syri të kap gjithë rrafshinën e Myzeqesë, Shpiragun dhe kodrat e Mallakastrës, ndodhet një nga kishat bizantine më të vjetra në Shqipëri. Aty e vetme, e rrethuar nga kurorat e ullinjve, kisha e Shen Kollit, me harqet e saj rrethorë duket sikur ”dëshmon” se, këtu është shkrirë në një stil të vetëm arkitektura kishtare e Lindjes me Perendimin.

2
Në periferi të Kurjanit, gjendet mbi një kodër kisha e Shën Nikollës. E ndërtuar me muraturë me tulla të kuqe dhe gurë të skuadruar tek qoshet, (A. Meksi, 1983: 176-178), kjo faltore e ndërtuar diku ne shekullin e XIV, i perket kryesisht stilin arkitektonik bizantin. E përbërë nga naosi (salla) dhe narteksi (parasalla) dhe kthina e altarit, kisha trekonkëshe e Shën Nikollës dikur mbulohej nga një qemer cilindrik tipik për kishat bizantine. Gjatë shekujve kupola është shembur dhe sot është zëvendësuar nga një çati prej druri dhe tjegullash. Po kështu, kishës i mungojnë portikët e dikurshem që mbulonin portat veriore dhe jugore të narteksit dhe ajo e absidës jugore (Meksi: 176-178).
Ashtu si në të gjitha kishat mesjetare që ndodhen në rajonin e Fierit edhe tek kisha e Kurjanit gjejmë gurë, kolona dhe relieve të marra nga Apolonia ose qytetet e tjera antike aty pranë, si dhe pjesë arkitektonike paleokristiane.
Pjesë të tjera të kësaj faltoreje janë edhe tre absidat, ku ato ne murin verior dhe jugor janë më të vogla se ajo në murin e anës lindore, kurse dyshemeja është shtruar me pllaka guri. Në këtë kishë shihet edhe ndikimi i stilit prenëdimor që e gjejmë tek harqet e varura që rrethonin dikur muret si dhe te harku i mprehtë i absidës ju (Meksi: 178).
Ky stil perëndimor erdhi në Shqipëri me pushtimet e mbretërise së Napolit gjatë shekujve XI-XIV. Në këtë pikë mund të themi se shtesat arkitektonike me ndikim perëndimor, mund të jenë bërë nga ndikimi i kultit të Shën Nikollës, emrin e të cilit mban kjo kishë.

3
Shën Nikolla është një nga të vetmit shenjtorë që nderohet njëlloj nga të dyja kishat, si ajo katolike perëndimore ashtu edhe nga ajo ortodokse lindore. (K. Kallamata, 1998: 112). Edhe kishat protestante e respektojne Shën Nikollën duke e imagjinuar atë në imazhin e plakut të vitit të ri, Santa Klausit. Përpara se të shndërrohej në shenjt dhe idhull i krishtërimit, Nikolla ishte një prift i thjeshtë dhe i përkushtuar në provincën romake të Lidias në Azinë e Vogël. Shumë shpejt në sajë të cilësive dhe aftësive që zotëronte ai u bë peshkop i Mirës dhe u shndërrua në një figurë autoritare të kishës. Me nje personalitet të tillë, Shën Nikolla, mori pjesë në Këshillin Ekumenik të Nikesë, në vitin 325, që ishte forumi i parë i autoriteteve më të larta të kishës. Në këtë këshill ai ju kundërvu doktrinës së priftit Arius, duke u rreshtuar në krahun e autoriteteve më të larta kristiane. Nikolla vdiq në vitin 343 në Patara, në qytetin e lindjes dhe u varros në Mira, në kishën ku shërbeu, e cila mori emrin e tij. Shumë shpejt varri i Shën Nikollës u bë vend pelegrinazhi, pasi figura e tij nisi të konsiderohej si mbrojtës i marinarëve, tregtareve dhe udhëtarëve (Kallamata: 112).
Në këtë formë kulti i Shën Nikollës si demostrues i padrejtësive, mbrojtës i njerëzve në nevojë dhe i përkushtuar ndaj atyre që e thërrisnin për ndihmë, u përhap krahas lindjes edhe në Europën Perëndimore. Në fillim të shekullit të XI, pikërisht në vitin 809 Mira u pushtua nga kalifi arab Harun Al Rashidi. Në vitin 1034, Arabët, e shkatërruan kishën e Shën Nikollës duke rrezikuar të prishnin edhe varrin e tij.
Gjatë periudhës së kryqezatave, në vitin 1089 me iniciativen e peshkopit të Barit, Urso, u bëe transferimi i eshtrave të tij, ku Papa Urbanit i II-të, shenjtëroi eshtrat e Shën Nikollës që rivarrosën në Bari (Kallamata: 113). Këtu ai u shpall mbrojtës i qytetit dhe për nder të tij u ndërtua edhe Bazilika e e Shën Nikollës, që është sot një nga kishat më të famshme dhe më të njohura të Barit.
Pikerisht adhurimi ndaj figures së tij mund të ketë qenë shtysa që Normanët e Napolit të kenë meremetuar kishën e Kurjanit. Ndërkohë që, njihet fakti që gjatë periudhës së pushtimeve të tyre në Shqipëri, Normanët, morën nën mbrojtje shumë kisha dhe manastire, duke u kujdesur për mirëmbajtjen e tyre. Shembulli me tipik eshte kisha e Shën Mërise së Apolonise. E ndodhur vetem 25 km në perëndim të Kurjanit ajo ka si pjesë të saj një portik të bukur romanik, të ndërtuar nga Normanët, ndoshta siç aludohet në kohën e pushtimeve të Robert Guiskardit, në vitet 1081-1085.

4
Në vitin 1956 një ekspeditë studimore e Universitetit të Tiranës dhe Institutit të Historisë beri një nga zbulimet më interesante dhe më të rëndësishme në brendinë e kësaj kishe, siç ishte fakti se afresket e saj ishin pikturuar në vitin 1578 nga piktori ikonograf Nikolla, biri i Onufrit dhe ndihmësi i tij Joani (Th. Popa, 1961: 40-41).
Mbishkrimi që vërtetoi këtë fakt u publikua nga studjuesi i ikonografisë bizantine Theofan Popa, në librin e tij ”Mbishkrime të kishave të Shqipërisë”. Pikërisht teksti i ketij mbishkrimi të shkruar në greqishten bizantine ishte një thirrje në forme lutjeje që i drejtohej famulltarit. Ja se ç’thuhej në të: “Kur të ngresh duart para perëndisë o meshtar, me përmend edhe mua mëkatarin dhe të paditurin Joanin me Nikollën’’ (Th. Popa, 1998: 88).
Pas këtij zbulimi, afresket e kishës së Kurjanit u bënë objekt studimesh nga ana e Institucioneve përkatëse, të cilat e shpallën atë në vitin 1963 Monument Kulture. Pikërisht për pikturat murale të kësaj kishe, dy studjueset e njohura Viktori Puzanova dhe Dhorka Dhamo, në një artikull studimor për pikturën monumentale, të botuar në revistën ”Studime Historike” II, në vitin 1967, theksojne se: Afresket e hershme të kishës së Kurjanit i perkasin stilit bizantin me tendenca të traditës vendase. Kjo shihet në disa skema si psh: tek kungimi i Marias prej Zosimesë. Gjithashtu sipas tyre afresket e Kurjanit paraqesin figura me përpjestime të vogla dhe motive ornamentale
Por vitet e fundit është prezantuar edhe një tezë interesante rreth toponimit Kurjan.
Në librin e tij ”Nga Paleologët tek Muzakajt”, Prof. Pëllumb Xhufi aludon se emri Kurjan vjen nga kompozita Kyr Jani. ‘’Si toponim…në rrethin e Fierit ekziston një fshat me emrin Kurjan-kyr Jani, ku ndodhet dhe një kishë e vjetër bizantine’’, thekson midis të tjerave ai (P. Xhufi, 2009: 215). Kështu kemi një hipotezë e cila na ndihmon ta ”lidhim” ndërtimin ose restaurimin e kësaj kishe me ‘’kyr Janin’’, apo të përkthyer në shqip ‘’zotin Joan’’, i cili mund të ketë qenë një nga nëpunësit e lartë të administratës bizantine. Po tek i njëti libër, Pëllumb Xhufi, na tregon se qefali i Beratit, pra kapiten apo mëkëmbës të perandorit bizantin kanë qenë dy persona me emrin Joan. I pari, në vitin 1277 ka qenë Joan Paleologu, vëlla i perandorit Mihal VIII Paleolog, ndërsa i dyti, ka qenë në vitin 1314, Joan Pinkerni (Xhufi: 53-57).
Ndoshta periudha e qeverisjes së Joan Pinkernit daton edhe me mendimin e specialistëve se kisha e Kurjanit ështe ndërtuar në shekullin e XIV (A. Meksi, 1983: 178). Pra, fshati mund ta ketë marrë emrin nga kisha e Shën Nikollës, që ngriti apo meremetoi aty, kyr-Joani apo kyr-Jani.
Ndërkohë që dihet kujdesi ndaj institucioneve kishtare dhe veprimtaria ndërtuese e kishave të reja nga perandorët dhe zyrtarët e lartë bizantinë. Kështu veproi edhe perandori Andronik II Paleolog me rindërtimet e tij tashmë të dokumentuara në territorin e Beratit pas fitores mbi anzhuinët në vitin 1282. Manastiret e Perondisë (Berat), Ardenicës (Lushnje) dhe Apolonisë (Fier) mendohen se janë ndërtuar apo rindërtuar prej tij.
Sidoqoftë enigmat që mbart kisha e Kurjanit mund të intrigojnë çdo studjues të fushës dhe të apasionuarit pas disiplinës së historisë.


facebook.com/koash1991

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων