Ikonostasi i kishës së Shën Nikollës, vepra e gdhendur në dru nga mjeshtra artizanë në shek.XIX
Një prej objekteve më interesante të ekspozuara në muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë është Ikonostasi i kishës së Shën Nikollës nga Rehova e Ersekës.
Ikonostasi i takon shek. të XIX dhe ruhet në gjendje shumë të mirë në njërin prej ambienteve më impresionuese të Muzeut, në dhomën e kuqe.
Gdhendja e ikonostasit është realizuar nga mjeshtra artizanë, të cilët mbeten anonimë. Në ikonostas mbizotërojnë motive floreale, të cilat janë jo vetëm të gdhendura në reliev, por edhe të pikturuara.
Muzeu i Artit Mesjetar bën të ditur se “ikonat e vendosura në të, jo të gjitha i përkasin këtij Ikonostasi, por arrijnë të qëndrojnë në harmoni me njëra-tjetrën dhe të përcjellin po të njëjtën magji, si shekuj më parë”.
I konsideruar si një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë, ai hapi dyert në vitin 1980 dhe iu nënshtrua restaurimit në vitin 2016, ku u vendos në ndërtesën e re bashkëkohore.
Me një fond prej 8000 ikonash dhe objektesh të karakterit religjioz, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, falë ndërtimit bashkëkohor, është një ndër destinacionet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore.
I pozicionuar përgjatë bulevardit “Fan Noli” në Korçë, ky muze është jo vetëm një ekspozitë vizive vlerash, por edhe një institucion unikal në rajon.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










