“Për çfarë vijmë në Kishë”?
Do të ishte interesante të dashur besimtar, nëse do të bënim një studim për të parë dhe për të mësuar se përse vijnë njerëzit në Kishë?
Shumë nga ne do të shohin se nuk vijnë në kishë për atë të cilën përmbush misioni i Kishës. Na ndihmon shumë për çështjen dhe shqetësimin tonë paravolia e Fariseut dhe Tagrambledhësit.
Për parantezë kujtojmë se me të dielën e Fariseut dhe Tagrambledhësit futemi në periudhën e Triodit, e cila përfundon me të Shtunën e Madhe. Me të dielën e sotme dhe me tre të dielat e tjera, Kisha na parapërgatit për periudhën shpirtërore të kreshmëve të mëdha.
Po le të kthehemi tek paravolia jonë. Çfarë ndodh në të? Zoti Krisht na thotë : “ Dy burra shkuan në tempull për tu lutur. Njëri nga ata ishte farise dhe tjetri tagrambledhës. Fariseu rrinte në këmbë dhe lutei duke thënë me vete: “ Perëndi, unë të falendroj se nuk jam si njerëzit e tjerë, vjedhës, i padrejtë, nuk jam burrë që bëj tradhëti bashkëshortore, si edhe nuk jam si ky tagrambledhës. Unë madje agjëroj dy herë në javë dhe jap të dhjetën e të gjithë të ardhurave të mia”. Tagrambledhësi rrinte larg, e nuk guxonte të ngrinte sytë drejt qiellit, vetëm godiste me grushta kraharorin dhe thoshte: “ Perëndi ki mëshirë për mua mëkatarin”. (Lk.18:10-13)
Nga këta të dy thotë Zoti, ishte tagrambledhësi ai që u drejtësua nga Perëndia.
Patjetër që lind pyetja pse nuk u drejtësua nga Zoti fariseu, kur ai ka kaq shumë gjera të mira, nuk ishte vjedhës, nuk ishte i padrejtë, nuk ishte imoral, madje kishte dhe vepra të mira, jepte 10% të të ardhurave të tij si dhe agjëronte dy herë në javë? Ai do të ishte drejtësuar nëse do të dinte dhe do të përmbushte qëllimin për të cilin ne shkojmë në tempullin e Perëndisë.
Por çfarë bëri ai? Ai shkoi në tempull për ti treguar Zotit se sa njëri i mirë dhe sa shumë vepra të mira kishte bërë. Shkoi në Shtëpinë e Zotit për të gjykuar të tjerët. Fatkeqësisht këtë gjë bëjmë edhe shumë nga ne, ne vijmë në kishë për tu mburrur, që mbajmë kreshmë, që bëjmë lutje, që psalim, që ndihmojmë më të varfërit, që nuk jemi vjedhës dhe imoral dhe fillojmë dhe gjykojmë të tjerët. Si vijnë në kishë ai/ajo, ai është imoral, hajdut etj. Sigurisht ashtu si edhe fariseu nuk kemi për tu drejtësuar.
Është shumë e dëgjuar thënia e Shen Joan Gojartit: “ Nëse dikush e mban veten për të drejtë, le të largohet nga Kisha, unë nuk kam një Ungjill për të drejtët”.
Shumë të tjerë vijnë në kishë edhe për arsye të tjera, për të pasur shëndet, për ndihmë ekonomike, për tu bërë të pasur, për të gjetur punë, për të gjetur shokun apo shoqen e jetës, për të pasur fëmijë, e shumë e shumë gjera të tjera. Sigurisht këto nuk janë të këqija si kërkesa, por nuk është arsyeja kryesore pse duhet të vijmë në kishë. Kisha nuk është një institucion ku shkojmë për të gjetur punë. Nuk është si spitalet ku mjekohen sëmundje të ndryshme trupore. Nuk është një institucion bamirës për të ndarë ushqime dhe veshje. Nuk është një agjensi që bën lidhje dhe bashkime të çifteve. Nuk është ky qëllimi kryesor i Kishës.
Tagrambledhësi e kishte kuptuar shumë mirë pse duhet të shkojmë në shtëpinë e Zotit, prandai Zoti e drejtësoi. Po, tagrambledhësi na mësoi që në kishë vijmë që të kërkojmë tek Perëndia faljen e mëkateve në mënyrë që të marim ndjesën prej tyre dhe të shpëtojmë shpirtin tonë. Kisha është spitali i shpirtrave tanë. Është institucioni i cili ka për qëllim të përmbush qëllimin tonë kryesor të jetës, bashkimin me Perëndinë. Qëllimi kryesor për të cilin vijmë në kishë është shpëtimi i shpirtrave tanë, ndjesa dhe falja e mëkateve tona dhe fitimi i jetës së përjetëshme.
Nëse vijmë për qëllime të tjera ne kemi vepruar pikërisht si fariseu dhe nuk do të jetë aspak e dobishme. Nëse do të vijmë me frymën e tagrambledhësit, do të marrim drejtësinë e Zotit.
Ja po të shikojmë me kujdes lutjet që bëhen në shërbesat e kishës dhe më tepër në Liturgjinë Hyjnore, do të shikojmë se ato kanë lidhje pikërisht me pendimin, faljen e mëkateve dhe gjithçka të dobishme për shpëtimin e shpirtrave tanë. Ja le të kujtojmë fjalët në pikën më kulminante dhe finale të Liturgjisë Hyjnore, kungimin me Trupin dhe Gjakun e Krishtit. Në atë moment te çdo besimtarë që kungohet prifti thotë: “ Kungohet shërbëtori/ shërbëtorja e Perëndisë (..,) me Trupin dhe Gjakun e Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht për ndjesë fajesh dhe jetë të amëshur. Amin”.
Ne patjetër do ti kërkojmë ndihmë Zotit për të gjitha nevojat tona të përditëshme, por duhet që patjetër kur vijmë në Kisha ose kudo ku ndodhemi gjatë jetës sonë, së pari të kërkojmë ndjesë dhe falje të mëkateve tona dhe ato që janë të obishme për shpëtimin e shpirtrave tanë. Amin
Nga predikimi i Mitropolitit të Apollonisë & Fierit, +Nikolla, E Diela e Tagrambledhësit dhe Fariseut (Fillimi i Triodit), dt. 21/02/2021
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










