E MARTA E MADHE – Leximet biblike dhe himnet nga Shërbesa e Dhëndrit (2)
– Të hënën në mbrëmje –
UNGJILLI – MATTHEU 22:15-23:39.
Atëherë Farisenjtë shkuan e bënë këshillë, si ta zënë në lak me fjalë. Edhe dërgojnë tek ai nxënësit e tyre bashkë me Herodianët, duke thënë: Mësues, e dimë se je i vërtetë, edhe mëson udhën e Perëndisë me të vërtetë edhe nuk do t’ia dish për asgjë; sepse nuk shikon në faqe njerëzish.
Thuajna pra: Si të duket? Eshtë e udhës t’i japim taksë Cezarit, apo jo? Po Jisui, si njohu djallëzinë e tyre, tha: Pse më ngisni, hipokritë? Tregomëni monedhën e taksës. Edhe ata i prunë një dinar. Edhe ai u thotë atyre: E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim? Ata i thonë: E Cezarit. Atëherë u thotë atyre: Jepini pra Cezarit ç’janë të Cezarit dhe Perëndisë ç’janë të Perëndisë. Edhe ata, kur dëgjuan, u çuditën, edhe e lanë atë e ikën.
Në atë ditë i erdhën pranë Saduqenj, të cilët thonë se nuk ka ngjallje; edhe e pyetën, duke thënë: Mësues, Moisiu tha: “Në vdektë ndonjë pa pasur bij, i vëllai do të martohet me gruan e tij, edhe do t’i ngjallë farë të vëllait të tij”. Edhe ishin ndër ne shtatë vëllezër. Edhe i pari, si u martua, vdiq; edhe pasi nuk kishte fëmijë, ia la gruan e tij të vëllait të tij. Kështu edhe i dyti, edhe i treti, deri në të shtatin. Edhe më pas nga të gjithë vdiq edhe gruaja. Në ngjallje pra, gruaja e kujt do të jetë nga këta të shtatë? Sepse të gjithë e patën grua atë.
Edhe Jisui u përgjigj e u tha: Jeni të gënjyer, se nuk dini shkrimet, as fuqinë e Perëndisë. Sepse në ngjallje as martohen, as martojnë, por janë si engjëj të Perëndisë në qiell. Edhe për ngjalljen e të vdekurve a s’keni lexuar ç’ju është thënë juve prej Perëndisë, kur thotë: “Unë jam Perëndia i Abrahamit, edhe Perëndia i Isaakut, edhe Perëndia i Jakovit”? Perëndia nuk është Perëndi të vdekurish, por të gjallësh. Edhe turmat kur dëgjuan, habiteshin për mësimin e tij.
Por Farisenjtë kur dëgjuan se u mbylli gojën Saduqenjve, u mblodhën bashkë. Edhe një mësues ligji nga ata, e pyeti duke e ngacmuar atë, e duke thënë: Mësues, cili urdhërim është më i madhi në ligj? Edhe Jisui i tha atij: “Të duash Zotin Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, dhe me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde”. Ky është urdhërimi i parë dhe i madh. Edhe i dyti i ngjashëm me të është: “Të duash të afërmin tënd si veten tënde”. Gjithë ligji dhe profetët varen nga këto dy urdhërime.
Edhe ndërsa ishin mbledhur Farisenjtë, Jisui i pyeti, duke thënë: Ç’mendoni ju për Krishtin? I biri i kujt është? I thonë: I Davidit. U thotë atyre: Si pra Davidi në Frymë e quan atë Zot, duke thënë: “I tha Zoti Zotit tim: Rri në të djathtën time deri sa të vë armiqtë e tu nënkëmbëse të këmbëve të tua”? Në qoftë pra se Davidi e quan Zot, si është i biri i atij? Edhe asnjë nuk mundej t’i përgjigjej ndonjë fjalë; as nuk guxoi ndonjë që atë ditë ta pyesë më.
Atëhere Jisui u foli turmave dhe nxënësve të tij, duke thënë: Shkruesit edhe Farisenjtë ndenjën mbi fronin e Moisiut. Gjithë sa t’ju thonë pra juve t’i ruani, t’i ruani edhe t’i bëni; por sipas punëve të tyre mos bëni; sepse thonë edhe nuk bëjnë. Sepse lidhin barrë të rënda që mezi mbahen, edhe i vënë mbi supe të njerëzve; por ata me gishtin e tyre nuk duan t’i luajnë. Edhe gjithë punët e tyre i bëjnë që të duken ndër njerëzit. Dhe zgjerojnë filakterët e tyre edhe zmadhojnë cepat e rrobave të tyre. Edhe duan kreun e tryezës nëpër darkat dhe vendet e para nëpër sinagoga, edhe përshëndetjet nëpër tregje, edhe të quhen nga njerëzit: Rabbi,. Po ju mos u quani Rabbi, sepse një është mësuesi juaj, Krishti, edhe të gjithë ju jeni vëllezër. Edhe mos quani ndonjë atin tuaj mbi dhe; sepse një është Ati juaj, ai që është në qiejt. As mos u quani mësues; sepse një është mësuesi juaj, Krishti. Po më i madhi prej jush do të jetë shërbëtori juaj. Edhe kush të lartësojë veten e tij, do të ulet; edhe kush të ulë veten e tij, do të lartësohet.
Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse mbyllni mbretërinë e Perëndisë përpara njerëzve; sepse ju nuk hyni, edhe as ata që hyjnë nuk i lini të hyjnë.
Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse gllabëroni shtëpitë e të vejave me shkakun e rremë se luteni gjatë; prandaj do të merrni më tepër dënim.
Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, se i vërtiteni detit edhe tokës për të bërë një prozelit; edhe pasi bëhet i tillë, e bëni atë bir gjehene dy herë më tepër se veten tuaj.
Mjerë ju udhëheqës të verbër, që thoni: Kush të betohet për tempullin, nuk është gjë; po kush të betohet për arin e tempullit, ka detyrim. Të marrë dhe të verbër! Sepse cili është më i madh, ari apo tempulli që shenjtëron arin? Edhe: Kush të betohet për theroren, nuk është gjë; po kush të betohet për dhuratën që është mbi të, ka detyrim. Të marrë edhe të verbër! Sepse cila është më e madhe, dhurata apo therorja që shenjtëron dhuratën? Ai pra që betohet për theroren, betohet për atë dhe për gjithë ato që janë përmbi të. Edhe ai që betohet për tempullin, betohet për atë që rri në të. Edhe ai që betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë, edhe për atë që rri mbi të.
Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse jepni të dhjetën e mendrës e të marajt e kuminit, edhe keni lënë më të rëndësishmet e ligjit, drejtësinë edhe përdëllimin edhe besimin. Këto duhet t’i bëni, edhe ato të mos i lini. Udhëheqës të verbër, që hiqni në kullesë mushkonjën, ndërsa gamilen e përpini!
Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse pastroni anën e jashtme të gotës edhe të pjatës, po përbrenda janë plot me rrëmbime e pa vetëpërmbajtje. Farise i verbër, pastro më përpara të brendshmen e gotës dhe të pjatës, që të bëhet e pastër edhe ana e jashtme e tyre.
Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse ngjani me varre të lyer me gëlqere, të cilët nga jashtë duken të bukur, po përbrenda janë plot me eshtra të vdekurish e çdo ndyrësi. Kështu edhe ju, nga jashtë dukeni të drejtë tek njerëzit, po përbrenda jeni plot me hipokrizi e me paligjësi.
Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, sepse ndërtoni varret e profetëve edhe stolisni përmendoret e të drejtëve. Edhe thoni: Po të ishim ne në ditët e etërve tanë, nuk do të ishim pjesëtarë me ata në gjakun e profetëve. Kështu pra dëshmoni për veten tuaj se jeni të bijtë e atyre që vranë profetët. Mbushni edhe ju masën e etërve tuaj. Gjarpërinj, pjellë nepërkash, si do të ikni nga dënimi i gjehenës? Prandaj, ja unë tek do të dërgoj tek ju profetë, edhe të ditur, edhe shkrues; edhe disa nga ata do t’i vrisni e do t’i kryqëzoni, edhe disa nga ata do t’i fshikulloni nëpër sinagogat tuaja edhe do t’i ndiqni nga qyteti në qytet, që të vijë mbi ju çdo gjak i drejtë që derdhet mbi dhe, që nga gjaku i Abelit të drejtë e deri në gjakun e Zaharisë, birit të Barahiut, të cilin e vratë ndërmjet tempullit dhe therores. Me të vërtetë po ju them juve: Të gjitha këto do të vijnë mbi këtë brez.
Jerusalem, Jerusalem, që vret profetët, edhe vret me gurë ata që janë dërguar tek ti, sa herë desha të mbledh bijtë e tu, sikundër i mbledh klloçka zogjtë e saj nën krahë, po nuk deshët? Ja shtëpia juaj tek po ju lihet e shkretë. Sepse po ju them juve: Nuk do të më shihni më, deri sa të thoni: I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










