02/06/2022 02/06/2022 E enjte, 2 qershor 2022 – Shenjtori i ditës. Ngjitja në Qiej e Zotit Krisht. Oshënar Niqifori i Konstandinopojës. Hierodëshmor Erazmi në Ohër. Dëshmor Leandri. – NGJITJA NË QIEJ E ZOTIT KRISHT Jisui nuk jetoi me nxënësit e tij mbas ngjalljes, siç kishte bërë para vdekjes së tij. I mbushur me lavdinë e hyjnisë së...
02 Ιουνίου, 2022 - 15:19

NGJITJA NË QIEJ E ZOTIT KRISHT

Διαδώστε:
NGJITJA NË QIEJ E ZOTIT KRISHT

E enjte, 2 qershor 2022 – Shenjtori i ditës.
Ngjitja në Qiej e Zotit Krisht. Oshënar Niqifori i Konstandinopojës. Hierodëshmor Erazmi në Ohër. Dëshmor Leandri.
– NGJITJA NË QIEJ E ZOTIT KRISHT
Jisui nuk jetoi me nxënësit e tij mbas ngjalljes, siç kishte bërë para vdekjes së tij. I mbushur me lavdinë e hyjnisë së tij, Ai u shfaq në kohë dhe vende të ndryshme tek njerëzit e tij, duke i siguruar ata, se ishte me të vërtetë i gjallë në trupin e tij të ngjallur dhe të lavdëruar. Atyre, pasi pati vuajtur, iu paraqit i ngjallur me shumë prova bindëse, duke u parë prej tyre për dyzet ditë dhe duke folur për gjërat e Mbretërisë së Perëndisë (Veprat 1:3). Duhet të vihet re se periudha dyzetë ditë përdoret shumë herë në Shkrimin e Shenjtë dhe tregon një periudhë kohore plotësimi e mjaftueshmërie (Gjeneza 7:17; Eksodi 16:35; Gjyqtarët 3:11; 1 Samueli 17:16; 1 Mbretërit 19:8; Jona 3:4; Mattheu 4:2).
Ditën e dyzet mbas Pashkës së tij, Jisui u ngjit në qiell, për t’u lavdëruar në të djathtën e Perëndisë (Veprat 1:9-11; Marku 16:19; Lluka 24:51). Ngjitja e Krishtit është nisja e Tij e fundit fizike nga kjo botë mbas Ngjalljes. Ajo është plotësimi zyrtar i misionit të Tij në këtë botë, si Shpëtimtari Mesianik. Eshtë kthimi i tij i lavdishëm tek Ati, që e dërgoi atë në botë për të kryer veprën që i kishte dhënë për të bërë (Joani 17:4-5). …dhe ndërsa po i bekonte, u nda prej tyre dhe e morën lart në qiell. Dhe ata, pasi e adhuruan, u kthyen në Jerusalem me gëzim të madh… (Lluka 24:51-52).
Kremtimi i Ngjitjes, siç janë edhe të gjitha kremtimet e tilla festive, nuk është thjesht një kujtim i një ngjarjeje të jetës së Krishtit. Me të vërtetë, Ngjitja vetë, nuk duhet kuptuar sikur të ishte thjesht një ngjarje mbinatyrale e një njeriu që po fluturon tej në qiejtë. Shkrimi i Shenjtë thekson nisjen fizike të Krishtit dhe lavdërimin e tij me Perëndinë Atë, bashkë me gëzimin e madh që nxënësit patën kur morën premtimin e Shpirtit të Shenjtë, i cili do të vinte për të siguruar praninë e Zotit tek ata, duke i aftësuar që të bëheshin dëshmuesit e tij deri në skajet e dheut (Lluka 24:48-53; Veprat 1:8-11; Mattheu 28:16-20; Marku 16:16-19).
Në Kishë, besimtarët në Krishtin, i kremtojnë këto realitete me bindjen se nisja e Krishtit prej kësaj bote u bë për ata dhe për të gjithë njerëzit. Zoti niset për t’u lavdëruar me Perëndinë Atë dhe për të na lavdëruar ne me vetveten e Tij. Ai shkon që të “përgatisë një vend” për ne dhe për të na marrë ne gjithashtu në lumërinë e pranisë së Perëndisë. Ai shkon për t’i hapur rrugën çdo mishi drejt “hierores qiellore… Shenjtërores që s’është bërë me duar” (Shih Hebrenjtë 8-10). Ai shkon për të dërguar Shpirtin e Shenjtë, që buron prej Atit, që jep dëshmi në botë për Të dhe Ungjillin e Tij, duke e bërë atë fuqimisht të pranishëm në jetën e nxënësve të Tij.
Himnet liturgjike të festës së Shestjes i këndojnë të gjitha këto gjëra. Vargjet antifonalë të Meshës Hyjnore janë marrë prej Psalmeve 47, 48 dhe 49. Përlëshorja e festës që këndohet në hyrjen e vogël, këndohet gjithashtu si himn pas-Kungimor.
U ngjite në lavdi, o Krisht, Perëndia ynë dhe u gëzuan nxënësit e tu nga premtimi i Shpirtit të Shenjtë dhe me bekimin u siguruan se Ti je Biri i Perëndisë, Shpëtimtari i Botës! (Përlëshorja).
Mbasi e mbarove veprën për ne përmbi dhé dhe bashkove qiellin me dhenë, u ngjite me lavdi, o Krisht, Perëndia ynë, por pa u ndarë prej atyre që të duan ty, duke mbetur me ata dhe duke thënë: Ja unë jam me ju dhe askush nuk do jetë kundër jush! (Shkurtorja).
* * * * *
– OSHËNAR NIQIFORI I KONSTANDINOPOJËS –
Patriark i Konstandinopojës, lindi në vitin 758 kur mbreti i Konstandinopojës ishte ikonoklasti Kopronim. Prindërit e tij, Theodhori dhe Evdhoqia, ishin fisnikë të njohur, sepse babai i tij ishte regjistrues dhe noter i dekreteve dhe i urdhrave të mbretit. Pasi u zbulua se ai u falej (nderonte) ikonave të shenjta, e torturuan, e rrahën dhe e internuan në qytetin Milasa.
Pasi u kthye nga internimi, vazhdoi të mos i bindej urdhëresave të paligjshme e të padrejta të mbretit. Për herë të dytë u internua në Nikea ku vdiq pas 6 vjet internimi. Djali i Theodhorit, Niqifori, lindi dhe u rrit brenda një fryme orthodhokse. Që në moshë të vogël filloi të mësojë Shkrimet e Shenjta dhe u bë sekretar i oborrit mbretëror. Më pas, duke i konsideruar gjërat e botës si të kota dhe pa vlerë, u largua nga Konstandinopoja dhe shkoi në Propondidha. Atje, duke qenë vetëm me Perëndinë, lutej dhe ushtrohej në jetën e tij shpirtërore.
Meqenëse Patriarku i Konstandinopojës, Tarasi i Madh, vdiq, mbreti i atëhershëm iu lut dhe e bindi shën Niqiforin të bëhet patriark i Konstandinopojës të Dielën e Pashkës të vitit 806. Për 9 vjet me radhë shën Niqifori e udhëhoqi grigjën e tij si një bari i mirë. Por, pas vdekjes së mbretit, fronin e trashëgoi i biri i tij Stavragi, i cili mbretëroi vetëm dy muaj. Mbretëria kalon një gjendje të paqëndrueshme. Pas tij vijojnë edhe dy mbretëri të tjera, e Mihail Kuropalatit dhe e Leonit V, i cili e mori me dhunë fronin dhe në vitin 813 u bë mbret i Konstandinopojës.
Ky ishte dhe nxitësi i luftës kundër ikonave të shenjta dhe i besimit. Është e pamundur që të dalë dikush dhe të përshkruajë fjalët dhe argumentet që shën Niqifori i tha mbretit për nderimin e ikonave të shenjta. I zemëruar, mbreti e shpronësoi shenjtin, e internoi dhe e burgosi, duke urdhëruar që të mos komunikojë me asnjë. Kështu jetoi ky luftëtar i guximshëm i besimit, duke pësuar dhe duke vajtuar në internim për 13 vjet me radhë.
Në moshën 70-vjeçare, i munduar nga vuajtjet shumëvjeçare, ai dorëzoi shpirtin e tij të shenjtë në duart e Perëndisë.
* * * * *
– HIEROMARTIR ERAZMI I OHRIT –
Shën Erazmi bënte një jetë asketike në epokën e Dioklecianit. Ai arriti në një shkallë të lartë shpirtërore saqë u denjësua për Hirin hyjnor. Ushqehej nga korbat, si profeti Ilia (20 korrik). Rrezatimi i Hirit e bëri të zgjidhej episkop, pa dëshirën e tij.
Nuk kaloi shumë dhe, i nxitur nga frymëzimi hyjnor, përqafoi jetën hierapostolike dhe shkoi në krahina të ndryshme për të shpallur Ungjillin, si me fjalë ashtu edhe me anë të fuqisë së mrekullive. Kur mbërriti në Ohër, ai ngjalli një fëmijë dhe atin, të cilët u bënë të krishterë. Rrëzoi përtokë idhujt dhe, në vetëm shtatë ditë, arriti të kthente ne besim mbarë popullin.
Maksimiani, në këtë kohë, ishte duke kaluar për në Hermopolis dhe i raportuan se një i krishterë që kishte mbërritur nga Antiokia, kishte përmbysur idhujt dhe kishte kthyer në Krishterim një numër të madh njerëzish.
Erazmin e sollën para perandorit, e rrahën dhe e morën në pyetje. Kur shenjtori i pyeti se cilin perëndi kërkonin që t’i falej, Maksimiani e çoi në tempullin e Zeusit dhe i tregoi një statujë të madhe prej bronzi. Sapo Erazmi i hodhi statujës një vështrim kërcënues, ajo u thërrmua dhe prej saj doli një dragua i frikshëm. Të tmerruar, një numër i madh paganësh – thuhet se ishin 20.000 – u kthyen në besim. Ushtarët i vranë të gjithë, pa mëshirë.
Shenjtorit i veshën një këmishë bronzi të nxehur në zjarr, për ta torturuar, por hiri i Perëndisë e ndihmoi ta duronte sikur të ishte një rrobë e freskët dhe e lehtë. Në vazhdim, kryeengjëlli Mihail e çliroi nga burgu dhe e çoi në Formi të Kampanjas, ku shpalli Lajmin e Mirë me të njëjtat rezultate.
Kur erdhi koha për ta lënë këtë botë, shën Erazmi u kthye drejt Lindjes dhe e luti tri herë Zotin që t’u falte ndjesën e mëkateve të gjithë atyre që, në të ardhmen, do të kremtonin kujtimin e tij. Pastaj një kurorë e shkëlqyeshme zbriti prej qiellit dhe një kor i madh shenjtorësh erdhi dhe qëndroi para tij për ta çuar në oborrin qiellor.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων