Leximet Biblike
E mërkurë, 10 gusht 2022 – Leximet Biblike.
JEMI NË KRESHMËN E HYJLINDËSES MARI (1-15 gusht)
APOSTULLI – 1 Korinthianëve 13:4-14:5.
Dashuria është zemërgjerë edhe bën të mira; dashuria s’ka smirë; dashuria nuk kërkon të duket, nuk mbahet me të madh, nuk sillet vrazhdë, nuk kërkon të sajat, nuk zemërohet, nuk mendon të ligën; nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet për të vërtetën. Të gjitha i mban, të gjitha i beson, të gjitha i shpreson, të gjitha i duron.
Dashuria kurrë nuk bie poshtë. Po të tjerat, qofshin profeci, do të mbarojnë; qofshin gjuhë, do të pushojnë; qoftë dituri, do të humbasë. Sepse ne pjesërisht njohim, edhe pjesërisht profetizojmë. Po kur të vijë e plota, atëherë ajo që është e pjesshme do të mbarojë.
Kur isha foshnjë, si foshnjë flisja, si foshnjë kuptoja, si foshnjë mendohesha; po kur u bëra burrë, i hodha tej punët e fëmijës, sepse tani shohim në të errët si në pasqyrë, po atëherë do të shohim faqe për faqe; tani njoh pjesërisht, po atëherë do të njoh sikurse edhe u njoha.
Edhe tani mbetet besimi, shpresa, dashuria, këto të tria; po më e madhja nga këto është dashuria.
Ndiqni dashurinë; edhe lypni me zell dhuratat shpirtërore, po më tepër që të profetizoni. Sepse ai që flet gjuhë të panjohur, nuk u flet njerëzve, po Perëndisë; sepse asnjë s’e kupton, po me shpirtin e tij flet fshehtësira.
Kurse ai që profetizon, u flet njerëzve për ndërtim e për mësim e për ngushëllim. Ai që flet gjuhë të huaj ndërton veten e tij; po ai që profetizon, ndërton kishën. Edhe dua që të gjithë ju të flitni gjuhë, po më tepër të profetizoni; sepse ai që profetizon është më i madh se ai që flet gjuhë, përveç në e përktheftë, që të marrë ndërtim kisha.
* * * *
UNGJILLI – Mattheu 20:1-16.
Sepse mbretëria e qiejve ngjan me një njeri zot shtëpie, i cili doli që menatë të pajtojë punëtorë për vreshtin e tij. Edhe si u mor vesh me punëtorët për një dinar në ditë, i dërgoi në vreshtin e tij.
Edhe si doli rreth orës së tretë, pa të tjerë duke ndenjur në treg pa punë. U thotë edhe atyre: Shkoni edhe ju në vresht, edhe do t’ju jap ç’të jetë e udhës. Edhe ata shkuan. Përsëri doli rreth orës së gjashtë e të nëntë, edhe bëri po ashtu. Edhe si doli rreth orës së njëmbëdhjetë, gjeti të tjerë duke ndenjur pa punë.
Edhe u thotë: Pse keni ndenjur këtu tërë ditën pa punë?
I thonë: Sepse asnjë s’na pajtoi. U thotë: Shkoni edhe ju në vresht, edhe do të merrni ç’të jetë e udhës. Edhe si u ngrys, i zoti i vreshtit i thotë kujdestarit të tij: Thirr punëtorët, edhe jepu pagën atyre, duke nisur nga të fundit deri tek të parët. Edhe erdhën ata që ishin pajtuar rreth orës së njëmbëdhjetë, edhe morën nga një dinar.
Edhe kur erdhën të parët, pandehën se do të marrin më shumë; po edhe ata morën nga një dinar. Edhe si i morën, qaheshin kundër të zotit të shtëpisë, duke thënë se: Këta të fundit bënë një orë, edhe i bëre të barabartë me ne që mbajtëm peshën e ditës dhe vapën.
Po ai u përgjigj e i tha njërit nga ata: Mik, nuk po të bëj padrejtësi.
A nuk bëre fjalë me mua për një dinar? Merr tëndin dhe ik. Edhe këtij të fundit dua t’i jap njëlloj si edhe ty.
Apo nuk më lejohet të bëj ç’të dua në punën time? Apo syri yt është i lig, sepse unë jam i mirë?
Kështu do të jenë të fundit të parë, edhe të parët të fundit. Sepse shumë janë të thirrur, por pak të zgjedhur.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










