22/04/2021 22/04/2021 E enjte, 22 prill 2021 – Shenjtori i ditës. JEMI NË KRESHMËN E MADHE TË PASHKËS (15 MARS – 2 MAJ) Apostull Nathanaili. Oshënar Theodhor Sikeoti. Oshënar Theohari dhe Apostoli. Hierodëshmor Gai i Romës. Dëshmorët Epipodi dhe Aleksandri i Lionit. Dëshmor Nearku Apostull Nathanaili. Sipas traditës së Kishës, apostulli i lavdishëm Nathanaili ishte me origjinë...
22 Απριλίου, 2021 - 17:18

Διαδώστε:

E enjte, 22 prill 2021 – Shenjtori i ditës.
JEMI NË KRESHMËN E MADHE TË PASHKËS
(15 MARS – 2 MAJ)
Apostull Nathanaili. Oshënar Theodhor Sikeoti. Oshënar Theohari dhe Apostoli. Hierodëshmor Gai i Romës. Dëshmorët Epipodi dhe Aleksandri i Lionit. Dëshmor Nearku
Apostull Nathanaili.
Sipas traditës së Kishës, apostulli i lavdishëm Nathanaili ishte me origjinë nga Kana e Galilesë. I përshpirtshëm dhe njohës i Shkrimeve të Shenjta, ai priste ardhjen e Mesias. Kur apostull Filipi takoi Zotin, ai shkoi për t’i thënë Nathanailit, se e kishte gjetur Atë për të Cilin kishin lajmëruar Ligji dhe profetët: Jisuin e Nazaretit. Nathanaili u çudit dhe tha: “A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti?”. Por, megjithatë, shkoi për ta takuar Krishtin.
Zoti, kur e pa, tha: “Ja një izraelit i vërtetë, tek i cili nuk ka gënjeshtër”. Zoti i zbuloi, se e kishte parë të ulur nën një fik para se Filipi ta takonte. Nathanaili kuptoi se ky njeri zotëronte njohjen e çdo gjëje dhe thirri: “Rabi, ti je Biri i Perëndisë, ti je mbreti i Izraelit!” (Jn. 1:45-50).
* * * * *
Dëshmorët Epipodi dhe Aleksandri i Lionit.
Në kohën e persekutimit të Mark-Aurelit (117), kur paganët besuan se ishin zhdukur tashmë gjithë të krishterët nga Lioni me martirizimin e shën Potinit dhe shokëve të tij (2 qershor), Aleksandri dhe Epipodi, që ishin shokë shumë të ngushtë që në fëmijëri, u larguan nga qyteti dhe u strehuan në një qytezë te një vejushë e krishterë. Por u zbuluan dhe i futën në burg e u çuan te gjykatësi. Kur u shpallën të krishterë, turma lëshoi të bërtitura të mëdha, gjykatësi i zemëruar dha urdhër t’i ndanin dhe Epipodin ta torturonin.
Gjatë torturës Epipodi i tha këto fjalë gjykatësit: “Jeta për të cilën më flet është një vdekje e përjetshme, dhe vdekja me të cilën më kërcënon është një kalim për në jetën që nuk do të ketë kurrë fund. Ekzekutimet tuaja na dhurojnë përjetësinë.” Pasi e goditi në gojë, gjykatësi dha urdhër t’i çanin brinjët me thonj hekuri. Papritur, populli i etur për gjak, kërkoi ta lironin këtë të krishterë, por nga frika se mos shkaktohej ndonjë revoltë, gjykatësi e ekzekutoi pa vonim shën Epipodin.
Të nesërmen Aleksandrin provuan ta trembnin duke i kujtuar vuajtjet e shokut të tij. Por ai u përgjigj: “Ti beson se do të më frikësosh me kujtimin e vuajtjeve që shumë martirë i duruan? Ta dish se po e ndez dëshirën për t’i ndjekur ata. Emrin e krishterë, që pretendon të shuash, do të bëhet me këtë më i shkëlqyer!” Gjykatësi e goditi pa mëshirë bashkë me tre xhelatë të tjerë, pastaj e dënoi me kryqëzim. Të krishterë shpresëtarë erdhën dhe morën trupat e dy martirëve dhe i fshehën në një shpellë përreth Lionit, i cili u bë i njohur për mrekullitë që kryheshin.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων