02/12/2022 02/12/2022 E premte, 2 dhjetor 2022 – Shenjtori i ditës. Profeti Abakum. Dëshmoret Miropi, Viviana. Oshënar Theofili. Oshënar Porfir Kafsokaliviti. JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES (15 NËNTOR – 25 DHJETOR) – PROFETI ABAKUM – Profeti i shenjtë Abakum vinte nga fisi i Simeonit. Ishte bir i Shafatit dhe jetoi rreth 600 vjet para Krishtit. I frymëzuar...
02 Δεκεμβρίου, 2022 - 17:23
Τελευταία ενημέρωση: 02/12/2022 - 17:24

Profeti Abakum. Dëshmoret Miropi, Viviana. Oshënar Theofili. Oshënar Porfir Kafsokaliviti

Διαδώστε:
Profeti Abakum. Dëshmoret Miropi, Viviana. Oshënar Theofili. Oshënar Porfir Kafsokaliviti

E premte, 2 dhjetor 2022 – Shenjtori i ditës.

Profeti Abakum. Dëshmoret Miropi, Viviana. Oshënar Theofili. Oshënar Porfir Kafsokaliviti.
JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES
(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)

– PROFETI ABAKUM –
Profeti i shenjtë Abakum vinte nga fisi i Simeonit. Ishte bir i Shafatit dhe jetoi rreth 600 vjet para Krishtit. I frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, ai paratha marrjen e Jerusalemit nga Kaldeasit, internimin në Babiloni, dhe qau hidhur për fatin e popullit rebel ndaj Perëndisë. Kur Nabukodonosori rrethoi Jerusalemin, profeti shkoi tek Osroeni dhe jetoi si i huaj në Arabi, në vendin e Ismaelit. Ai u kthye në Jude vetëm pasi kaldeasit internuan në Babiloni një numër të madh banorësh të Jerusalemit dhe të Egjiptit.
Një ditë, në momentin që në arat e tij bëhej korrja, Abakumi u tha shërbëtorëve të prisnin një moment para se t’u jepnin ushqim korrësve, që të kishte kohë të kryente një porosi në një vend të largët.
Sapo dha këtë urdhër, një engjëll e mori dhe e çoi në Babiloni për t’i dhënë ushqim profetit Daniel në gropën e luanëve (Dan. 6) Ai u kthye në Jude me një mënyrë të mrekullueshme disa momente më vonë dhe u ofroi korrësve të njëjtin ushqim.
Duke mbajtur emrin që paralajmëronte çlirimin final të popullit dhe parathoshte ngjalljen e ardhshme sepse Habakuk ose Abakum do të thotë ati i ngjalljes, profeti i shenjtë priste me vigjilencë ardhjen e fjalës së Perëndisë tek ai, duke qëndruar si rojë mbi zemrën e tij (shih Abakum 2:1). Në këtë pikë ai krijoi himnin e tij të bukur që është Ode IV e Kanonit të Mëngjesores.
Dhe duke parë shenjat profetike të shfaqjes së pushtetit të Perëndisë nëpërmjet Mishërimit të Tij, ai psal: “O Zot, dëgjova zërin tënd dhe u frikësova; o Zot, kuptova veprat e tua dhe u habita” (Abakum 3:1-2).
Ai paratha lindjen e Fjalës, duke përshkruar në mënyrë të mistershme virgjërinë e Perëndilindëses (Hyjlindëses) Mari: “Zoti do të vijë nga Temani dhe i Shenjti nga mali i hijesuar prej pylli” (po aty, vargu 3). Duke e përshkruar mishërimin dhe ardhjen e Krishtit, si një ndërhyrje e frikshme kozmike të Perëndisë, i Cili, i zemëruar ndaj armiqve të tij, e bën diellin dhe hënën të ndalojnë rrotullimin e tyre dhe bën që themelet e dheut të dridhen nga frika; profeti sheh Zotin që kalëron mbi apostujt e Tij, si mbi kuaj dhe karroca lufte, për të kapërcyer detin, për të mposhtur vdekjen dhe për të shpëtuar popullin e tij. Për këtë arsye, edhe pse i pushtuar nga frika, ai gëzohet në Zotin, Shpëtimtarin e tij, i Cili do të vendosë këmbët e tij mbi shkëmbin e Ungjillit kur do të vijë në fund të jetëve dhe do ta ngrejë bashkë me Krishtin e ngjallur në të soditurit e Perëndisë, që si fitimtar të psalë këngën e tij triumfale në Mbretërinë e përjetshme.
Pas një vegimi, varri i profetit Abakum u zbulua në kohën e perandorit Theodhos në fshatin Kela, afër Eleftheropolit. Në vendin e varrit u ndërtua një kishë dhe përbri një manastir i vogël, ku jetoi shën Epifani (12 maj).
* * * * *
– DËSHMORE MIROPI –
Martirja e shenjtë e Krishtit Miropi lindi në Efes. Në pagëzimin e saj e ëma e dedikoi që të shërbente pranë lipsanit të shën Hermionës një nga katër vajzat e apostull Filipit (4 shtator). Prej trupit të shën Hermionës dilte një miro e lëngshme aromëmirë që bënte mrekulli, gjë që sillte shumë pelegrinë për t’u falur aty.
Kur perandori Decius nisi persekutimin e tij (viti 250), e ëma dhe e bija gjetën strehë në ishullin e Hiosit, ku ia kushtuan veten e tyre lutjes. Por nuk i lanë në paqe, sepse perandori dërgoi në ishull Numeriusin, një guvernator i ri, për të persekutuar të krishterët me më shumë egërsi. Një ushtar që ushqente frikë ndaj Perëndisë, i quajtur Isidor (14 maj), ishte viktima e tij e parë. Atij iu pre koka, pasi iu bënë më parë tortura të frikshme, për ta detyruar të mohonte besimin e krishterë dhe trupin ia flakën në një humnerë, që ta gllabëronin kafshët e egra.
Duke qenë e mbushur përplot me zell të shenjtë dhe duke dashur të nderonte siç duhet martirin e Perëndisë, Miropi, e shoqëruar nga një shërbëtor, shkoi deri në cepin e humnerës dhe, fshehur rojave, mori me vete pjesën e mbetur të trupit të shenjtorit që e varrosi në një vend të bërë gati për këtë qëllim. Numeriusi u tërbua kur mësoi për këtë ngjarje. Ai ndëshkoi rojat dhe u tha atyre të kërkonin kudo në qytet për të gjetur trupin, përndryshe do t’u priste kokat, nëse do të vinin duarbosh.
Miropi u mërzit kur pa ushtarët e dëshpëruar me zinxhirë në duar, të frikësuar për vdekje; ndërgjegjja e saj nuk e linte të qetë. Duke e ndier veten fajtore për ndëshkimin e tyre, ajo shkoi tek ata dhe u tha se e kishte marrë ajo trupin e martirit. Ata e çuan përpara guvernatorit, i cili e mori menjëherë në pyetje, dhe e torturuan. E flakur gjysmë e vdekur në një burg të errët, ajo gjeti përsëri forcën për t’u lutur. Në mes të natës, errësira u ndriçua nga një dritë qiellore dhe martiri i shenjtë Isidori iu shfaq asaj në lavdi në mes të shoqërisë së engjëjve dhe i tha: “Paqe qoftë mbi ty. Perëndia ka dëgjuar lutjet e tua dhe tani do të vish te ne për të marrë kurorën që po të pret”.
Pas pak, shenjtorja e dha shpirtin e saj te Perëndia dhe burgu u mbush me një aromë qiellore. Roja që ruante shenjtoren i pa dhe i dëgjoi të gjitha këto, përqafoi besimin e Krishtit dhe mori dhe ai, më pas, kurorën e ndritshme të martirizimit.

 

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων