07/09/2022 07/09/2022 E mërkurë, 7 shtator 2022 – Shenjtori i ditës. DITË KRESHME Apostujt Evodi e Onisifori nga të 70-t. Dëshmor Sozoni (Sozonti). Oshënare Kasiania, himnografe. – APOSTUJT EVODI E NISIFORI NGA TË 70-t – Shën Evodi ishte një nga shtatëdhjetë dishepujt e Zotit dhe episkop i parë i Antiokisë, i caktuar nga apostulli Petro kur u...
07 Σεπτεμβρίου, 2022 - 17:55

Apostujt Evodi e Onisifori nga të 70-t. Dëshmor Sozoni (Sozonti). Oshënare Kasiania, himnografe.

Διαδώστε:
Apostujt Evodi e Onisifori nga të 70-t. Dëshmor Sozoni (Sozonti). Oshënare Kasiania, himnografe.

E mërkurë, 7 shtator 2022 – Shenjtori i ditës.
DITË KRESHME
Apostujt Evodi e Onisifori nga të 70-t. Dëshmor Sozoni (Sozonti). Oshënare Kasiania, himnografe.
– APOSTUJT EVODI E NISIFORI NGA TË 70-t –
Shën Evodi ishte një nga shtatëdhjetë dishepujt e Zotit dhe episkop i parë i Antiokisë, i caktuar nga apostulli Petro kur u largua për në Romë. Thuhet se ne ia detyrojmë Evodit mbiemrin “i krishterë” për anëtarët e Kishës (Vep. 11.26). Shën Ignati, pasuesi i tij në fronin e Antiokisë, në një nga letrat që i drejton grigjës shkruan: “Kujtoni Evodin e bekuar, bariun tuaj, që ishte i pari pas apostujve që pati përgjegjësinë e kishës suaj. Tregojeni veten të denjë për një atë të tillë dhe mos u bëni si fëmijët që vijnë nga shkelja e kurorës”.
Evodi e udhëhoqi grigjën e Zotit me urtësi, e ruajti veten të pathyer nga bota dhe pastaj u largua në paqe drejt banesave të të drejtëve. Disa thonë se vdiq si martir në kohën e martirizimit të Neronit (viti 64 pas Krishtit) ose pak kohë më vonë.
Shën Onisifori përmendet me mirënjohje nga shën Pavli në letrën e dytë drejtuar Timotheut: “Zoti dhëntë përdëllim në shtëpinë e Onisiforit, sepse shumë herë më dha zemër dhe s’pati turp prej hekurave të mi, por kur erdhi në Romë, më kërkoi me shumë ngulm dhe më gjeti. Zoti i dhëntë atij të gjejë përdëllim nga Ai në atë ditë. Dhe sa më shërbeu në Efes, ti e di mirë” (II Tim. 1.16-18).
Shën Onisifori u bë episkopi i parë i Kolofonit në Azinë e Vogël dhe qëndroi besnik në besimin dhe në predikimin e Lajmit të Mirë, madje edhe duke derdhur gjakun e tij.
* * * * *
– DËSHMOR SOZONI (Sozonti) –
Shën Sozoni lindi në Likaoni të Azisë së Vogël dhe jetoi në mbretërimin e Dioklecianit (284-305). Ai quhej Taras para se të pagëzohej dhe kishte qenë barí. Ai shkoi më tej duke mësuar artin e kullotjes së grigjës shpirtërore dhe solli në besën e vërtetë një numër të madh paganësh me anë të mësimit të tij.
Një ditë, atij iu shfaq në një vizion se kishte mbërritur koha që të derdhte edhe gjakun e tij duke pohuar Krishtin. Kështu ai zbriti në Pompeipolis në Kiliki dhe hyri në tempullin e idhujve ku adhurohej një statujë e artë e Artemisës. Ai i preu dorën e djathë dhe e copëtoi në copëza të vogla për t’ua ndarë të varfërve. Paganët u zemëruan tej mase kur vunë re se çfarë kishte ndodhur dhe u turbulluan edhe më shumë kur panë se Sozoni i bekuar, u dorëzua vetë për të larguar çdo lloj dyshimi. Ai u paraqit menjëherë përpara Maksimianit, guvernatorit të Kilikisë.
Kur shigjetat nuk arritën dot të përkulin vullnetin e tij të fortë për të pohuar Krishtin, atëherë e detyruan të vrapojë me sandale hekuri me gozhdë nga brenda. Kur pa gjakun t’i rridhte në tokë si shi bamirës, shenjtori u mbush me gëzim të madh që nuk ishte i kësaj bote, po që e pati derisa e dorëzoi shpirtin në duart e Perëndisë, i goditur pa mëshirë dhe aq fort, sa i dukeshin kockat dhe të përbrendshmet. Kur ekzekutorët ndezën zjarrin për t’i djegur trupin, nisi një stuhi e madhe, shiu e shoi zjarrin dhe paganët u larguan me vrap të tmerruar. Të krishterët patën mundësi të merrnin trupin e martirit të shenjtë.
* * * * *
– OSHËNARE KASIANIA, HIMNOGRAFE –
Oshënare Kasiania (Himnografja) jetoi në shek. IX në Konstandinopojë, në kohën e mbretit Theofil.
Teksa rritej në moshë, krahas bukurisë fizike kishte mjaft mençuri e urtësi. Sipas kronikanëve bizantinë të kohës, ndër ta dhe shën Simeon Metafrastit (9 nëntor), thuhet se mori pjesë në ceremoninë e përzgjedhjes së nuses për perandorin Theofil, të organizuar nga e ëma e tij, Efrosina.
Theofili, i magjepsur nga bukuria e Kasianisë, iu afrua e i tha: “Nga gruaja erdhi mëkati”, duke iu referuar rënies së Evës në Eden. Kasiania e urtë iu përgjigj: “Nga gruaja erdhi edhe shpëtimi”, shpëtimi që solli Perëndia i mishëruar, i Cili erdhi në botë prej Hyjlindëses. Perandorit të ri iu prek sedra dhe nuk zgjodhi Kasianinë për grua, por Theodhorën.
Kasiania e kaloi pjesën tjetër të jetës në një kinov, të cilin e themeloi vetë në perëndim të Konstandinopojës, pranë mureve të qytetit. Igumene e manastirit u bë ajo vetë. Në vitin 843, teksa Kasiania po hartonte himnin e saj të famshëm, që këndohet të Martën e Madhe të Shenjtë, Perandori Theofil, i cili nuk kishte reshtur së dashuri shenjtoren shkoi në manastirin ku ajo qëndronte, me dëshirën për ta parë edhe një herë të fundit. Sapo dëgjoi trokëllimën e kuajve të shpurës ushtarake, Kasiania, pavarësisht se edhe ajo e kishte mjaft përzemër perandorin, shkoi dhe u fsheh, duke e mohuar plotësisht veten dhe dëshirat e saj. Kur Theofili hyri në qelinë e saj dhe e gjeti bosh, qau hidhur duke thënë se si në një moment, nga krenaria e tij e kishte humbur mundësinë që të marohej me Kasianinë. Në tryezën e saj gjeti himnin e papërfunduar, dhe thuhet se një pjesë të tij e plotësoi ai vetë.
Shenjtorja e përfundoi jetën tokësore në ishullin Kasos, ku ruhet dhe lipsani i saj.

 

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων