07/11/2019 07/11/2019 Të gjithë ne të Krishterët, sipas asaj që tha Vet Zoti, atë që Apostujt e Shenjtë predikuan, dhe atë që na mëson Kisha jonë e Shenjtë me anë të Etërve të Shenjtë dhe mësuesve të saj, presim ardhjen e dytë të Zotit tonë Jisu Krisht. Në Simbolin e Besimit ne themi: “Dhe do të vijë...
07 Νοεμβρίου, 2019 - 15:42
Τελευταία ενημέρωση: 07/11/2019 - 15:45

Ardhja e dytë e Zotit

Διαδώστε:
Ardhja e dytë e Zotit

Të gjithë ne të Krishterët, sipas asaj që tha Vet Zoti, atë që Apostujt e Shenjtë predikuan, dhe atë që na mëson Kisha jonë e Shenjtë me anë të Etërve të Shenjtë dhe mësuesve të saj, presim ardhjen e dytë të Zotit tonë Jisu Krisht. Në Simbolin e Besimit ne themi: “Dhe do të vijë përsëri me lavdi të gjykojë të gjallë dhe të vdekur, Mbretëria e të Cilit nuk do të ketë mbarim”. Zoti do të vijë përsëri. Kjo është Ardhja e Tij e Dytë. Kur do të ndodh? Nuk e dimë. Apostujt e Tij e pyetën Atë: “Na thuaj kur do të ndodhin këto gjëra? Dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e mbarimit të botës? Dhe Zoti iu përgjigj: Ruhuni se mos ju mashtron ndokush! Sepse shumë do të vinë në emrin Tim duke thënë: Unë jam Krishti’ dhe do të mashtrojnë shumë njerëz. Atëherë do të dëgjoni të flitet për luftëra dhe për ushtima luftash, ruhuni të mos shqetësoheni sepse të gjitha këto duhet të ndodhin, por ende mbarimi nuk do të ketë ardhur. Dhe ky Ungjill i Mbretërisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet, dhe atëherë do të vijë mbarimi” (Mateu 24: 3-14). Dhe në një pasazh tjetër Ai shton: “Sa për atë ditë dhe për atë orë, (për Ardhjen e Dytë), askush nuk e di, as engjëjt e qiejve, por vetëm Ati im (Mateu 24:36). Kështu që Ardhja e Dytë e Zotit nuk dihet prej askush përveç Perëndisë, siç qartazi shprehet Zoti.
Mësimi i Kishës është se askush nuk e di Ardhjen e Dytë të Zotit, spekulimet e ndryshme për vite, ditë dhe data të ndryshme nuk vijnë nga mësimi i shëndoshë Orthodhoks i Kishës. Për të ilustruar këtë do t’ju tregoj, se dikush pyeti Shën Serafimin e Sarovit, se kur do të ndodhë ardhja e dytë e Zotit? Shën Serafimi iu përgjigj “Vëlla po më ngre shumë lart, Ardhjen e Dytë të Zotit nuk e dinë as engjëjt, e jo më ta di unë që jam një njeri mëkatar.” Kur Shën Serafimi ishte një shenjt dhe nuk e dinte, si mund ta dimë ne njerëzit që jemi akoma më mëkatarë. Gjithsekush që flet me ditë apo me data për Ardhjen e Dytë të Zotit dhe fundin e kësaj bote nuk vjen nga mësimi Orthodhoks, ajo që ne dimë është siguria për Ardhjen e Dytë të Zotit. Krishti do të vijë një ditë, sepse ka premtuar dhe ajo që ne pohojmë në Besore është se ne presim Ardhjen e Tij të Dytë.
Si do të vijë?
Ai do të vijë si një Mbret i Tërëfuqishëm dhe i Tërëlavdishëm. Sepse Ai këtë herë nuk do të vijë për të shpëtuar botën, por ta gjykojë atë, gjithë botën, të gjithë ne njerëzit. “Sepse ne të gjithë duhet të dalim para gjyqit të Krishtit, që secili merr shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirën apo në të keqen” (II Korithianëve 5:10). “ Dhe kur të vijë Biri i Njeriut në lavdinë e Tij, bashkë me të gjithë engjëjt e Tij të shenjtë, atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së Vet. Dhe të gjithë kombet do të mblidhen para Tij dhe Ai do ta ndajë njërin nga tjetri ashtu si i ndan bariu delet nga cjeptë. Dhe delet do t’i vërë në të djathtën e Tij dhe cjeptë në të majtën.” (Mateu 25:31-35). Kështu që Ardhja e Dytë e Zotit do të jetë edhe e lavdishme edhe e frikshme. Kaq e lavdishme dhe e aq e frikshme saqë është e pamundur ta përshkruajmë Madhështinë dhe Lavdinë e asaj shfaqje. As nuk mund ta përshkruajmë frikën dhe drithërimat dhe të qarat që do t’i zërë të gjithë ata njerëz në atë moment, veçanërisht mëkatarët e papenduar kur të qëndrojnë në të majtë të Gjykatësit të drejtë.

 

— facebook.com/RadioNgjallja

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων