“Çfarë më mungon tjetër”?
Kjo është pyetja të dashur besimtarë që Apostujt i bëjnë Krishtit, e cila i referohet pjesës së Ungjillit të sotëm. Ata e bënë këtë pyetje kur Jisui u tha atyre se “Është më e lehtë të kaloi deveja nga vrima e gjilpërës, se sa i pasuri të hyj në mbretërinë e Perëndisë (Mt. 19:24).
Po çfarë kishte ndodhur pak më përpara? Siç na thotë pjesa e Ungjillit (Mt. 19:16-26), një i ri i pasur afrohet Krishtit dhe i thotë: “Mësues i mirë, çfarë të mirë duhet të bëj që të kem jetë të përjetshme”? (Mt. 19:16). Dhe Krishti i thotë “Në qoftë se ti do të hysh në jetë, zbato urdhërimet”. Cilat? -i thotë. Krishti i përgjigjet: “Mos vrit, mos shkel kurorën, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, ndero atin tënd dhe nënën tënde dhe duaje të afërmin tënd si veten tënde”. I riu i thotë: “Të gjitha këto gjëra unë i kam zbatuar, çfarë më mungon tjetër”? Jisui i tha: “Në qoftë se do të jesh i përsosur, shko shit ç’të kesh, jepua të varfërve dhe ti do kesh thesar në qiell, pastaj eja dhe më ndiq mua”.
Por i riu, kur dëgjoi këto, iku i trishtuar, sepse kishte pasuri të madhe, prandaj Krishti tha: “Në të vërtetë po ju them se një i pasur me vështirësi do të hyjë në mbretërinë e qiejve”. Dhe për këtë Apostujt pyetën: “Atëherë kush do të shpëtojë vallë”? Ajo që bënë përshypje është se përse pyetën vallë Apostujt se kush do të shpëtonte?! Pikërisht, sepse ky djalosh kishte bërë shumë gjëra, ose e thënë ndryshe kishte ruajtur gjithë urdhëresat. Nuk kishte vrarë njeri, ishte i moralshëm, nuk kishte bërë dëshmi të rreme ndaj të tjerëve, është përpjekur t’i dojë ata, kishte treguar respekt për prindërit e tij. Por e humbi rastin të fitojë jetën e përjetshme për një gjë të vetme. Për diçka që i kërkoi vetë Zoti.
Ky është edhe mësimi më i madh që na jep pjesa e Ungjillit, vetë fjalët e Shpëtimtarit. Ne mund të bëjmë shumë gjëra në jetën tonë, mund të vijmë rregullisht në kishë, mund të kreshmojmë, mund të bëjmë bamirësi etj, por nëse nuk bëjmë vetëm një gjë të vetme, psh të mos falim tjetrin, apo të gjykojmë tjetrin, Zoti na thotë se ne rrezikojmë Shpëtimin tonë nëse vetëm edhe një gjë të vetme nuk bëjmë. Këtë gjë na e tregoi mjaft qartë Apostull Jakovi “Kushdo që e zbaton gjithë ligjin por e shkel në një pikë, është fajtor në të gjitha pikat”. “Nëse ti nuk shkel kurorën por vret, ti je shkelës i ligjit” (Jak. 2:10-11).
Pra duhet të jemi vigjilentë që të përmbushim gjithë porositë e Zotit, sepse nëse kemi shkelur një porosi, jemi shkelës i gjithë ligjit të Zotit. A është e drejtë kjo që për një gjë të vetme të quhesh shkelës i gjithë porosive të Perëndisë? A është e drejtë që për mos zbatimin e një porosie të Zotit të humbasësh Parajsën, Mbretërinë e Perëndisë? Po është e drejtë, përderisa na e thotë edhe vet Zoti. Por le të analizojmë edhe pak. Marrim se nuk zbatojmë porosinë “më të lehtë”.(Të gjitha porositë kanë të njëjtën vlerë).
Mendojmë se ne ruajmë të gjitha porosit e Zotit por bëjmë dëshmi të rreme për dikë. Edhe në këtë rast ne kemi shkelur të gjithë ligjin e Zotit. Sepse në këtë rast ne edhe kemi vrarë: kemi vrarë dinjitetin njerëzor të këtij personi, ne kemi shkelur kurorën, sepse kemi shkelur moralin e tij shpirtëror. Ne kemi vjedhur, sepse ne kemi vjedhur gjithë pasuritë e mirësisë së tij. Ne kemi ofenduar Perëndinë, sepse kemi ofenduar birin e Tij, për të cilin Krishti dha jetën. Ja pra se si kemi shkelur të gjithë ligjin.
Po le të kujtojmë një personazh Biblik shumë të dëgjuar, Davidhin. Ai ishte shumë besnik te Perëndia, ishte bamirës, falte armikun e tij, por ai shkeli një urdhëresë, shkeli kurorën, dhe ky mëkat bëri që ai të bëjë një tjetër mëkat, vrasjen e burrit të gruas të cilës shkeli kurorën. Dhe dënimi më i madh ishte vdekja e fëmijës që erdhi nga ky mëkat. Por Zoti e fali sepse ai u pendua për mëkatin e tij.
Kështu edhe ne të dashur besimtarë le të shikojmë me kujdes jetën tonë, nëse kemi një dobësi a një mëkat, le t’i kërkojmë Zotit të na shërojë edhe Zoti do të na falë ashtu si fali Davidhin dhe do të na bëjë pjesë të jetës së Përjetëshme. Amin!
*Nga predikimi i Mitropolitit te Apollonise dhe Fier, +Nikolla, te dielene 12-te e Mattheut, dt.30/08/2020
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










