17/02/2020 17/02/2020 E hënë, 17 shkurt 2020 – Shenjtori i ditës. Dëshmor i madh Theodhor Tironi. Mbretërit Markiani e Pulkeria. Dëshmor i madh Theodhor Tironi. Ky martir i madh dhe i shenjtë i Krishtit e kishte origjinën nga Amasia e Pontit dhe ishte një legjionar romak në kohën e persekutimit të madh të Maksimianit (rreth 303). Ishte...
17 Φεβρουαρίου, 2020 - 12:06

Dëshmor i madh Theodhor Tironi

Διαδώστε:
Dëshmor i madh Theodhor Tironi

E hënë, 17 shkurt 2020 – Shenjtori i ditës.

Dëshmor i madh Theodhor Tironi. Mbretërit Markiani e Pulkeria.

Dëshmor i madh Theodhor Tironi.

Ky martir i madh dhe i shenjtë i Krishtit e kishte origjinën nga Amasia e Pontit dhe ishte një legjionar romak në kohën e persekutimit të madh të Maksimianit (rreth 303). Ishte i krishterë që prej fëmijërisë, por e mbante të fshehtë besimin e tij, jo nga frika, por sepse nuk kishte marrë ende një shenjë nga Perëndia për ta paraqitur veten për martirizim. Ndërsa kohorta e tij ishte vendosur pranë qytetit të Efkaitës (Helenoponti), mësoi se njerëzit e asaj krahine kishin frikë nga një bishë, që kishte bërë strehë në pyllin atje pranë. E kuptoi se në këtë ngjarje fshihej përgjigjja që Perëndia do t’i jepte, nëse kishte ardhur koha ose jo që të martirizohej. Ndaj shkoi thellë në pyll, ku gjeti një fshat të shkretuar, banorja e vetme e të cilit ishte Efsevia, një princeshë e krishterë, e cila i tregoi se ku strehohej bisha. Theodhori e gjeti dhe, pasi u armatos me shenjën e Kryqit të shenjtë, e gjuajti me shtizën e tij bishën që ulërinte e tërbuar dhe e vrau.

I bindur se tashmë, me anë të hirit të Perëndisë, ishte gati për të fituar edhe mbi dragoin shpirtëror, Djallin, siç kishte bërë me bishën e dukshme, shën Theodhori u kthye në kamp, i gatshëm për të pohuar besimin e tij. Kur komandanti i kohortës së tij urdhëroi që të bëhej një sakrificë për zotat e perandorisë, Theodhori qëndroi në tendën e tij. “Unë jam i krishterë”, i tha ai skuadrës që erdhi për ta kërkuar. “Unë adhuroj vetëm Krishtin. Ai është mbreti që unë i shërbej dhe vetëm Atij jam gati t’i ofroj therore”. Pasi i bënë pyetje me djallëzi, ata e lanë për të pyetur edhe ushtarë të tjerë të krishterë. Theodhori, duke marrë zemër prej zjarrit të zellit hyjnor, i nxiti edhe të krishterët e tjerë që ta shfaqnin veten e tyre të denjë për Krishtin, i Cili i kishte zgjedhur ata ushtarë në mbretërinë e Tij qiellore. Atë natë ai shkoi në tempullin pagan dhe shkatërroi altarin e Reas, nënës së zotave, duke e bërë copa-copa. E kapën teksa po bënte këtë veprim dhe e çuan te guvernatori Publius.

Në Ekhaita u bë trazirë e madhe kur u mësua për këtë ngjarje, por Theodhori iu përgjigj me qetësi guvernatorit, duke i treguar absurditetin e të besuarit se një copë e vogël druri, që ishte djegur në pak minuta, ishte një hyjni. Kur e kërcënuan me tortura të frikshme, shenjtori u përgjigj: “Kërcënimet tuaja nuk më frikësojnë, sepse, në mes të këtyre torturave, fuqia e Krishtit do të jetë gëzim dhe ngazëllim për mua”. Duke kërcëllitur dhëmbët nga inati, guvernatori e futi në një burg të errët. Atë natë Krishti iu shfaq në burg shërbëtorit të tij besnik dhe i premtoi se Hiri i Tij do të ishte ushqimi, pija, gëzimi dhe mbrojtja e tij. I ngushëlluar në këtë mënyrë, Theodhori i psali tërë natën himne Perëndisë së bashku me engjëjt, aq sa rojat menduan se kishte edhe të krishterë të tjerë aty brenda edhe pse dyert e burgut ishin të mbyllura.

Kur i ofruan bukë dhe ujë, Theodhori i refuzoi duke thënë se Krishti i kishte premtuar atij ushqim prej qiellit. Kur mbërriti te Publiusi për herë të dytë, atij i ofruan një post të lartë priftëror të idhujve, por shenjti qeshi dhe e siguroi guvernatorin se ishte gati të vdiste për hir të dashurisë për Krishtin. Atëherë e varën nga thembrat dhe trupin ia çanë me thonj hekuri. Por kur panë qëndresën e pathyeshme të shenjtorit, torturuesit e kuptuan se lodheshin më kot dhe guvernatori, duke parë vendosmërinë e tij e duke pasur frikë shembullin e tij, që do të inkurajonte edhe të krishterë të tjerë, e dënoi me vdekje.

Kur mbërritën te turra e druve, martiri i hoqi vetë rrobat dhe iu lut nxehtësisht Perëndisë, që t’i forconte edhe martirët e tjerë. Ai shkoi vetë drejt flakëve, që e rrethuan por nuk e prekën, sikur donin të tregonin me këtë bindjen e tyre. Në mes të atij rrethi triumfal shën Theodhori ia dha frymën Perëndisë, duke e falënderuar Atë. Efsevia shpresëtare bleu trupin e tij dhe e çoi në Efkaita. Aty u ndërtua një kishë për nder të shën Theodhorit, ku pelegrinët e shumtë fitonin shëndetin e shpirtit dhe të trupit, duke u lutur me besë.

Më 361, Julian Apostati po përpiqej, me sa kishte në dorë, të rivendoste zakonet pagane. Duke e ditur se të krishterët e kishin zakon të shenjtëronin veten e tyre gjatë Javës së Parë të Kreshmëve të Mëdha me lutje dhe kreshmë, tirani i lig i tha prefektit të Konstandinopojës të spërkaste të gjitha ushqimet që shiteshin në treg me gjakun e kafshëve të sakrifikuara për perënditë pagane. Në këtë mënyrë, asnjë njeri në qytet nuk do t’i shpëtonte dot ndotjes së idhujtarisë. Por Perëndia i të krishterëve nuk e braktisi popullin e Tij të zgjedhur. Ai dërgoi shërbëtorin e Tij, Theodhorin, për të turpëruar tiranin. Shën Theodhori iu shfaq në një vizion patriarkut Evdhoks (360-364) dhe e informoi për çka ndodhte dhe se duhej të urdhëronte të krishterët të mos blinin ushqim në treg, por, në vend të tyre, të hanin koliva, grurë të zier. Kështu, falë ndërhyrjes së martirit të shenjtë, Theodhorit, populli i krishterë u ruajt i pacenuar nga ndotja e idhujtarisë. Kisha ka caktuar përkujtimin e kësaj mrekullie të shtunën e parë të Kreshmës së Madhe, për t’u kujtuar besimtarëve se kreshmimi dhe përkorja kanë fuqinë për të pastruar të gjitha njollat e mëkatit.

Shën Theodhor Tironi kreu shumë mrekulli të tjera për ata që i luteshin me besë. Një ditë, duke shkëlqyer mbi një kalë të bardhë, ai iu shfaq një vejushe të varfër dhe i solli djalin e saj të vetëm, që ishte kapur rob prej saraçenëve. Ai i çonte shpesh në vend të sigurt shumë njerëz që i zinte stuhia e tmerrshme; drejtonte hajdutët në pendim dhe shumë të arratisur i ktheu përsëri në paqe pranë fëmijëve të tyre. Në të gjitha mrekullitë ky legjionar romak tregoi se është mbrojtës qiellor i të krishterëve.

* * * * *

Mbretërit Markiani e Pulkeria.

Pas vdekjes së papritur të perandorit Theodhosi II, ra nga kali (450), regjenca u mor nga motra e tij, Pulkeria, e cila ishte rrëzuar nga pushteti me anë të intrigave të eunukut Krisaf. Herezia monofizite i kishte shkaktuar trazira të mëdha shtetit dhe Kishës, pas “Sinodit Kusar” të Efesit (499), ndaj Pulkeria vendosi të merrte një bashkëperandor, për të lehtësuar barrën e pushtetit. Ajo zgjodhi Markianin, një vejan tashmë i moshuar, por që njësoj si ajo, ishte energjik, i kujdesshëm dhe i devotshëm. Të bashkuar nga lidhja e martesës, ata vendosën të jetonin si vëlla e motër, duke pasur si shqetësim të tyre të vetëm ruajtjen e besimit orthodhoks dhe rivendosjen e paqes në Kishë. Me pëlqimin e papës Leon dhe të shën Anatolit, Patriarkut të Konstandinopojës (3 korrik), ata thirrën episkopë nga e tërë perandoria, të cilët u takuan nën kryesimin e tyre, në kishën e Shën Efimisë në Kalqedoni (451). Të 630 etërit e shenjtë anuluan dekretet e sinodit të rremë të Efesit, drejtësuan kujtimin e patriarkut Flavian dhe shpallën besimin e vërtetë te një Person i Krishtit me dy natyrat e Tij, duke anatemuar Eftikun, Dioskurin dhe monofizitët e tjerë.

Pas kësaj fitoreje të madhe, Markiani qeverisi perandorinë me drejtësi dhe kujdes. Ai shpalli ligje të dobishme, u vuri taksa të rënda hunëve të Atilës, ngriti spitale, azile dhe institucione të tjera bamirësie, ndërtoi kisha të mrekullueshme (duke përfshirë edhe Vllahernën) dhe së bashku me shën Pulkerinë i dha popullit shembullin e një jete të pastër dhe të pëlqyeshme për Perëndinë. Me rastin e një litanie të madhe, që zgjati për shumë orë, duke përshkuar mbarë qytetin, dy sovranët, që e ndoqën të gjithën më këmbë, të shoqëruar nga patriarku, detyruan edhe personalitetet e oborrit perandorak të bënin të njëjtën gjë.

Pasi i zbukuruan diademat e tyre me emblemat e pavdekshme të besimit të mirë, ia dhanë në paqe shpirtin e tyre Perëndisë; Pulkeria më 453 dhe Markiani më 457.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë/facebook

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων