29/07/2021 29/07/2021 E enjte, 29 korrik 2021 – Shenjtori i ditës. Dëshmor Kaliniku. Dëshmore Beatris e 2 vëllezërit. Dëshmore Theodhota e 3 fëmijët e saj. – Dëshmor Kaliniku – Martiri i shenjtë i Krishtit, Kaliniku, ishte me origjinë nga Kilikia. Ishte bujar dhe me besim të fortë, të mbjellë që në fëmijëri.Vraponte nëpër krahina e fshatra për...
29 Ιουλίου, 2021 - 16:31

Dëshmor Kaliniku

Διαδώστε:
Dëshmor Kaliniku

E enjte, 29 korrik 2021 – Shenjtori i ditës.
Dëshmor Kaliniku. Dëshmore Beatris e 2 vëllezërit. Dëshmore Theodhota e 3 fëmijët e saj.
– Dëshmor Kaliniku –
Martiri i shenjtë i Krishtit, Kaliniku, ishte me origjinë nga Kilikia. Ishte bujar dhe me besim të fortë, të mbjellë që në fëmijëri.Vraponte nëpër krahina e fshatra për të shpallur Lajmin e Mirë, dhe solli shumë shpirtra në shpëtim. Kur arriti në Angjira në Galati, filloi predikimin e tij, duke nxitur paganët të hiqnin dorë nga adhurimi i idhujve të kotë e pa shpirt e të arrinin në njohjen e Perëndisë Krijues të të gjithave. Suksesi që pati provokoi urrejtjen e disa paganëve, të cilët e denoncuan te qeveritari Sakerdos. Para këtij, Kaliniku e shpalli veten shërbëtor i Perëndisë së gjallë dhe deklaroi se predikonte doktrinën e Krishtit, që të shpëtonte njerëz të tjerë nga padija, me shpresën që nëpërmjet kësaj të fitonte jetën e përjetshme, sipas premtimit të Shkrimit (Jak. 5.20).
Kur e ftoi qeveritarin të hiqte dorë nga idhujt, Sakerdos u inatos dhe e dorëzoi në tortura. E rrahën, por Kaliniku nuk e hoqi shikimin e tij nga Perëndia, duke e falënderuar që kishte lejuar të vuante për dashurinë e tij. Ia shqyen mishrat me thonj prej hekuri, u tall me xhelatët, të cilët u treguan të paaftë t’i jepnin fund një njeriu të zhveshur dhe të pa armatosur. Sakerdos urdhëroi atëherë njerëzit e tij që t’i mbathnin sandale prej hekuri mbërthyer me gozhdë dhe presa thikash, dhe kështu ta hiqnin zvarrë mbrapa kuajve deri në Gangra, në Panflagoni, tetëdhjetë milje larg, që të vdiste në zjarr.
E mbrojti hiri i Perëndisë dhe shenjti përshkoi gjashtëdhjetë milje, në mes të vapës djegëse, i gëzuar, madje duke ia kaluar edhe eskortës. Kur arritën në një vend të quajtur Matrica, të lodhur nga etja ushtarët s’mundën dot të vazhdonin udhën, ndaj i ranë në këmbë shenjtit dhe e lutën të ndërmjetonte për ta. Kaliniku filloi të lutej dhe menjëherë ujë i freskët buroi nga shkëmbi, si dikur me hebrenjtë në shkretëtirën e Egjiptit. Më pas burimi u quajt “shatërvani i martirit Kaliniku”.
Kur arritën në Gangra, ushtarët mirënjohës hezituan të zbatonin urdhrat e tiranit, dhe ishte vetë Kaliniku ai që nga padurimi për t’u bashkuar me Zotin, i nxiti të përgatisnin zjarrin. Kur u ndez zjarri dhe flakët u ngritën lart, u hodh duke lavdëruar Perëndinë. Lipsanet e shenjtit u kanë sjellë banorëve të Gangrës bekimin dhe mbështetjen e Perëndisë
* * * * *
Dëshmore Theodhota e 3 fëmijët e saj.
U martirizuan në kohën e Dioklecianit (284-305) në atdheun e tyre, Nike të Vithinisë, në veriperëndim të Azisë së Vogël. Theodhota shkoi dhe u përkushtua te shën Anastasia Farmakolitria (22 dhjetor) që ndodhej atje, sepse u tërhoq prej famës së saj. Më parë Diokleciani, për hir të paraqitjes trupore dhe shpirtit madhor të saj, e destinoi për grua të arkond Lefkadhit me shpresë që ai ta tërhiqte në idhujtari duhej të ishte e ve. Theodhota refuzoi propozimin, por Lefkadhi këmbëngulte.
Që të fitonte kohë, i kërkoi të priste pak, kështu gjeti rastin gjatë mungesës së tij dhe për pak ditë shoqëronte Anastasinë në burg. Atje i jepnin kurajë të krishterëve në pranga. Lefkadhi, përderisa nuk arriti ta bindte Theodhotën as me brutalitet, e dërgoi te qeveritari i Vithinisë, i cili e torturoi me shumë mënyra. Për ta përkulur, përdori fëmijët e saj. I kërcënoi me vdekje në qoftë se nuk iu faleshin perëndive. Më i madhi, Evodhi ia mbylli gojën me mençuri qeveritarit, saqë ai e rrahu egërsisht që të vuante e ëma.
Megjithatë trimëresha gëzohej dhe i jepte zemër. Ia dorëzoi atëherë shenjtoren një imorali që ta poshtëronte, por, sapo ai vuri dorë mbi të, hëngri një dackë të tillë nga një qenie dritëmbartëse, saqë nga hunda i rrodhi gjak si çezmë. Tirani i marrë e kërcënoi se do t’i therte fidanët. I ktheu përgjigjen se këtë dëshironte: T’i përcillte te Zoti sa ishte gjallë dhe pastaj t’i pasonte ata. Qeveritari, i çmendur, urdhëron t’i djegin në furrë që të katër, të cilët mbaruan të gëzuar.
Më vonë shenjtorja i shfaqej netëve të burgosurës Anastasia dhe i jepte fuqi. Gjithashtu mbajti varkën, në të cilën kishin hipur Farmakolitrian së bashku me të tjerë, të cilën e kishin shpuar për ta mbytur dhe e drejtoi deri në breg. Katërshja familjare kremtohen edhe së bashku me shën Anastasinë më 22 dhjetor.
Theodhota, greqisht do të thotë e dhënë nga Perëndia, ndërsa Evodhi do të thotë rrugë e mbarë. Nuk referohen emrat e dy vëllezërve të tjerë.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων