16/09/2021 16/09/2021 E enjte, 16 shtator 2021 – Shenjtori i ditës Dëshmore e madhe Efimia. Dëshmore Melitina. Ludmilla, mbretëreshë në Çeki. – Dëshmore e madhe Efimia – Shën Efimia jetoi gjatë periudhës së Dioklecianit (mes viteve 284 – 305). Lindi në Kalqedoni nga prindër të pasur e të perëndishëm, të cilët e edukuan me dashurinë për Krishtin....
16 Σεπτεμβρίου, 2021 - 15:05
Τελευταία ενημέρωση: 16/09/2021 - 16:18

Dëshmore e madhe Efimia

Διαδώστε:
Dëshmore e madhe Efimia

E enjte, 16 shtator 2021 – Shenjtori i ditës
Dëshmore e madhe Efimia. Dëshmore Melitina. Ludmilla, mbretëreshë në Çeki.
– Dëshmore e madhe Efimia –
Shën Efimia jetoi gjatë periudhës së Dioklecianit (mes viteve 284 – 305). Lindi në Kalqedoni nga prindër të pasur e të perëndishëm, të cilët e edukuan me dashurinë për Krishtin. Në këtë kohë, një farë Priski u bë kryekonsull i Azisë. Për festën e perëndisë së tij, ai dënoi me vdekje banorët e krahinës që nuk vinin të festonin me të. Të gjithë të krishterët u fshehën në shtëpi e në shkretëtira, që t’i shpëtonin tiranit. Edhe shën Efimia u fsheh bashkë me 49 të krishterë të tjerë, mes të cilëve shkëlqente nga virtyti. U zbuluan dhe u paraqitën para konsullit, i cili u përpoq t’i bindte me lajka. “Mos e harxho kohën dhe fjalët më kot me ne”, iu përgjigjën shenjtorët “ne jemi njerëz të pajisur me arsye, për të cilët nuk do të ketë fatkeqësi më të madhe sesa të braktisnin Perëndinë e vërtetë, Bërësin e qiellit dhe të dheut, për t’iu falur idhujve të marrë dhe pa jetë. Ne nuk ua kemi frikën torturave me të cilat po na kërcënon. Ato do të jenë të lehta për ne që t’i durojmë dhe kanë për të treguar fuqinë e Perëndisë”.
Këto fjalë e tërbuan kryekonsullin dhe vendosi të torturojë shën Efiminë dhe shokët e tjerë 20 ditë rresht, pa pushim. Meqë Efimia kryesonte grupin, e morën dhe ia dogjën gjymtyrët në rrota hekuri. Por shenjtorja iu lut Zotit dhe me fuqinë e Krishtit u shërua dhe nuk kishte asnjë vragë në trup. Më pas, Efiminë e hodhën në një furrë të ndezur. Një engjëll i Zotit e mbrojti nga flakët. Xhelatët, Viktori dhe Sostheni të mahnitur nga çuditë që ndodhën, besuan te Krishti dhe vdiqën si martirë disa ditë më pas nën thonjtë e bishave.
Shenjtores iu desh të duronte edhe shumë tortura të tjera, prej të cilave e shpëtoi Perëndia në çdo rast, duke treguar kështu se hiri është më i fortë se çdo torturë apo ligësi që njeriu mund të mendojë. Në fund, shenjtoren e hodhën tek egërsirat, dhe Efimia dorëzoi shpirtin e saj pasi e kafshoi vetëm një herë një ari.
Kur persekutimi i Dioklecianit mori fund, të krishterët morën trupin e shenjtores dhe e vendosën në një sarkofag ari, në kishën kushtuar asaj. Ditën e festës së saj, nga varri rridhte rregullisht një çurkë gjaku, që lëshonte aromë qiellore. Pikërisht në këtë varr u krye mrekullia në Sinodin e Kalqedonisë (451), që kremtohet më 11 korrik, ku u hodh poshtë tomosi i heretikëve. Lipsani i saj mblidhte një numër të madh pelegrinësh për shekuj me radhë. Në vitin 616 ai u transferua në Konstandinopojë në kohën e invazionit pers dhe qëndron i paprekur edhe sot në kishën e Patriarkanës në Fanar.
* * * * *
– Dëshmore Melitina –
Shën Melitina jetoi në Markianopojë në Thrakë, kur mbretëronte perandori Antonin dhe guvernatori Antiok (viti 160). Ajo vuajti tortura të shumta, por ekzekutuesit nuk ia dolën dot ta bindnin që të mohojë besimin e saj te Krishti. U çua edhe te gruaja e guvernatorit, e cila u përpoq ta zbuste me lajka, por ishte shenjtorja që e ktheu atë në besimin e krishterë.
Solli edhe shumë paganë te Krishti nëpërmjet mrekullive që kryente, dhe gjithashtu hodhi përtokë duke i bërë pluhur idhujt e Apollonit e të Herkulit. Në fund të misionit që Zoti i dha, asaj iu pre koka. Një besimtar, i quajtur Akaq, me origjinë nga Maqedonia, arriti të marrë trupin e shenjtores për ta çuar në atdheun e tij. Por ai vdiq gjatë një stuhie dhe trupi i Melitinës mbeti në ishullin e Lemnosit, ku u varros me nderime të mëdha nga të krishterët e atij vendi.
* * * * * *
– Mbretëreshë Ludmilla –
Shën Ludmilla ishte gjyshja e shën Viaçeslavit (Vençeslavit), princit të çekëve (28 shtator) dhe gruaja e princit Borivoi. Ajo dhe burri i saj mësuan rreth besimit të krishterë dhe u pagëzuan nga episkopi i shenjtë Metodi, ndriçuesi i sllavëve (11 maj). Me besim të flaktë, princi dhe princesha bënë gjithçka mundën për të inkurajuar popullin e tyre të bëhej i krishterë. Ata ndërtuan kisha në mbarë vendin e tyre dhe u kujdesën për të mbështetur priftërinjtë që do të shërbenin në to.
Princi Borivoi fjeti në moshën 36-vjeçare, pasi i dha Ludmillës tre djem dhe një vajzë. Ludmilla pranoi vejërinë si vullnet të Perëndisë dhe e duroi këtë humbje me shumë kurajë. Ajo e shkëputi veten nga përsiatjet e kësaj bote dhe ua ndau pasurinë të varfërve. Biri i saj Vratislavi u ngjit në fron dhe udhëhoqi popullin për njëzet e tre vjet me radhë.
Kur vdiq, u pasua në fron nga biri i tij, Viaçeslavi (Vençeslavi), të cilin gjyshja e tij, Ludmilla, e rriti me besimin e vërtetë dhe dashuri për virtytet e shenjta ungjillore. Por gruaja e Viaçeslavit ushqente urrejtje të madhe për shën Ludmillën dhe dërgoi dy bojarë për ta mbytur atë në kështjellën e Tetinit (tani Deçini), ku ajo ishte tërhequr për t’iu shmangur mosmarrëveshjeve.
Shën Ludmilla mori palmën e martirizimit më 920, kur ajo ishte gjashtëdhjetë e një vjeçe. Kështu në varrin e saj ndodhën shumë mrekulli, prandaj dhe princi Viaçeslav e solli trupin e saj në Pragë, ku nderohet edhe sot në kishën e Shën Gjergjit.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων